
Teatri që po zhvillohet prej ditësh në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë as me të drejtat e serbëve, e as me sovranitetin, ai është një ‘lojë luftash’, për të shmangur, ose për të orientuar marrëveshjen e Ohrit...
Ajo që po ndodh në Kosovë këto ditë, nuk është skenari që kemi parë që prej qershorit të vitit 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë. E si “padashur”, kontigjenti francez i KFOR-it, krijoi një vijë demarkacioni në lumin Ibër në veri të Kosovës, ku Mitrovica u nda në dysh, e tre komuna të tjera: Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani mbetën jashtë zonës së NATO-s. E cila zyrtarisht ka qenë prezente në veri, por atje ligjin e bënin të ashtuquajturit “Rojet e Urës”. Përkatësisht grupe kriminale të lidhur me shërbimin sekret e policinë serbe, që kontrollonin të gjithë tregtinë e Kosovës, e cila në shumicë importon mallra nga Serbia.
Deri në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e Serbia hyri në proces negociatash me BE, Beogradi nuk e pranoi pakon Ahtisari që u kthye në Kushtetutë të Kosovës, për arsye se nuk kishte një status për serbët e veriut.
Tre vite pas shpalljes së pavarësisë, SHBA vendosi që të mos zgjasë më diskutimin e kotë, nisën negociatat nën ndërmjetësimin e BE-së. Sërish çështja kyçe ka qenë veriu i Kosovës, për të cilin Beogradi ka kërkuar një status special. Në kohën kur në qeveri ishte LDK e PDK, të cilët së bashku kishin një mazhorancë të qëndrueshme, u miratua Asocacioni i Komunave Serbe. I cili i vuri zjarrin edhe qeverisë, edhe LDK-së, por edhe PDK-së.
Që prej atëherë, kur Albin Kurti e ktheu kundërshtimin e Zajednicës në një flamur politik, askush nuk ka guxim ta prekë këtë ‘patate të nxehtë’.
Marrëveshja e Ohrit që miratuan Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, ka në qendër instalimin e Asocacionit të Komunave Serbe. Por Albin Kurti kërkon që Asocacioni të instalohet në fund, pra pas njohjes reciproke, ndërsa Vuçiç kërkon që të bëhet njëherë asocacioni e më pas të vijojë diskutimi.
Ndërkaq, askush tjetër në politikën e Kosovës, por as në opinionin publik, ku ka shumë zhurmë e përplasje nëpër panele, nuk diskutohet fare për këtë gjë. Për t’ju shmangur diskutimit themelor, shoqëria e Kosovës, së bashku me politikën që po e drejton, po shkojnë rrezikshëm drejt një diskursi mjaft të rëndë pro dhe kundër Amerikës. Natyrisht fajin më të madh e kanë ata njerëz që po përdoren politikisht duke artikuluar një fjalor tepër të rrezikshëm kundër SHBA, ku sulmohen me fjalët më të rënda në rrjete përfaqësuesit politik e diplomatët amerikanë.
Ky kontigjent në Kosovë, nuk se doli sot, ai ka ekzistuar prej kohësh dhe përbëhet kryesisht nga radikalët islamikë, por edhe nga një pjesë të njerëzve që kanë interesa të ngushta me Serbinë.
Sado që Albin Kurti dhe Vetëvendosje të kenë arsye, por edhe fuqi që t’i qëndrojnë vendimeve të tyre që kanë shkaktuar këtë përplasje me SHBA, ata do të duhet që të ndalin menjëherë këtë teatër të shpifur të sulmeve banale ndaj zyrtarëve amerikanë. E kjo bëhet lehtësisht, thjesht me një deklaratë të fortë publike të Kurtit drejtuar të gjithë atyre që po sulmojnë SHBA.
Teatri që po zhvillohet prej ditësh në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë as me të drejtat e serbëve, e as me sovranitetin, ai është një ‘lojë luftash’, për të shmangur, ose për të orientuar marrëveshjen e Ohrit.
Vijimi sa më gjatë i kësaj loje do të dëmtojë më shumë Kosovën, pasi Serbia nuk ka çfarë humb në këtë situatë, pasi goditjen ajo e ka marrë në vitin 1999, kur u çlirua Kosova. Ajo që humb është pikërisht shteti më i ri europian, i cili ka nevojë si gjallesa për oskigjenin, për partneritetin me Perëndimin.
Nga ana tjetër, politika e Kosovës, gjegjësisht institucionet e saj, do të duhen që menjëherë ta nisin diskutimin mbi atë që po luhet e gjithë loja: “statusin special” të serbëve të Veriut.
Albin Kurti, si lideri i mazhorancës, do të duhet që në Kuvend, të kërkojë nga opozita që të marrë pjesë në këtë diskutim që është nacional e jo partiak. E nëse opozita do të bëjë thjesht zhurmë, e nuk do të pranojë të marrë pjesë në këtë diskutim, le ta bëjë mazhoranca, gjegjësisht Albin Kurti, duke nisur një dialog me qytetarët. Se si do të duhet që Kosova, të arrijë një propozim racional për integrimin përfundimtar të veriut të Kosovës në institucione dhe jetën e vendit.
Në fund, krejt lehtësisht mund të bëhet një referendum, por që natyrisht nuk duhet të jetë ‘kamikaz’ që shkatërron gjithçka në fund. Nëse politika dhe shoqëria kosovare nuk e bën këtë diskutim dhe nuk merr vendimet e duhura, vendi do të vijojë të jetë i izoluar.
Ndërkaq, si NATO edhe BE, nuk do të investojnë tërë jetën për sigurinë e Kosovës, me trupa ushtarake e fonde pa fund. Do të vijë një ditë, kur si SHBA, por edhe Europa, do të thonë mjaft!. E ajo ditë, sapo ka trokitur…/Pamfleti