
Cila është opozita që kërkon të ndërtojë Luli. Atë duhet ta thotë tani, madje me detaje. E të mos mbështetet në kosmomolas, që vijnë me citatet e kohës së Ramiz Alisë...
Memexhinjtë e rrjeteve duket se e kanë gjetur batutën me Lulzim Bashën, që përsëritën perlën e Anagnostit: “Na dolli i fortë Gjinua”.
E parë me vëmendje, Luli i ka lënë të gjithë pa gojë, që nga Sali Berisha e Ilir Meta, e deri te Gazmend Bardhi e Jorida Tabaku, që i ka nervozuar shumë dalja e tij në terren me lidhje direkte. Ku më shumë se ajo që thotë, është dukja e tij; i freskët e me bluzë kaki që duket se ja ka marr borxh Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenskit.
Po pse Luli ka zgjedhur bluzën e Zelenskit?
Përtej misterit, kjo duket një metaforë politike e Lulzim Bashës për të treguar se qëndron i fortë pro-perëndimit në një mjedis ku kanë fuqi e akses aleatët e Putinit.
Mund të jetë edhe ndryshe, por parë daljes në media të lidhjeve të tij me rusët, e më pas të Metës e Kryemadhit, Lulzim Basha, ka dashur të thotë se nëse ka pasur lidhje me rusët, e ka bëtë si Zelenski para se të vishte bluzën e luftës. Kjo metaforë, edhe pse mund të provokojë gallatë, e ka edhe ‘mea culpa’-n e Bashës për lidhjet e tij me rusët dhe për qëndrimin ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës që qartë janë deklaruar antiamerikanë.
Por çfarë sjell Lulzim Basha në rikthimin e tij pas largimit në mars të vitit 2022. Tezat janë të njëjta si me: “Lufta fillon tani”, vettingu i politikanëve, listat e hapura, apo ndryshimi i kodit zgjedhor.
Demagogjinë nga realiteti e ndan nje fill i hollë.
Lulzim Basha është deputet, i ka të gjitha mundësitë që këto që propozon t’i dorëzojë në Kuvend e të presë sa mazhoranca apo opozita, ta përkrahin. Nëse jo, atëherë të luftojë për të fituar zgjedhjet. Gjithsesi thelbi është vizioni i Lulzim Bashës për Partinë Demokratike dhe opozitën në përgjithësi. Sepse nuk do mend e kalem se do të jetë Luli kandidati për kryetar i PD-së. Gjasat janë që të jetë i vetmi, pasi njerëzit, janë shumë skeptik për
Pardje, Lulzim Basha ka këputur një kumbull në takimin e Elbasanit, ku me gjasë se ka ditur as e ka bërë me mendje të vet.
“Si do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. Kjo na thërret të veprojmë nje orë e më parë” etj etj.
Luli ka risjellë pas 37 vjetësh një nismë që Komiteti i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë në Shkodër e hodhi për publikun.
“Si është rinia sot, do të jetë atdheu nesër” ishte nisma që erdhi nga sekretari i Rinisë së Shkodrës Ali Laçaj.
Sot kjo nga ndokush mund të duket si hartim, por pyetja është gjetiu.
Ku e ka ditur Luli këtë nismë që e ka bashkëngjitur për PD-në e tij.
Në atë kohë Basha ka qenë i vogël, as 10 vjeç, po duket që fjalimet ja bën gjithmonë e njëjta dorë që ka fiksim baluardet metaforike të propagandës së vjetër.
Kur kandidoi për bashkinë e Tiranës, njeriu që i shkruante fjalimet ishte Artur Zheji, sot ende nuk dihet, por ajo metaforë e komitetit të Rinisë së Shkodrës nuk është rastësi.
Pasi realisht mentaliteti i elitës politike, qofshin të vjetër si Sali Berisha, Ilir Meta, apo Edi Rama, por edhe të rinj, kavallit i bien në një vrimë, edhe pse ajo lloj muzike i ngre nervat njerëzve.
A kaq dijnë apo e bëjnë me qëllim?
Edhe nëse e bëjnë me qëllim, fakt është se kaq dijnë, se ndryshe do kishte gjëra më interesante.
Çfarë PD kërkon të rindërtojë Lulzim Basha dhe me kë? Kjo është pyetja e madhe. Pa Berishën e Metën, është njëra pjesë dhe shyqyr Zotit është OK, po tjetër? Ku do të arrijë, si dhe me kë, Basha në aventurën e tij të re? Që ai është grupi i interesit më i fortë në PD-në e vulës kjo bën muu, por duhet të tregojë me fakte se si do ta modernizojë një opozitë që e ka qelbur për 10 vjet.
Nëse Luli do të zëvendësojë Gaz Bardhin e Dash Sulën me kryetarët e degëve, thjesht e ka zvogëluar partinë edhe më shumë…/Pamfleti