Editorial20 Shkurt 2024, 17:01

Socialistët, partia e Merhaba Asker!

Shkruar nga Pamfleti
Socialistët, partia e Merhaba Asker!
Rexhep Taip Erdogan dhe Edi Rama /

Abi i Rexhep Tahipit, katoliku Edi nga arnautistani nderohet me të gjitha respektet perandorake...

Ja ku erdhëm te adeti i radhës, i treti sipas kalendarit, ku Sulltani i Ankarasë, ‘shaloi atin’ si heroi i këngës së njohur të rakisë, e me bajrak në ballë çoi pashanë tonë në Portën e Lartë.

Një adet që ka një Kalendar fiks, që si një orë zvicerane rrotullohet ekzaktësisht një vit para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku Abi i Rexhep Tahipit, kotoliku Edi nga arnautistani nderohet me të gjitha respektet perandorake.

Gardë republikane të kohës së Ataturkut të Madh, përzier me marioneta të veshura dhe armatosura si te telenovelat e Ertogulit me sakica e sopata, bënë edhe sot parodinë e radhës; ku shumë po qeshin, e mjaft po mërziten.

Por, për binjakëzim, ky protokoll është realisht një ikonografi e ngulitur tashmë, e një tradite të Republikës së shqiptarëve. Ku përpara çdo palë zgjedhjesh, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste së socialistëve, shkon te mentori i tij duke perifrazuar frazën e famshme: Merhaba Asker! Si për të treguar se është Edi, kardashi i sulltanit, i cili, duhet thënë se menaxhon në mënyrë direkte dhe indirekte një pjesë të rëndësishme të elektoratit dhe psikologjisë në Shqipëri.

Problemi këtu është më i thellë dhe politik, marrëveshja në mes Erdoganit dhe Ramës, ka të bëjë më kalimin e votave që Erdogan kontrollon në Shqipëri. Ku nëpërmjet disa fondacioneve qarkullon sasi të mëdha parash që arrijnë në miliona dollar. Të cilat vihen në përdorim për bamirësi dhe allishverishe elektorale. Plus kontrollit të xhematit, i cili edhe pse nuk e do fare Ed qafirin, voton çfarë i thotë Padishahu nga Ankaraja.

Por, këtu ka një zhvillim të ri, pasi bëhet fjalë për emra që Erdogan kërkon që PS t’i promovojë në politikën e lartë, siç ka vepruar gjithmonë.

E këto zjedhje mësohet se dy a tre emra mjaft të njohur si bamirës e biznesmenë do të futen në listat e deputetëve, në mënyrë që Ankaraja të ketë lobin e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Siç e ka pasur në çdo legjislaturë.

Ra në sy që sot në vizitën e tij në Ankara, nuk ka qenë prezent ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili në të shkuarën kur drejtonte PS-në, ka qenë ndërlidhës me AKP për seminaret e trajnimit të strukturave elektorale. Këtu në fakt mund të ketë vend për të analizuar e diskutuar se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, hisja tjetër ja vlen të qëmtohet pak më pas.

Fakt është se ndodhi e njëjta gjë: ku vota në Shqipëri orientohet nga Ankaraja. Shkurt si të jemi satelit i saj, në mos pjesë e Perandorisë. Edhe përsërisin non stop se jemi vend pro amerikan, por avdesin kotoliku Edi shkon e merr në Portën e Lartë. Çka është edhe karshillëk i qartë me atë që ndodhi pas vizitës së Sekretarit Blinken./Pamfleti

merhaba asker socialistët edi rama erdogan