A do t’i marrë Sali Berisha të gjithë me vete…
Vendosja e bravave të reja nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në disa nga banesat e familjes së Sali Berishës, ka sjellë një klimë të re në vend.
Është e dukshme, edhe pse nuk ka festë e fishekzjarre. Normalisht, njerëzit nuk kanë kohë të gëzojnë, por edhe mendojnë se ky është vetëm fillimi… Ka shumë punë përpara.
Parë në këtë aspekt, duket shumë kurioze se nga mazhoranca, në vend që të gëzohen, nuk pipëtin askush. Madje, njerëz nga brenda kupolës thonë se i gjati po nxin. Kjo u pa edhe në Krujë, ku nuk ishte fare i qetë.
Gjithsesi, i pari që është në panik, sidomos kur u sekuestrua vila në Lalëz është Ilir Meta. Thuhet se prej muajsh nga Lalzi ka pasur lëvizje të mëdha mallrash, të cilat janë dokumentuar e ndjekur në mënyrë kirurgjikale nga agjenci të specializuara jo të vendit. Të cilat kanë monitoruar dhe po monitorojnë operacionin ndaj Sali Berishës.
Në Rinas, Jamarbër Malltezin nuk e kanë arrestuar punonjës të Policisë së Shtetit, por vetëm agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila tashmë ka brenda vetes edhe një bërthamë operacionale të hetimeve speciale, por edhe të ndërhyrjes në raste të rrezikshme.
Sali Berisha, tashmë është një i pandehur, e nëse shikohet me kujdes mënyra sesi është vepruar, ka simbolikën e vet. Ka ndodhur më 21 tetor, ditën kur është zhdukur Remzi Hoxha, një nga viktimat e para të Sali Berishës. Përvjetor që familja e Remziut e përkujton me ankth çdo vit.
Nuk ka rastësi në këtë botë, e këtu duket se partnerët e mëdhenj, i kanë bërë të ditur Sali Berishës që haka në këtë dynja do të paguhet ‘një më një’.
E në këtë rast, shumë mirë që ndodhi, madje më shumë se ata që urrenin Sali Berishën, janë çliruar të gjithë ata që e kanë konsideruar një profet, por që ka rezultuar totalisht i rremë. Ata do të çlirohen të parët, e do të nisin të mendojnë ndryshe, me mendjen e tyre.
Por nuk mbaron me Sali Berishën…
Ilir Meta, duhet të përgjigjet i dyti, e që ka po aq gjynahe e akuza, madje dosje të qepura në SPAK. Siç bëhet e ditur, kanë mbërritur të dhëna të parave të fshehura në Britaninë e Madhe e Zvicër.
Ardhja e specialistëve nga Londra, ka rritur shpresat se kanë sjellë materiale të freskëta për të. Bashkë me rrezikun për një arratisje të familjes Meta, i cili, ka çuar sinjal se nuk do të shkojë në burg, pa “bërë namin”. Agjenci të Specializuara kanë marrë sinjale edhe për akte të rënda terroriste, gjë që kanë çuar në vendimin e ruajtjes ekstreme të prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK.
Megjithatë, në këtë situatë që është mjaft e trazuar, SPAK do të duhet të hetojë direkt pa asnjë hezitim edhe Edi Ramën. Qoftë, edhe në gjendje të lirë, mjafton që të mos dalë e të acarojë njerëzit ‘non stop’ në TV.
Partia Socialiste mund të krijojë një qeveri tjetër, e cila do të garantojë një ulje tensionesh dhe klimë tjetër politike në vend. Ndoshta do të kemi më pak megallomani, por më shumë veprime normale. Për këtë kanë nevojë njerëzit më shumë. / Pamfleti
Lini një Përgjigje