TAGS-AT E JAVËS

Editorial23 Janar 2026, 17:00

Vizita urgjente e ministrit gjerman pas agresionit të Edi Ramës ndaj SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Vizita urgjente e ministrit gjerman pas agresionit të Edi Ramës ndaj
Gunther Krichbaum dhe Edi Rama

Deklaratat agresive të Edi Ramës ndaj SPAK dhe sinjalet për një ndërhyrje ligjore kanë alarmuar Bashkimin Europian. Vizita urgjente e ministrit gjerman në Tiranë përcolli mesazhin se Berlini nuk do të lejojë asnjë lëvizje politike që cenon pavarësinë e drejtësisë dhe procesin e integrimit në BE

Një ditë pas deklaratës agresive të Edi Ramës ndaj SPAK, të cilin e ka telendisur duke përdorur si kopertë familjen Trump, Bashkimi Europian është alarmuar menjëherë.

Kancelari gjerman Merz ka dërguar urgjentisht në Tiranë, në një mision special, ministrin e tij për Europën, Gunther Krichbaum. Ky i fundit ka zhvilluar menjëherë takime në Parlament me Taulant Ballën dhe Jorida Tabakun, duke u bërë të qartë se nuk do të përkrahet asnjë e ashtuquajtur reformë ligjore që synon të bllokojë apo të ndalë dorën e Prokurorisë së Posaçme.

Misioni ka ardhur pas sinjaleve se në Kuvend po përgatitet një draft sekret për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, i cili vendos kufizime të forta ndaj SPAK, veçanërisht në lidhje me zyrtarët e lartë. Siç mësohet, tentativa ka synuar ndarjen e drejtimit administrativ të SPAK nga ai penal, çka do të thoshte se drejtuesi i prokurorisë nuk do të kishte më rol aktiv në ndërtimin e dosjeve penale, por do të reduktohej në një koordinator formal të institucionit.

Një lëvizje e tillë do të krijonte terrenin që një gjykatë administrative të pezullonte drejtuesin e SPAK me kërkesë të një pale të interesuar, duke goditur drejtpërdrejt funksionimin e prokurorisë speciale.

Nga ana tjetër, deklarata e djeshme e Edi Ramës, i cili ka lëshuar ndaj SPAK një lumë akuzash, është konsideruar agresion politik dhe ka alarmuar hapur Bashkimin Europian. Për këtë arsye, ministri gjerman ka mbërritur urgjentisht në Tiranë për të bërë të ditur se Berlini nuk do të tolerojë asnjë akt politik nga ekzekutivi apo mazhoranca ndaj prokurorëve të posaçëm.

Paralelisht, një raport i publikuar dy javë më parë nga një agjenci britanike theksonte se pushteti i pakufizuar i Edi Ramës në Shqipëri e ka kthyer vendin në një shtet ku mungojnë realisht mekanizmat demokratikë të balancës dhe kontrollit. Raporti, i hartuar nga akademikë të njohur, nënvizon se pushteti absolut i Ramës është shndërruar në rrezik institucional.

Në këtë kontekst, ministri gjerman për Europën ka takuar edhe Edi Ramën, duke i përcjellë ultimatumin politik të shefit të tij. Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum, zhvilloi biseda politike në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, si dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.

Në fokus të këtyre bisedave ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përfundim të takimeve, ministri Krichbaum u shpreh se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE, duke qenë njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj europiane. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, ku rruga drejt BE-së duhet të çojë përpara me vendosmëri reformat, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes bashkëveprimit konstruktiv të të gjithë aktorëve institucionalë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese. /Pamfleti/

 

edi rama spak krichbaum

Lini një Përgjigje

Editorial