Editorial17 Qershor 2024, 15:01

Vula e Londrës si reagim i vulës së Tiranës

Shkruar nga Gjergj Zefi
Vula e Londrës si reagim i vulës së Tiranës
Sali Berisha dhe Lindita Nikolla /

Ndaj edhe vendimi i sotëm është vetëm fillimi i një zhvillimi të fortë ndërkombëtar. Ku në radhë të parë i drejtohet Lindita Nikollës. E cila sipas informacioneve është bërë gati të mos e djegë mandatin e Sali Berishës...

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Londrës për të konfirmuar ‘Non- Grata’-n e Sali Berishës nga Britania e Madhe, nuk duket thjesht një akt juridik. Ngjan më shumë me një sinjal politik të qartë dhe të fortë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, për t’i dhënë vulën Sali Berishës.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Londrës, thuhet qartë, se Sali Berisha është një zyrtar i lartë që me fuqinë e pushtetit, ka ndaluar prokurorinë të hetojë Damir Fazlliçin.

I cili sapo zbriti në Tiranë, përkatësisht në aeroportin e Rinasit, drejtues të lartë të policisë së shtetit penguan prokurorët që kishin mbërritur atje për ta pyetur.

Dhe pas kësaj, Berisha, doli në Parlament dhe tha hapur: Damir Fazliç është miku im!

Tani duke lënë mënjanë se kush ishte Damiri e çfarë lojërash bënte ai në pushtetin e Sali Berishës, fakti këtu është se ish- kryeministri pengoi drejtësinë të hetojë.

Tjetër, vendimi i Londrës, kishte të dokumentuar lidhjen e Sali Berishës me atë që quhet rrjeti kriminal i Britanisë së Madhe, të dënuar atje për trafiqe. Të cilët doktori i përdori si krah i armatosur.

E kjo vulë britanike, ngjan si një shuplakë ndaj tre gjyqtarëve të Apelit në Tiranë, të cilët i dhanë vulën Sali Berishës, edhe pse ka një kontekst të qartë kriminal ndaj tij.

E kështu, është pikërisht vula britanike që vjen si shigjetë ndaj drejtësisë shqiptare, por sidomos ndaj atyre qarqeve që kanë ndikuar hapur për t’i dhënë viston e opozitës, një personi që ka penguar drejtësinë në të gjithë karrierën e tij politike.

Sipas logjikës normale, Perëndimi e di ekzaktësisht se kush ka ndikuar në vendimin përkatës. Ndaj duhet të presim që kjo të bëhet publike, por të ndëshkohën edhe autorët e aktorët.

Sepse Gjykata e Lartë kishte kërkuar një gjykim në themel për legjitimitetin e PD. Legjitimitet që vjen nga baza, nga kërkesa e njerëzve që janë anëtarë të PD-së. Gjë që Apeli as nuk denjoi ta bënte. Por e mori vendimin brenda një pushimi dreke, me bërxolla në gojë.

Ndaj edhe vendimi i sotëm është vetëm fillimi i një zhvillimi të fortë ndërkombëtar. Ku në radhë të parë i drejtohet Lindita Nikollës. E cila sipas informacioneve është bërë gati të mos e djegë mandatin e Sali Berishës. E nëse nuk ndodh kjo, sipas të gjitha gjasave do të digjet Parlamenti. Politikisht është fjala!/Pamfleti

vula e tiranës vula e londrës non grata sali berisha