Ekonomi28 Shtator 2023, 08:44

Forcimi i Lekut, rriten fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Forcimi i Lekut, rriten fitimet e investitorëve të huaj në

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimi në Shqipëri për 6-mujorin 2023 arritën vlerën e 461 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri për periudhën dhe këtë vit ka shënuar nivelin më të lartë historik.

Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për gjysmën e parë të këtij viti u rritën në 89 milionë euro, 62% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 372 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 6.6% krahasuar me një vit më parë. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, qartësisht edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të lidhet me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë, që ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri. Por, padyshim një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të lekut në kursin e këmbimit me Euron. Në mesin e këtij viti, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 10.7%.

Mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.

Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte.

Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 376 milionë euro, pothuajse 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 55% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023./Monitor