
Kur vendi u zhyt në krizë, si rrjedhojë e kufizimeve nga pandemia në fillim të vitit 2020, institucionet ndërkombëtare parashikuan rënie të thellë të ekonomisë me 7-9%. Realiteti rezultoi ndryshe, teksa rënia ishte vetëm 3.5%, e dyta më e ulëta në rajon, pas Serbisë.
Edhe rimëkëmbja ishte e shpejtë, duke treguar në dukje për një elasticitet të lartë të ekonomisë vendase. Në vitin 2021, rritja ishte 8.5%, e dyta në rajon pas Malit të Zi, që vinte pas një tkurrjeje prej 15.3%.
Por, realiteti po tregon se kjo rritje ekonomike nuk arrin të prodhojë mirëqenie. Tre vitet e fundit, pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, në krahasim me një shqiptar.
Paga mesatare bruto për këto vende luhatet midis 800-900 euro në muaj, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë sesa te ne.
“Monitor” përpunoi të dhënat zyrtare të instituteve statistikore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, për pagat mesatare mujore bruto, të cilat janë të disponueshme deri në shtator të vitit 2022. Ndërsa Kosova, të dhënën e fundit të disponueshme e ka në fund të vitit 2021.
Kjo pagë është krahasuar në vlerë nominale (e paindeksuar me inflacionin) me tremujorin e tretë 2019, përpara fillimit të pandemisë.
Mali i Zi ka pagën e dytë mesatare më të lartë në rajon, me 885 euro në muaj në fund të tremujorit të tretë 2022, ndonëse diferenca me vendet e tjera është ngushtuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë (me rreth 14% nga shtatori 2019), sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi.
Serbia është vendi i rajonit, që i ka rritur më shumë pagat në këtë periudhë, me 39%, duke i çuar 880 euro në fund të shtatorit 2022, sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë.
Në Maqedoninë e Veriut, një punonjës paguhet mesatarisht gati 780 euro, ose 29% më shumë sesa në shtator 2019, raporton Zyra e Statistikave të Maqedonisë së Veriut.
Rritje e lartë e pagave është shënuar dhe në Bosnjë-Hercegovinë, duke arritur në 893 euro, më e larta në rajon, me zgjerim 24% nga tremujori i tretë 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë-Hercegovinës.
Rajoni i ka rritur me shpejtësi pagat vitin e fundit. P.sh., në dhjetor 2022, në Bosnjë-Hercegovinë paga mesatare arriti në 935 euro, nga 820 euro që ishte në janar, po të vitit 2022.
Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi ishte 522 euro në shtator 2022, nga 440 euro tre vite më parë, me një rritje prej rreth 19%, sipas INSTAT. (shiko grafikun: Paga mesatare mujore bruto në rajon – euro).
Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka raportuar të dhënat deri në fund të vitit 2021, me pagën mesatare që ishte 484 euro, duke e bërë atë së bashku me Shqipërinë, dy vendet që i paguajnë më pak punonjësit e tyre.
Përgjigjja e pagave të ulëta gjendet te modeli ekonomik i vendit. Numri i sipërmarrjeve të mëdha është relativisht i ulët, produktiviteti çalon, për shkak të mungesës së investimeve në teknologji, ndërsa baza e sigurimit të punës mbetet vetëpunësimi.
Sipas INSTAT, në shtator 2022, përqindja e të vetëpunësuarve në punësimin gjithsej ishte 31.9%, më e larta në Europë, sa dyfishi i Greqisë e Serbisë, që janë përkatësisht të dytët e të tretët pas nesh, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Tregtia me pakicë dhe shërbimet janë dy punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me 24% të totalit, ku kryesisht mbizotëron vetëpunësimi. Ndërtimi është i treti (10.3%), i ndjekur nga tregtia me shumicë (9.6).
Biznesi i kafeve dhe restoranteve është punëdhënësi i pestë më i madh në vend, me 7.8% të totalit. Industria e veshjeve dhe këpucëve, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, gjeneron rreth 9% të vendeve të punës në vend.
Jo rastësisht, të gjithë këta sektorë po vuajnë sot për të gjetur fuqinë punëtore dhe po detyrohen të rrisin pagat, ndërkohë që fuqia blerëse është në rënie, për shkak të emigracionit, duke u futur në një rreth vicioz.
“Mungesa e konkurrencës, nga njëra anë, bashkë me liberalizimin e lartë të tregut të punës dhe mungesën e plotë të rolit rregullator të shtetit, në mbrojtjen e interesave të punëmarrësve, nga ana tjetër, kanë sjellë një problem serioz të natyrës së ekonomisë politike në shpërndarjen e së ardhurës së krijuar, në favor të kapitalit, duke diskriminuar punën”, thotë prof. Selami Xhepa, rektor i Universitetit Europian të Tiranës.
Përndryshe, shton ai, “nëse ekonomia rritet më shpejt në Shqipëri, atëherë dhe pagat duhet të ishin rritur me ritme më të shpejta se në vendet e rajonit.
Rritja ekonomike buron nga rritja e produktivitetit, gjë që nënkupton se puna (sigurisht dhe kapitali) kanë qenë më produktive, në terma relativë”.
Orientimi i kapitaleve të lira drejt ndërtimit është një tjetër faktor që “fryn” rritjen ekonomike, por në fakt, nuk bën asgjë për të rritur produktivitetin dhe njohuritë, duke u bërë realisht pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm në afatin e gjatë. Sipas INSTAT, ndërtimi ka kontribuar mesatarisht në një të tretën e rritjes ekonomike në 2020-2022, i ndihmuar edhe nga kanalizimi i parave informale në këtë sektor. /Monitor
Lini një Përgjigje