TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi10 Korrik 2025, 09:08

Grabitja e pasurisë publike; ka një ‘Bankers’ edhe në mes të Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

 

Grabitja e pasurisë publike; ka një ‘Bankers’ edhe në
Birra Tirana /

Nga afera e naftës me “Bankers” te falimentimi i qëllimshëm i “Birra Tirana”, si u përdor prona kombëtare për pasurim personal dhe si shteti hesht përballë grabitjes me kostum zyrtar...

Arrestimet e krerëve të kompanisë "Bankers" nga policia kanë rihapur një plagë të vjetër dhe të dhimbshme që vazhdon të nxjerrë gjak e qelb prej vitesh, por që asnjëherë nuk është trajtuar seriozisht në debatin publik: dhënia e pasurisë publike personazheve dhe kompanive që kanë përfituar miliarda euro, pa kthyer asgjë në këmbim për shtetin, komunitetin apo shoqërinë.

Asetet publike kombëtare janë një pasuri strategjike e një vendi dhe as në shtetet me kapitalizëm të egër nuk trajtohen si mall pa zot. Në SHBA apo Britani, edhe pse shteti nuk menaxhon drejtpërdrejt pasuritë natyrore, ai ka ndërtuar ligje e mekanizma që jo vetëm nuk i japin ekskluzivitetin kompanive private, por detyrojnë këto korporata të kontribuojnë në komunitet.

Korporata të mëdha shumëkombëshe si Rockefeller, British Petroleum apo "Pesë Motrat" e SHBA-së, përveç taksave të larta, kanë detyrimin ligjor të kontribuojnë në jetën e komunitetit përmes fondacioneve që financojnë shkolla, spitale dhe infrastrukturë. Shtete si Kanadaja, Gjermania apo Franca mbajnë kontroll shtetëror mbi pasuritë natyrore dhe kontratat me privatët janë të rrepta dhe të mbikëqyrura.

Ndërsa në Shqipëri, që prej rrëzimit të komunizmit, pasuritë publike janë plaçkitur nga politikanë, kriminelë dhe kompani fantazmë që nuk kanë qenë tjetër veçse "prestanome" të pushtetarëve. Kompania "Bankers", që mori shfrytëzimin e burimeve të Patos-Marinzës, ka prodhuar sasi të mëdha nafte dhe gazi, por komuniteti nuk ka përfituar asgjë. Asnjë investim, asnjë rikthim në komunitet, asnjë përfitim social.

E njëjta histori përsëritet në Bulqizë me kromin. Pasuria e nëntokës është shfrytëzuar nga oligarkë, politikanë e kriminelë që kanë vrarë e prerë për "ethet e arit", ndërsa çdo muaj regjistrohen viktima në galeritë e mesjetës. Banorët vazhdojnë të jetojnë në varfëri të thellë.

Por kjo "telenovelë" e grabitjes nuk ndalet me burimet natyrore. Industria ushqimore dhe fabrikat e dikurshme publike u shkatërruan sistematikisht. Një nga shembujt më flagrant është Kombinati i Birrës "Tirana", dikur një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.

Në vitin 2000, kur Ilir Meta ishte kryeministër, kjo pasuri publike u refuzua nga investitorët seriozë evropianë dhe iu dha disa "sipërmarrësve vendas" të lidhur me pushtetin. Për pak vite, birraria u shkatërrua. Punonjësit u larguan, teknologjia u braktis dhe detyrimet fiskale u grumbulluan në nivele katastrofike. Në vitin 2022, doli se "Birra Tirana" nuk kishte paguar as sigurimet shoqërore të punonjësve, as tatime, as fatura energjie.

Borxhi ishte aq i madh sa shteti u detyrua të bllokojë aktivitetin dhe ta çojë kompaninë drejt falimentimit. Sot, prodhimi ka ndalur, dhe në sfond fshihet plani për ta kthyer truallin e fabrikës në zona ndërtimi.

Edhe pse si në rastin e "Bankers" apo "Birra Tirana", kemi të bëjmë me evazion masiv dhe shkatërrim të pasurisë publike, askush nuk ndëshkohet. Përkundrazi, ata që kanë në dorë pronat e grabitura, lëvizin të lirë dhe me mbështetje politike.

Kjo është e vërteta e Shqipërisë: shteti nuk i mbron pasuritë e tij, por i jep me koncesion klientëve dhe miqve të pushtetit. Dhe kur vjen dita e bilancit, janë qytetarët që paguajnë faturën./Pamfleti

birra tirana bankers

Lini një Përgjigje