TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi27 Nëntor 2025, 14:27

Kriptomonedhat, një lavatriçe gjigante e pastrimit të parave

Shkruar nga Abdelhak El Idrissi & Spencer Woodman

Kriptomonedhat, një lavatriçe gjigante e pastrimit të parave

Specialistja kundër pastrimit të parave, Pamela Kleg, e sheh këtë promovim të papritur si një provë se platforma është ”e lidhur me një grup kriminal, që duhet të heqë qafe paratë e gatshme”

Fillimisht një projekt utopik i themeluar mbi idealet e decentralizimit dhe transparencës, kriptovalutat duket se kërcënojnë tani hapur luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit. Ky është përfundimi në të cilin mbërrin “The Coin Laundry”, një hetim nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ), i cili bashkon 37 media, përfshirë Le Monde.

Shkaku kryesor qëndron tek problemet e paraqitura nga bursat, portat fizike dhe dixhitale që lidhin botën e kriptovalutave me sistemin financiar tradicional, duke lejuar që asetet dixhitale të shkëmbehen me para në dorë dhe anasjelltas.

Problemi i kriptomonedhave bazohet mbi një paradoks: nga njëra anë, nuk ka një sistem më transparent se ai, sepse të gjitha transaksionet regjistrohen publikisht në blockchain (një mekanizëm që gjurmon çdo ndryshim të pronësisë së kriptomonedhave); nga ana tjetër, është jashtëzakonisht i errët, sepse pronarët e portofoleve (ekuivalenti i një numri llogarie bankare) mund të mbeten anonimë, për sa kohë që fondet mbeten brenda këtij sistemi.

Identifikimi i përdoruesit mbështetet ekskluzivisht tek bursa, të cilat supozohet të veprojnë si roje kur hyjnë ose dalin paratë. Por, ndërsa në sistemin financiar tradicional bankat janë të detyruara të verifikojnë identitetin e klientëve dhe të monitorojnë flukset financiare të dyshimta, shumë bursa ofrojnë shërbimet e tyre për klientët, pa bërë as verifikimin më të vogël, duke përfituar nga boshllëqet në ligj në vende të caktuara ose duke shkelur hapur rregullat në vende të tjera.

Një shembull i qartë i kësaj situate janë “bankomatet kripto” - makineri automatike që shkëmbejnë kriptovaluta me para në dorë (dhe anasjelltas) brenda disa sekondash dhe pa kërkuar ndonjë shpjegim - tani të përhapura në të gjithë botën.

Në Francë, disa makineri të tilla u instaluan disa vite më parë në dyqanet ushqimore në Paris dhe Lilë. Por këto instalime janë të paligjshme sepse u bënë nga individë të paidentifikuar, dhe nuk u autorizuan nga autoritetet franceze.

Policia dhe xhandarmëria franceze sekuestruan dy pajisje të tilla në vitin 2024, kur një hetim gjyqësor zbuloi midis përdoruesve trafikantë droge dhe viktima të mashtrimeve romantike, të cilët donin t’i jepnin para një të dashuri virtual.

“Këto pajisje, mund të përdoren për të bërë pagesa të menjëhershme dhe anonime për këdo, madje edhe për organizatat terroriste”- paralajmëron një ekspert në këtë fushë.

Por edhe pse fenomeni mbetet ende periferik në Francë, shumë vende të tjera autorizojnë ose tolerojnë sisteme që bien haptazi ndesh me vetë themelet e sistemit kundër pastrimit të parave të ndërtuar gjatë dekadave të fundit.

Në Ukrainë, gazetarët e ICIJ vizituan disa bankomate ku është e lehtë të tërheqësh mijëra dollarë në para të gatshme, duke u identifikuar vetëm me një pseudonim në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ky shërbim është veçanërisht popullor tek hakerat në rajon, duke u lejuar atyre të konvertojnë në para të gatshme shpërblimet e paguara në kriptomonedha nga grabitja e viktimave të hakerimit në të gjithë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, platforma si “60Sek”, u ofrojnë mbajtësve të kriptomonedhave një shërbim dorëzimi parash me korrier në qytetet kryesore të vendit. Në Dubai, shumë dyqane ofrojnë shkëmbime të fshehta të kriptomonedhave për shufra ari.

Në emirate, ju mund të paguani për mallra dhe shërbime direkt në kriptomonedha, nga qiraja e jahteve deri tek blerjet e vilave luksoze. Ndërsa fshehtësia financiare, ishte dikur karakteristikë e sistemeve komplekse dhe të shtrenjta të bazuara në parajsa fiskale, këto shërbime janë sot të arritshme me një telefon dhe për një tarifë modeste.

Ky mekanizëm, krijon hapësirë për organizatat kriminale dhe mashtruesit e të gjitha llojeve që të pastrojnë të gjitha fondet e tyre të fshehura. “Sasia e parave që rrjedhin nëpër këto ATM është absolutisht e pabesueshme. Ne nuk i dimë kush i përdor ato ose pse”- shprehet i shqetësuar Nik Smart, kreu i sigurisë në “Crystal”, një kompani holandeze e specializuar në analizën e transaksioneve të kriptomonedhave.

“Chainalysis”, një kompani tjetër në këtë sektor, vlerëson se në vitet 2024-2025 “të paktën 28 ​​miliardë dollarë të lidhura me aktivitete të paligjshme”, do të kenë kaluar nëpër bursa. Në fund të tetorit të këtij viti, një bursë online e quajtur “001k” u bëri klientëve një “ofertë speciale”: 10.001 dollarë në para të gatshme për ekuivalentin e 9.757 dollarëve në kriptovaluta.

Specialistja kundër pastrimit të parave, Pamela Kleg, e sheh këtë promovim të papritur si një provë se platforma është ”e lidhur me një grup kriminal, që duhet të heqë qafe paratë e gatshme”. Për rrjetet e trafikimit të drogës, kriptovalutat janë vërtet një mënyrë e mirë për të zhdukur paratë e gatshme që fitojnë nga trafikimi i tyre, që janë më të vështira për t’u transportuar se sa asetet dixhitale.

Më pas, ata mund të konvertojnë shuma të mëdha në vendin e zgjedhur prej tyre, siç është Dubai, dhe t’i investojnë ato sipas dëshirës. Edhe bursat e mëdha online nuk janë imune ndaj këtyre problemeve. Në Francë, Binance është në qendër të një hetimi gjyqësor për dështim, sipas prokurorisë së Parisit, për të “përmbushur detyrimet e saj mbikëqyrëse në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Dyshohet se ajo lehtëson pastrimin e “shumave të nxjerra nga krime të ndryshme, veçanërisht trafikimi i drogës dhe mashtrimi tatimor”, për shkak të mangësive të saj në identifikimin e klientit, i ashtuquajturi sistemi “Njih Klientin Tënd” (KYC).

Për autoritetet franceze, kjo është një çështje shumë e rëndësishme: kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin me autoritetet, platformat duhet të përmbushin të njëjtat standarde si aktivitetet tradicionale financiare.

“Ne duhet të eliminojmë rrjetet më pak të sigurta, dhe të mbajmë vetëm ato më të besueshmet, në mënyrë që të kemi një sektor të fuqishëm kriptomonedhash në vend të një Perëndimi të Egër” - thotë një prokuror.

Megjithatë, ky qëllim mbetet ende i largët, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Binance, e cila deri më tani ishte një nga të paktat bursa që bashkëpunonte në mënyrë aktive me ligjin.

Sipas informacionit të marrë nga “Le Monde” dhe gazeta të tjera të përfshira në hetim nga burime gjyqësore në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Zvicër, platforma nuk ofron më të gjitha të dhënat që ka në dispozicion, por thjesht u përgjigjet kërkesave nga autoritetet gjyqësore në lidhje me banorët ose qytetarët e vendit që i kërkojnë ato.

Kjo e ndërlikon më tej punën e hetuesve, të cilët janë “plotësisht të varur nga këto platforma që supozohet të jenë ofrues të besuar”, siç pranoi njëri prej tyre.

As konteksti ndërkombëtar nuk duket i favorshëm për rregullimin e bursës. Në Shtetet e Bashkuara, të cilat deri më tani kanë qenë në ballë të hetimeve kundër platformave të mëdha, presidenti Donald Trump i ka lehtësuar kontrollet duke e bërë rregullimin më pak detyrues, teksa ka falur ish-drejtorin ekzekutiv të Binance, Changpeng Zhao, i dënuar në vitin 2023 për një rast masiv të pastrimit të parave.

Por, ndërsa sinjalet e dërguara nga amerikanët po e ndërlikojnë më tej luftën kundër pastrimit të parave, hetuesit duhet të përballen tashmë edhe me kërcënime të reja. E para është Monero, një kriptomonedhë shumë popullore në mesin e kriminelëve.

Duke u reklamuar si “e sigurt, private, e pakontrollueshme dhe e aftë të ruajë konfidencialitetin e parave tuaja”, ajo premton të fshehë identitetin e përdoruesve dhe origjinën e fondeve të tyre. Këto karakteristika, kanë çuar në ndalimin e saj në platformat kryesore, përfshirë Binance, në shtator 2024.

Armiku i dytë i hetuesve është përdorimi i “përzierësve”, pra i qendrave të kleringut, ku një përdorues mund të shkëmbejë një kriptomonedhë me një tjetër me të njëjtën vlerë, duke “e prishur kështu gjurmueshmërinë”, që teorikisht ofrohet nga zinxhiri i blockchain-it.

Është gati e pamundur të dihet se kush i drejton këta “përzierës”, të cilët nuk shërbejnë për asnjë qëllim tjetër përveç anonimizimit të transaksioneve. Në qershor të këtij viti, parlamenti francez iu referua këtyre mjeteve në lidhje me “ligjin për trafikimin e drogës”, duke e zgjeruar përkufizimin penal të pastrimit të parave në transaksionet e kryera me ndihmën e mjeteve të anonimizimit.

Duke pasur parasysh pamundësinë e identifikimit të përdoruesve të këtyre platformave, sistemi i drejtësisë do të jetë ende në gjendje të sekuestrojë shpejt fondet e mbajtura në Monero ose të kaluara përmes këtyre mekanizmave.

Ky është një ngushëllim i vogël, në një kohë kur sistemi i drejtësisë i jep përparësi strategjisë së “goditjes së kriminelëve aty ku u takon”./Përgatiti Pamfleti nga "Le Monde"

kriptomonedhat

1 Komente

  1. Z
    Zgjohuni

    Kriptomonedhat piramidat e shekullit te ri. Pra nje marri e ligjshme e veshur me pushtet, pa kufi e me c’do forme e cmim qe ushqen vec djallin.

    Lini një Përgjigje