
Ndërsa Podgorica heq dorë nga akciza për të gjithë fermerët, Tirana vazhdon me lojën e kuotave selektive dhe naftës me “mik” për bujqësinë...
Mal i Zi u jep naftën bujqve pa përjashtime, ndërsa Shqipëria i mban peng me kuota, burokraci dhe klientelizëm
Ndërsa qeveria e Malit të Zi njofton se do t’u rikthejë bujqve të drejtën për rimbursim akcize për naftën e përdorur në bujqësi, një praktikë që ishte e parashikuar në ligj por kurrë e zbatuar, Shqipëria vazhdon të ushqejë një skemë burokratike, të paqartë dhe shpesh selektive për shpërndarjen e naftës së subvencionuar për fermerët.
Ministria e Financave në Podgoricë ka futur për konsultim publik projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Akcizat, duke shpallur zyrtarisht se bujqit do të përfitojnë kthimin e akcizës për karburantin që përdorin për mekanikën bujqësore. Një masë që ka qenë në letër prej vitesh, por që më në fund po kthehet në realitet falë presionit të protestave dhe përputhjes me standardet e Bashkimit Europian. Kostoja për buxhetin publik? Vetëm 1.1 milionë euro në vit, një shumë minimale për një efekt të drejtpërdrejtë në prodhimin bujqësor dhe ekonominë rurale.
Në të kundërt, Shqipëria vijon të operojë me një sistem të “naftës pa akcizë” që më shumë është një makinë propagande sesa një mbështetje reale për bujqësinë. Skema e shpërndarjes funksionon me aplikime digjitale, ku fermerët duhet të regjistrohen për të përfituar kuotat e tyre vjetore. Por ky sistem është shpeshherë selektiv dhe i manipuluar, ku përfituesit zgjidhen mbi bazë afërsie politike, ndikimi lokal apo interesa klienteliste.
Fermerët e vërtetë, që nuk janë pjesë e rrjeteve të partisë, nuk arrijnë të marrin kurrë sasinë e naftës që u takon. Të tjerë, që kanë njohje apo janë pjesë e rrethit të pushtetit, përfitojnë shumëfishin e nevojave reale, në dëm të sektorit dhe të drejtësisë ekonomike.

Kjo qasje selektive jo vetëm që dëmton bujqësinë shqiptare, një sektor që tashmë po përballet me shpopullimin, mungesën e tregut dhe konkurrencën e pandershme të importeve, por edhe minon besimin e qytetarëve tek institucionet. Nafta për bujqësinë nuk mund të jetë privilegj. Duhet të jetë një e drejtë universale për çdo fermer aktiv, pa dallim zone, partie apo lidhjesh personale.
Mali i Zi, ndonëse me buxhet dhe kapacitete më të vogla se Shqipëria, po jep një shembull politikash të barabarta dhe realisht mbështetëse për prodhimin vendas. Shqipëria, që pretendon të jetë lider në Ballkan për reformat agrare dhe dixhitalizimin, po dështon aty ku rëndon më shumë: tek barazia dhe funksionimi i shtetit për qytetarët.
Në këtë dritë, nuk është thjesht një çështje teknike e politikës fiskale. Është një çështje e thellë drejtësie ekonomike, moraliteti shtetëror dhe funksionimi të barabartë të ligjit./Pamfleti
Lini një Përgjigje