Plani për të ndaluar paratë cash deri në fund të dekadës do të jetë i vështirë për t’u realizuar në një vend që nuk u beson bankave.
Në një vend ku paraja në dorë është mbret, ambicia e Kryeministrit Edi Rama për ta bërë Shqipërinë pa para fizike deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht shoqërinë.
Prej vitesh, shqiptarët kanë preferuar të mbajnë paratë nën jastëk, pranë kallashit të tyre AK-47, siç thotë një shaka kombëtare, në vend që t’i depozitojnë në banka. Por nëse Rama e arrin synimin e tij, Shqipëria do të bëhej ekonomia e parë në botë pa para fizike.
Një pjesë e madhe e arsyes për këtë është fakti që shumë transaksione aktualisht ndodhin “nën dorë”. Eliminimi i parasë në dorë “është një përparësi absolute për vendet me nivel të lartë informaliteti dhe me sasi destabilizuese parash të paligjshme në sistemin financiar,” tha Selami Xhepa, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës.
Problemi është se sistemi bankar dhe shoqëria mund të mos jenë gati për këtë hap të madh.
Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet jashtë sistemit bankar, duke fshehur kartëmonedhat dhe duke këmbëngulur për pagesa vetëm me para fizike kurdo që të jetë e mundur.
Madje edhe në udhëzuesit turistikë për Shqipërinë, fraza “cash is king” (paraja në dorë është mbreti) shpesh del si këshillë për vizitorët. Edhe pse shumica e dyqaneve të mëdha apo restoranteve të mëdha pranojnë karta, kafetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë e telefonisë dhe dyqanet ushqimore nuk i pranojnë.
Në një dyqan veshjesh në qendër të Tiranës, kur gazetarët e POLITICO tentuan të paguanin me kartë dixhitale, shitësja u shpreh e hutuar dhe pyeti: “cash?”
E njëjta histori ndodhi në një taksi dhe në autobus, kur kontrollori bëri një batutë dhe përsëriti me zë më të lartë: “40 lekë.”
Qeveria qendrore me orientim të majtë dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkruante si “një ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën (pa përmendur humbjen në të ardhurat nga taksat).
Vlerësimet tregojnë se ekonomia gri, ajo pjesë e ekonomisë që nuk regjistrohet në statistikat zyrtare, përbën midis 29 për qind dhe 50 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Spiro Brumbulli, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i tha POLITICO-s se qeveria dhe institucionet do të hartojnë një plan për të përgatitur rrugën drejt një shoqërie pa para fizike, me hapat e ardhshëm që përfshijnë vendosjen e një tavani për blerjet me para fizike, integrimin në sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor, dhe implementimin e pagesave të menjëhershme SEPA pas kësaj.
Trauma bankare shqiptare
Një nga problemet është se shqiptarët thjesht nuk i pëlqejnë bankat. Një sondazh i fundit nga Shoqata Shqiptare e Bankave zbuloi se vetëm 34 për qind e popullsisë u beson atyre. Banka Botërore raportoi se më pak se 50 për qind e shqiptarëve kanë një llogari bankare.
Banka e Shqipërisë thotë se 78 për qind “kanë akses” në një llogari bankare, më pak se mesatarja evropiane prej 96 për qind.
Jo të gjithë janë të bindur se plani ka kuptim.
Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike të opozitës dhe ish-zëvendëskryeministër, i tha POLITICO-s se përpjekja për të mbyllur zonat gri të ekonomisë duke ndaluar paranë në dorë ishte “si të vrasësh pula me artileri”. Ai e quajti këtë ide një “sulm ndaj lirisë personale të mbajtësve legjitimë të kartëmonedhave.”
Ai pranoi se bankat shqiptare mund të jenë “të ngathëta dhe të shtrenjta,” por rregullimi më i mençur dhe më shumë konkurrencë nga platformat online të parave dhe kriptovalutat do të ishin rrugë më të mirë sesa ndalimi i parasë në dorë. Ai kishte pak shpresë se një shoqëri pa para fizike do të ulte pastrimin e parave.
Erald Kapri, deputet i sapozgjedhur i Partisë së Qendrës së Djathtë “Mundësia”, i tha POLITICO-s se dyshonte se pas kësaj fshihej politikë.
“Është një nga ato idetë e Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të larguar fokusin nga problemet reale të vendit, si korrupsioni apo kostoja e lartë e jetesës,” tha ai.
Trauma post-komuniste
Shkuarja drejt një shoqërie pa para është një politikë që po shqyrtohet nga shumë vende të zhvilluara, si Suedia, Estonia dhe Irlanda. Por Shqipëria është një çështje tjetër dhe skepticizmi publik është i kuptueshëm.
Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me “kompanitë e investimeve”, nisën të shfaqeshin dhe të premtonin norma interesi të pamundura deri në 19 për qind për depozitat.
Disa firma u rritën shpejt në më shumë se 25, dhe në kulmin e çmendurisë, një në gjashtë shqiptarë kishte investuar para, shpesh të gjithë kursimet e jetës, në skemat piramidale. Investitorët e hershëm merrnin pagesa bujare, por këto u bënë më të vogla dhe më të rralla ndërsa sistemi rrëzohej nën peshën e vet.
Në janar të vitit 1997, firmat e para nisën të falimentojnë, duke nxitur shqiptarët të përpiqeshin të tërhiqnin fondet në masë, duke krijuar një cikël të egër falimentimesh të tjera. Në mars, vendi u përfshi nga kaosi, dhe rebelimi kishte nisur. Ushtarët dhe policët braktisën postet, dhe turma të zemëruara e të rrënuara akuzuan qeverinë se kishte dështuar t’i ndalte mashtrimet dhe madje kishte përfituar prej tyre.
Rreth 2,000 njerëz u vranë në përplasjet mes qytetarëve dhe autoriteteve, si dhe nga bandat që kishin armatosur veten me mbi një milion armë të grabitura nga depot shtetërore. Në total, humbën rreth 1.2 miliardë dollarë, sa gjysma e PBB-së së vendit në atë kohë.
Ky periudhë shkaktoi valë migracioni, e ktheu vendin mbrapa për vite me radhë në zhvillim dhe shkatërroi besimin e qytetarëve ndaj institucioneve bankare dhe shtetit.
Banka të shtrenjta
Gjatë gati tre dekadave që nga ajo kohë, bankat nuk kanë arritur të rikthejnë besimin.
Një pjesë e problemit, sipas Xhepës, është se bankat nuk ofrojnë shumë përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo dekurajon njerëzit nga hapja e llogarive dhe përdorimi i kartave bankare apo transfertave dixhitale.
Shumica “kanë mbajtur norma interesi diskriminuese,” tha ai.
“Të larta për kreditë dhe shumë të ulëta për kursimet.Pagesat ndërkombëtare gjithashtu kanë pasur tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët.”, shtoi ai.
Pagesat dixhitale të brendshme ndërmjet bankave shqiptare kanë tarifa të larta transaksioni (kostoja e dërgimit të 500 eurove shkonte deri në 50 euro ), ndërsa normat për forma të tjera të transaksioneve janë po aq të kushtueshme.
Normat e këmbimit bankar midis lekut dhe euros janë gjithashtu famëkeqe për pasqyrimin e dobët të tregut.Edhe në dyqane, bizneset kundërshtojnë tarifat që duhet të paguajnë deri në 3.5 për qind për çdo transaksion me kartë.
Brumbulli nga Shoqata e Bankave, tha se disa biznese madje tarifojnë klientët më shumë nëse paguajnë me kartë.
Kjo u shërben bizneseve për të shmangur taksat, pasi pagesat me para në dorë shpesh nuk regjistrohen në arkë.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nuk pranoi të komentojë.
Ndërsa ambicia për ta bërë Shqipërinë pa para fizike deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi ende varet nga futja e një infrastrukture dixhitale pagese me kosto të ulët dhe me akses të lehtë potencialisht duke përfshirë një monedhë dixhitale të bankës qendrore ose një platformë kombëtare për pagesa të menjëhershme.
Edhe pse Banka e Shqipërisë ka studiuar monedhat dixhitale dhe stablecoinet, një lloj kriptomonedhe, si mjete të mundshme, nuk ekziston ende një plan zyrtar. Pa një plan të qartë për këto mekanizma, plani i Ramës rrezikon të mbetet vetëm aspiratë./ Politico.eu
Lini një Përgjigje