
Bashkimi Europian kundërshton draftin që pritet të votohet në Parlament lidhur me “paqen fiskale”. Kritika kryesore e Bashkimit Europian ka të bëjë me pastrimin e parave.
Në një reagim për Top Neës, delegacioni i BE-së në Tiranë thotë se është i shqetësuar për “dekurajimin e respektimit të detyrimeve tatimore” si dhe vë theksin te forcimi i masave për të luftuar pastrimin e parave.
“Komisioni Evropian ka diskutuar propozimin për “Paqen Fiskale” me autoritetet shqiptare, përfshirë edhe në takimin e Nënkomisionit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet më 25–26 nëntor. Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e respektimit të detyrimeve tatimore dhe përsëriti nevojën për të vendosur masa të forta kundër pastrimit të parave në propozim, ndërsa vijon angazhimi për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore. Ne presim që këto shqetësime të adresohen.
Ne rikujtojmë më tej se Pozicioni i Përbashkët i BE-së për Themeloret nënvizon rëndësinë që Shqipëria të sigurojë që “amnistitë e mundshme dhe programet e pajtueshmërisë vullnetare tatimore të jenë në përputhje me planet e vendit dhe të avancojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe të jenë në harmoni me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare përkatëse, si ato të vendosura nga Moneyval dhe FATF””, tha delegacioni i BE-së.
Ky është reagimi i dytë kundër draftit të propozuar nga Qeveria, pas atij të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Edhe kjo e fundit shqetësimin kryesor ka pastrimin e parave, por edhe cënimin e konkurencës së ndershme.
Lini një Përgjigje