
Nisma e qeverisë për fshirjen e detyrimeve dhe marrëveshjet tatimore selektive, në qendër të kritikave; bizneset kërkojnë transparencë dhe trajtim të barabartë...
Nisma për “Paqen Fiskale”, pjesë e paketës fiskale të qeverisë për vitin 2026, po has gjithnjë e më shumë kundërshti nga partnerët ndërkombëtarë dhe grupet e interesit. Pas vërejtjeve të drejtpërdrejta nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që paralajmëroi se fshirja e borxheve dhe marrëveshjet e individualizuara mund të dëmtojnë moralin fiskal, sot edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ka dalë hapur me kritika.
Në një tryezë të zhvilluar sot me pjesëmarrjen e bizneseve, Alketa Uruçi nga Dhoma Amerikane vuri në dukje se marrëveshjet tatimore që parashikohen në kuadër të “Paqes Fiskale” po krijojnë një klimë pasigurie dhe perceptim për trajtim të pabarabartë mes bizneseve. “Ka shumë ankesa nga anëtarët tanë për mënyrën si funksionojnë marrëveshjet tatimore. Subjektet që operojnë me korrektësi po penalizohen, ndërsa të tjerët përfitojnë nga marrëveshje të dyshimta. Kjo nuk është klimë që nxit investimet”, tha ajo.
Dhoma ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e transparencës në platformën e Tatimeve, praktikat abuzive me TVSH-në dhe penalizimet e pakuptimta ndaj operatorëve të energjisë. Sipas saj, administrata tatimore shpesh përdor artifica për të mos rimbursuar TVSH për investimet, ndërkohë që qasja selektive ndaj subjekteve po krijon një treg të pabarabartë.
“Praktikat e administratës tatimore me TVSH janë shumë të gabuara. Dy raste po përmend, rimbursimi i TVSH për rastet e investimeve në turizëm apo industri, ku administrata tatimore gjen artifica për të mos kredituar TVSH për bizneset që po bëjnë një investim. Kjo është një barrë e rëndë për investimet”, tha Uruçi.”
“Paqja Fiskale”, siç është parashikuar në projektbuxhetin 2026, përfshin fshirjen e detyrimeve të vjetra, rivlerësimin e deklarimeve me norma preferenciale tatimi dhe marrëveshje vullnetare me Tatimet. Por partnerët ndërkombëtarë kanë theksuar se kjo mund të përkthehet në amnisti të fshehur fiskale për klientë të afërt me pushtetin, duke dëmtuar seriozisht konkurrencën e ndershme dhe besimin e investitorëve.
FMN e ka bërë të qartë se qeveria shqiptare duhet të përqendrohet në forcimin e administratës tatimore, zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e informalitetit, jo në falje kolektive apo marrëveshje të errëta.
Lini një Përgjigje