Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Dosti, një figurë e njohur e së djathtës shqiptare në vitet e para të pluralizmit.
Tomor Dosti lindi në Gjirokastër në vitin 1930 dhe ishte djali i ish-ministrit Hasan Dosti. Jeta e tij u shënua nga përndjekja politike gjatë regjimit komunist. Pas largimit nga vendi të babait dhe vëllait të tij, familja u përball me represion të ashpër. Nëna e tij u pushkatua nga gjermanët në ditën e largimit nga Tirana, ndërsa pjesa tjetër e familjes u persekutua.
Në vitin 1953 ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg me akuzën për “tentativë arratisjeje”. Dënimin e vuajti kryesisht në burgun e Burrelit, ku mbaheshin edhe shumë figura të njohura të jetës politike dhe intelektuale shqiptare. Pas lirimit nga burgu, familja e tij kaloi edhe vite të gjata internimi.
Me rënien e regjimit komunist, në vitin 1991, Dosti iu bashkua Partisë Demokratike, duke kontribuar në konsolidimin e strukturave të saj, veçanërisht në jug të vendit. Së bashku me figura të tjera të njohura të së djathtës si Pjetër Arbnori, Leka Tota, Uran Butka, Ajet Rusi dhe vëllai i tij Leka Dosti, ai ndihmoi në formësimin e profilit politik të partisë në vitet e para të pluralizmit.
Në fillimet e saj ai mbajti edhe postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Dosti u zgjodh deputet në dy legjislatura, nga viti 1991 deri në vitin 1996. Në vitin 1998 ai u tërhoq nga politika aktive.
Ai dhe të tjerë të djathtë si Petrit Kalalula, në gjithë strukturën e PD nga qendra në bazë, u përdorën në fillimet e pluralizmit si fasadë, por të kamufluar faktin se edhe pse në krye të saj u delegua nga Ramiz Alia, një sekretar i PPSh si Berisha, kjo do ishte medemek një parti "e djathtë" konservatore dhe do përfshiheshin aty edhe nga shtresa e të persekutuarve politikë dhe ishpronarëve të cilësuar 'kulakë'. Dhe deri në vitin 1996 kjo funksionoi disi. Kur nga kjo kategori në nivelet e larta të PD reaguan ndaj mënyrës së drejtimit të Berishës dhe synimeve të tij për ta përdorur Partinë si një mjet për pushtetin e tij absolut, ai me metoda stalinisto-enveriste i përjashtoi ata duke i etiketuar 'kolaboracionistë' dhe 'karrikethyer', duke e katandisur PD në derexhenë që e shohim sot.