Gazetari Lutfi Dervishi u shpreh se Partia Socialiste ndodhet në një nga momentet më të vështira të mandatit të saj të katërt, duke theksuar se shumica po përcjell “mesazhe mbijetese” dhe jo mesazhe qeverisëse.
Në një intervistë për “A2 CNN”, ai deklaroi se këto mesazhe lidhen kryesisht me raportin me organet e drejtësisë.
“Mesazhe mbijetese në kuptimin e raportit me organet e drejtësisë. Janë mesazhe të dyfishta edhe nga mbledhja e grupit parlamentar bashkë me ministrat”, tha Dervishi.
Sipas tij, brenda shumicës ekziston një mendësi e rrënjosur se “ligji është shumë i mirë, por s’ka punë me mua”, duke e cilësuar të papranueshme për mazhorancën afrimin e prokurorisë. Ai shtoi se një tjetër argument që përdoret është fakti se reforma në drejtësi është ndërmarrë nga vetë qeveria dhe se ajo ka mbështetjen e 83 mandateve.
Dervishi kritikoi edhe qasjen ndaj ligjit dhe institucioneve. “Kushtetutën, ligjin, rregulloren, kodet, të gjitha këto i shohin si pengesa drejt objektivit që i kanë vënë vetes dhe jo si hartë që duhet ta ndjekin dhe ta respektojnë”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, narrativa e shumicës nuk është përmirësimi i qeverisjes, por reagimi ndaj hetimeve.
“Narrativa është pse po na godasin… nuk po thonë që s’kemi bërë gjë, po thonë po na bini pak fort”, deklaroi Dervishi, duke shtuar se pakënaqësitë nuk kufizohen vetëm te opozita, por shtrihen edhe te mbështetësit socialistë, për shkak të asaj që ai i quajti “afera korruptive të paimagjinueshme”.
Ai u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria kishte një mundësi të rëndësishme që, sipas tij, nuk u shfrytëzua.
“Shqipëria kishte një moment të artë dhe quhej avangardë për integrimin… Çfarë ndodhi befas që Brukseli… u kthye retorika dhe nuk u shfrytëzua, por u kthye mbrapsht deri në mesazhin që do të stopojmë hapat?”, tha Dervishi.
Në përfundim, ai theksoi se mesazhet e fundit nga Brukseli kanë qenë “kaq të drejta, kaq brutale dhe kaq të drejtpërdrejta dhe kaq me presion”, duke lënë të hapur nevojën, sipas tij, për reflektim nga ana e shumicës.
Ky dervishi nuk e kupton ramwnnuk i ve faj se nuk e kupton askush Me te gjith tall menderen Kush w kuoton sgpejt e peson!.