Është rritur numri i protestuesve të shoqëruar nga Policia e Shtetit pas përplasjeve të zhvilluara paraditen e së enjtes para Kuvendit.
Burime nga policia bëjnë me dije se deri më tani janë shoqëruar 18 protestues, të cilët dyshohet se janë përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë tubimit.
Protesta u shoqërua me tensione të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit. Në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin e situatës, policia përdori autobot me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas ndërhyrjes së policisë, një grup protestuesish reagoi duke sulmuar një automjet të Policisë së Shtetit. Ata përdorën një gardh metalik për të goditur mjetin, duke thyer xhamat e tij dhe shkaktuar dëme materiale.
Sipas të njëjtave burime, gjatë përplasjeve kanë mbetur të lënduar edhe shtatë efektivë policie, të cilët po marrin ndihmë m,ekësore.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të çanin kordonin e sigurisë të vendosur rreth Kuvendit, ndërsa gjatë incidenteve u hodhën gurë, vezë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit. Policia pritet të japë një bilanc zyrtar mbi ngjarjet dhe masat e marra ndaj personave të përfshirë në dhunë.
Lini një Përgjigje