TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-07-08 12:13:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore, ku nder te tjera vecojme:

Kryeministri Edi Rama në Ankara për Samitin e NATO-s, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte dhe pritet të zhvillojë bisedime me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Në fokus të aleancës janë siguria, Ukraina dhe rritja e shpenzimeve ushtarake, ndërsa Donald Trump kërkoi më shumë kontribut nga aleatët evropianë dhe rihapi debatin për heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë.

Në Shqipëri, SPAK ka dërguar për gjykim 15 persona të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar mbi 8 tonë drogë nga Amerika Latine drejt Evropës. Në një tjetër operacion, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi një efektiv të Policisë së Shtetit në Fushë-Krujë, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe lidhje me lojërat e paligjshme të fatit.

Nga politika vendase, Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar përshpejtimin e rigjykimit të çështjes së tij, duke argumentuar se vonesat po cenojnë mandatin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, mungesa e fuqisë punëtore po sjell rritje të numrit të të huajve në tregun shqiptar. Gjatë vitit 2025 u miratuan mbi 18 mijë kërkesa punësimi për shtetas të huaj, me rritje të ndjeshme të punëtorëve nga Filipinet dhe India.

Në arenën ndërkombëtare, tensionet SHBA-Iran janë përshkallëzuar. Forcat amerikane goditën mbi 80 objektiva iraniane pas akuzave për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Teherani paralajmëroi kundërpërgjigje.

Në Francë, Marine Le Pen konfirmoi kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pasi një vendim i Apelit i lejoi rikthimin në garë pavarësisht fajësisë për çështjen e fondeve të Parlamentit Evropian.

Në sport, janë përcaktuar çerekfinalet e Botërorit 2026, me përballje të forta si Francë-Marok, Spanjë-Belgjikë, Norvegji-Angli dhe Argjentinë-Zvicër.

Ndërkohë, një avion cargo Boeing 737-400 është zhdukur nga radarët gjatë fluturimit nga Sharjah drejt Karaçit. Në bord ndodheshin pesë anëtarë ekuipazhi dhe autoritetet pakistaneze kanë nisur kërkimet në Detin Arabik.

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje