TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2026-02-22 16:07:00

“Hidhi sendet

Shkruar nga Pamfleti

“Hidhi sendet

Një 20-vjeçar u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret pasi hyri në perimetrin e sigurisë së rezidencës Mar-a-Lago të presidentit Donald Trump, në Palm Beach, Florida. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, deklaroi se i riu ishte në të 20-at dhe me origjinë nga Karolina e Veriut. Ai ishte raportuar i zhdukur nga familja disa ditë më parë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ishte larguar nga Karolina e Veriut drejt jugut të vendit, duke marrë me vete një pushkë. Kutia e armës është gjetur në automjetin e tij. Shërbimi Sekret bëri me dije se identiteti i tij nuk do të publikohet deri në njoftimin e familjarëve më të afërt.

Si ndodhi përplasja me forcat e sigurisë?

Sipas autoriteteve, i dyshuari ka hyrë me automjet në portën veriore të Mar-a-Lago-s, duke përfituar nga momenti kur një mjet tjetër po dilte nga kompleksi. Në vendngjarje ka ndërhyrë menjëherë një agjent i Shërbimit Sekret, i cili është përballur me të riun.

Sherifi i Qarkut Palm Beach, Rick Bradshaw, konfirmoi gjatë një konference për shtyp se ka pasur shkëmbim fjalësh mes agjentëve dhe të dyshuarit. Sipas tij, oficerët i kanë kërkuar që të hidhte sendet që mbante.

“Fjalët që i thamë ishin: ‘Hidhi sendet’”, deklaroi Bradshaw, duke sqaruar se bëhej fjalë për një bidon me benzinë dhe pushkën që mbante me vete.

Sipas sherifit, i riu fillimisht uli bombolën e gazit, por më pas drejtoi armën në drejtim të oficerëve, çka çoi në përdorimin e armës nga ana e forcave të sigurisë. Nuk është bërë ende e ditur se sa të shtëna janë qëlluar, pasi kjo mbetet pjesë e hetimit në vijim.

Bradshaw konfirmoi se agjentët e Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach janë të pajisur me kamera trupore, të cilat pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të incidentit.

Lini një Përgjigje