TAGS-AT E JAVËS

Kronike2026-06-30 13:28:00

Akuzohet për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, vetëdorëzohet në polici Marjaldo Nela 

Shkruar nga Pamfleti
Akuzohet për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj,
Viktima Endri Goxhaj

Marjaldo Nela, një nga personat e shpallur në kërkim për vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhajt në Memaliaj, është vetëdorëzuar në polici pas rreth dy muajsh arrati.

Nela akuzohet për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 21 prillit në qendër të Memaliajt, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari Endri Goxhaj.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, konflikti nisi spontanisht mes shtatë personash, të cilët nuk rezultonin pjesë e grupeve rivale. Në përleshje u përfshinë më pas edhe Dali Nela, vjehrri i tij Aldo Kalemi, si dhe persona të tjerë.

Gjatë konfliktit, Endri Goxhaj dyshohet se nxori një armë zjarri dhe qëlloi katër herë në drejtim të Dali Nelës, duke e plagosur.

Sipas Prokurorisë, në momentin që panë vëllanë e tyre të rrëzuar në tokë, Donaldo dhe Marjaldo Nela nxorën armët dhe qëlluan ndaj Goxhajt, i cili humbi jetën në vend. Hetuesit thonë se pamjet filmike tregojnë se 30-vjeçari nuk arriti të përdorte armën për t'u kundërpërgjigjur kur u qëllua nga dy vëllezërit.

Pas ngjarjes, Donaldo dhe Marjaldo Nela transportuan me automjet vëllanë e tyre të plagosur drejt Spitalit të Gjirokastrës dhe më pas u larguan, duke u shpallur në kërkim nga policia si autorët e dyshuar të vrasjes.

Për këtë dosje, Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Dali Nelën, Aldo Kalemin dhe Ermal Matajn. Ky i fundit akuzohet për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës", pasi dyshohet se ka fshehur armën e përdorur në ngjarje.

Me vetëdorëzimin e Marjaldo Nelës, hetuesit pritet ta marrin në pyetje për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit dhe rolin e secilit prej të përfshirëve. Ndërkohë, në kërkim vijon të mbetet vëllai i tij, Donaldo Nela. 

marjaldo nela endri goxhaj vrasja e endri goxhajt ne memaliaj

Lini një Përgjigje