AMP ka arrestuar kryekomisarin Stilian Pasho, pasi akuzohet për trafik droge...
Policia e shtetit duket se është zhytur kokë e këmbë në krim. SPAK ka treguar se shefat e komisariateve u japin informcioneve bandave, por duket se ata janë të përfshirë drejtpërdrejt në trafiqe e krime.
Pak më parë ka rënë në pranga Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, kryekomisari, Stilian Pasho, pasi akuzohet për trafik droge.
Ai ka shfrytëzuar postin duke lejuar kalimin e drogës nga persona të lidhur me të. Dy ditë më parë u kapën 26 kg drogë nga policia greke dhe pas hetimeve rezultoi se i përfshirë ishte zyrtari i policisë së Korçës.
"Nga veprimet hetimore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezulton e provuar se Kryekomisar S. P., me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. (Lorenco Lika) të kalojë kufirin në PKK Kashticë pa ju nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, si dhe duke urdhëruar vartësit e tij për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e këtij shtetasi. Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e policisë Greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi–Shqipëri, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin Grek", njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Lidhur me këtë ngjarje ka reagur dhe vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili si gjithmonë krenohet me opercionet, por nuk ka firmosur asnjë ndryshim policor, ndonëse e di se shumica e shefave janë me doje në prokurori.
“Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Shërbimeve te Kufirit ne Drejtorine Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për pëfshirje në “Trafikim të narkotikëve”. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Përgëzime dhe vetëm përpara”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje