TAGS-AT E JAVËS

Kronike2026-04-30 11:15:00

Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet shqiptari në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet shqiptari
Foto Ilustruese

Një operacion i policisë kufitare italiane ka çuar në arrestimin e një 36-vjeçari shqiptar në aeroportin ndërkombëtar “Malpensa” në Milano. Sipas autoriteteve, ai ishte shpallur në kërkim me urdhër-arresti për tentativë vrasjeje, ndërsa përballet edhe me akuza të tjera, përfshirë armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në mallra të vjedhura.

Hetimet nisën pas një episodi të ndodhur më 13 prill, kur i dyshuari tentoi t’i shmangej policisë duke u larguar me vrap sapo vuri re një patrullë. Ai u përpoq të humbiste gjurmët duke u përzier me pasagjerët dhe duke hequr veshjen e jashtme, përpara se të largohej me automjet.

Identifikimi i tij u bë i mundur përmes analizës së kamerave të sigurisë dhe përdorimit të bazave të të dhënave policore, të kombinuara me teknologjinë e njohjes së fytyrës.

Autoritetet bëjnë me dije se ndaj tij rëndon edhe një vendim gjyqësor me dënim prej një viti e një muaji burg, ndërsa hetime të tjera vijojnë. Gjatë verifikimeve, policia gjurmoi edhe kontaktet e tij, duke identifikuar një grua dhe një fëmijë të lidhur me të, të cilët kishin mbërritur së fundmi nga Baku.

Arrestimi u krye në momentin kur 36-vjeçari po i priste në zonën e mbërritjeve të aeroportit. Gjatë kontrollit personal dhe të automjetit, u sekuestrua një armë zjarri tip “Beretta” kalibër 7.65 mm me numër serial të fshirë, një karikator me fishekë dhe një fishek i vendosur në tytë, të fshehura mes sendeve personale.

Po ashtu, policia gjeti pajisje të dyshuara për kryerje vjedhjesh, pajisje elektronike si GPS dhe telefona celularë, si dhe dy palë targa të falsifikuara. Njëra prej tyre dyshohet të lidhet me një tentativë grabitjeje në zonën e Cuneos.

Në përfundim të operacionit, i dyshuari u dërgua në burgun e Busto Arsizio, ku do të qëndrojë në pritje të vendimeve të mëtejshme nga autoritetet gjyqësore.

tentative vrasjeje arrestim shqiptar itali

Lini një Përgjigje