Bardhi dhe Berisha asnjëherë bashkë në aktivitete, kreu i PD e shmang në Itali...
Ndonëse duket sikur konfliktet kanë marrë fund brenda PD, duket se situata nuk është edhe aq e qetë.
Nëse shihen me kujdes qëndrimet, ka një ndarje të fortë mes grupit të Gazment Bardhit dhe pjesës dërrmuese që mbështet Sali Berishën. “Primaret” janë rasti më i fundit ku emra si Bardhi, Tabaku, Sula, etj., kanë qenë skeptikë për këtë proces.
Por një element interesant është se prej shumë kohësh Gazment Bardhi dhe Sali Berisha nuk janë shfaqur bashkë në ndonjë aktivitet.
Zgjedhjet po afrojnë dhe shënjestra është kthyer nga diaspora. Sali Berisha ka nisur disa takime jashtë, ku sot ka mbajtur takimin e dytë në Itali. Fillimisht pati një takim në Romë dhe sot është ndalur në Parma.
Ajo që vihet re është se Berisha në këto takime nuk ka preferuar të shoqërohet nga Gazment Bardhi, i cili është kreu i grupit. Berisha në të dyja evenimentet ka mbajtur pas vetes Flamur Nokën, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm. Po ashtu e kanë shoqëruar Agron Gjekmarkaj apo Edi Paloka, njëri nënkryetar dhe tjetri kryetar i Këshillit Kombëtar. Kreu i grupit ka munguar.
Kushdo mund të mendojë se punët janë të ndara, por interesantja është se Bardhi sot ndodhet në Itali. Ai ka njoftuar një takim në Lombardi nesër dhe është krah të Jorida Tabakut. Duhet theksuar se ai bashkë me Tabakun kanë pasur dhe disa takime në SHBA. Pra, duket sikur kemi një ndarje klanore. Bardhi-Tabaku dhe të tjerët janë të veçuar nga grupi i Berishës.
Po ashtu dhe në aktivitetet që ka mbajtur Berisha në vend, sërish nuk është parë asnjëherë krah Bardhit. Edhe në Kuvend Bardhi duket sikur është spostuar. Më parë ishte ai që debatonte me mazhorancën, por tani e ka marrë topin Berisha, ndërsa Bardhi ka dalë jashtë loje.
Sinjalet janë se mund të kemi një rindezje të debateve mes dy grupeve pas zgjedhjeve. Vetëm Bardhi është në listë të sigurt më 11 maj, ndërsa gjithë të tjerët do futen në Primare dhe pas kësaj nuk dihet se ku do përfundojnë, te lista e hapur apo te e mbyllur. Kjo do varet nga planet që ka Berisha për të ardhmen, pasi nëse ka vendosur të mos largohet nga PD në rast humbje, me gjasë shumë besnikë të Bardhit nuk do e gjejnë veten në atë sallë Parlamenti. Berisha me shumë mundësi do forcojë rrethin e ngushtë, për t’i bërë ballë çdo lloj “kryengritje”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje