TAGS-AT E JAVËS

Politike2026-07-14 10:50:00

Bojkoti i seancave, Tabaku i

Shkruar nga Pamfleti
Bojkoti i seancave, Tabaku i
Jorida Tabaku

Nga diskutimet mes deputetëve rezulton se vendimi nuk duket të ketë qenë i përbashkët, pasi disa prej tyre kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj mospjesëmarrjes në Kuvend.

Debati për bojkotin e seancave parlamentare ka nxjerrë në pah krizën dhe qëndrimet e ndryshme brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Nga diskutimet mes deputetëve rezulton se vendimi nuk duket të ketë qenë i përbashkët, pasi disa prej tyre kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj mospjesëmarrjes në Kuvend.

Deputetët që kundërshtojnë bojkotin argumentojnë se, pas 13 vitesh në opozitë, është e qartë se kjo strategji nuk ka sjellë rezultatet e synuara, por ka penalizuar vetë opozitën. Sipas tyre, seanca plenare mbetet hapësira më e rëndësishme për të denoncuar qeverinë, për të ngritur shqetësimet e qytetarëve dhe për të ushtruar opozitarizëm.

Një prej deputeteve që kundërshtoi bojkotin ishte edhe Jorida Tabaku, e cila e cilësoi Kuvendin si të vetmen platformë publike që opozita ka në dispozicion për debat dhe përballje politike. Ajo rikujtoi se në historinë e opozitarizmit të PD, vendimet për bojkot kanë sjellë vetëm pasoja negative.

Jorida Tabku: Përshëndetje kolegë, Në çdo rast, unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne të vetmen platformë publike që ne kemi për debat! E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat! Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje! Nesër është një nga ditët ku raportojnë një sërë institucionesh dhe ka hapësirë për të gjitha temat që janë beteja të opozitës!

Ndërkohë deputetja Ina Zhupa theksoi se edhe në mbledhjen e mëparshme shumica e diskutuesve ishin kundër bojkotit, duke vënë në pah se bojkoti nuk ishte një vendim shumice.

Ina Zhupa: Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mosshkuarjes në seancë, po atë ditë vajti edhe vonë dhe s’kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë e ligjeve tona që nuk futen (si këto 13 vjet) nuk shkon, se nesër s’ka ligje fare në rendin e ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet, siç thotë Bujari, me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie në shtator në seancë dhe s’di çfarë të mire na sjell si opozitë parlamentare!!! Edhe në dijeninë time janë edhe dy komisionet që u mbaron afati, zgjedhore dhe territoriale, që edhe nëse zgjaten dhe nëse mbyllen, do të jetë vendimmarrje e seancës plenare. Gjithsesi, si ta gjykohet më e mira për opozitarizmin.

Edhe deputeti Bujar Leskaj e konsideroi të gabuar mospjesëmarrjen në seancë, duke argumentuar se opozita humbet mundësinë për të ngritur çështje që lidhen me institucionet dhe zhvillimet politike.

Bujar Leskaj: Për mendimin tim, kjo është gabim. Sipas kësaj vendimmarrjeje, ne nuk do të flasim për KQZ-në (votimet e manipuluara në diasporë – 2025), ILD-në (mbrojtësen e korrupsionit në gjyqësor), AMF-në, BQ-në, INSTAT-in, si edhe për kryefjalën, mbështetjen e protestës qytetare?!? Cili është kuptimi, ideja, mesazhi? Gjithsesi, klm!

Kujtojmë se opozita bojkotoi seancën plenare të së hënës, edhe pse në rendin e ditës ishin parashikuar diskutime dhe raportime nga një sërë institucionesh të rëndësishme kushtetuese.

Gjatë seancës u paraqitën raportet vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit.

Ndryshe nga Partia Demokratike, forcat e tjera opozitare zgjodhën të mos e bojkotonin seancën. Deputetët e Partisë Mundësia dhe të Lëvizjes Bashkë morën pjesë normalisht në punimet e Kuvendit, duke qenë të pranishëm në diskutimet parlamentare.

deputetet e pd i dalin kunder berishes

Lini një Përgjigje