
Osmani i ka kujtuar Vuçiçit se serbët në veri po torturohen nga vetë Beogradi, teksa solli në vëmendje rastin e opozitarit Sanduloviç, i cili i rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb, pasi vendosi lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga regjimi i Millosheviçit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar raportit gjashtëmujor për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë dhe Metohi, deklaroi se Kosova 25 vjet pas luftës është duke shkëlqyer në aspektin demokratik.
Osmani thotë se këto arritje i dëshmojnë raportet e Transparency international dhe Freedom House. Ndërkohë që theksoi se Kosova është ndër vendet më pro BE-së dhe SHBA-së në botë.
“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë presidentja.
Kryetarja e shtetit deklaroi gjithashtu se ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb jo veç që është shënuar në historinë e vendit, por është shndërruar në pikënisje për historinë e njerëzimit.
“Ky intervenim nga NATO jo veç që ishte për ndërtim të paqes, por parimisht dhe më me rëndësi ka qenë për mbrojtjen e jetëve të njerëzve dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga persekutimet dhe vrasjes. Intervenimi ka vënë në pah se kur një nga ne është në rrezik është rrezik për të gjithë ne. Kjo na ka përkujtuar për veprimin si forcë e përbashkët për drejtësi dhe për mbrojtjen e jetës së njeriut”, ka thënë Osmani.
Në përgjigje të pretendimeve të Vuçiçit për keqtrajtimin e serbëve në veri, Osmani tha se pretendimet e Serbisë janë të pabaza dhe gënjeshtra të sajuara. Sipas saj, Kjo narrativë është shpërberë nga Komiteti i Helsinkit e deri te Parlamenti i Europës.
“Pretendimet e Serbisë për pastrim etnik të serbëve janë të rrejshme dhe të pabaza. Këto narrativa janë diskredituar nga Komiteti i Helsinkit deri te Parlamenti i Evropës. Shteti i Kosovës jo vetëm që mbron por edhe promovon të drejtat e serbëve dhe të gjitha komuniteteve tjera”, tha ajo.
Më tej Osmani i ka kujtuar Vuçiçit se serbët në veri po torturohen nga vetë Beogradi, teksa solli në vëmendje rastin e opozitarit Sanduloviç i cili i rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi vendosi lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga shteti serb.
Osmani, ka akuzuar Serbinë se ajo ka qenë ndezësja e agresionit ndaj Kosovës, duke përmendur këtu rastin e rrëmbimit të policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve kosovarë dhe sulmin në Banjskë.
Ajo deklaroi se autoritetet serbe janë përgjegjëse për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit pasi autorët e sulmit qarkullojnë lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiçit.
“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara...Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë...Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.
Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbajtën nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim ditën e djeshme.
Vlen të përmendet se Osmani gjithashtu u paraqit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit së bashku me 4 gra të dhunuara nga regjimi i Millosheviçit gjatë luftës, si një provë për krimet e luftës nga serbët.
Ajo tregoi historitë e dhimbshme të grave të dhunuara, teksa theksoi se edhe pas kaq shumë vitesh, ato po presin drejtësi për atë që kanë përjetuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje