Forum 5 Shtator 2023, 15:25

Autokrat apo liberal, përpara kujt po e mbron veten Kryeministri?

Shkruar nga Enton Abilekaj
Autokrat apo liberal, përpara kujt po e mbron veten Kryeministri?
Edi Rama

Pavarësisht se është krenar për Inceneratorët dhe Sterilizmin që deri tani kanë kushtuar më shumë se 200 milionë euro, Kryeministri është i kujdesshëm të tregojë se është aq liberal sa nuk e di fare se si i kanë bërë procedurat vartësit dhe, si rrjedhim, nuk ka asnjë pjesë në përgjegjësinë penale, të cilën të kapurit duhet ta mbajnë në kurriz.

Duke dëgjuar Kryeministrin në Asamblenë e PS, dukej sikur i vetmi ndryshim i domosdoshëm në qeveri, ishte shkarkimi i Edi Ramës. Aq shumë e akuzoi veten për golemizimin e bregdetit në Jug, për fshatrat turistikë që janë bërë lagje banimi në vend të ishin resorte dhe hotele, për mungesën e investimeve të mëdha të huaja në turizëm, sa edhe opozita, edhe SPAK, duhet të mbanin shënime.

Në fund shkarkoi një investitore strategjike, që si detyrë nuk kishte hotelerinë, por përgatitjen e takimit të Këshillit të Sigurimit në OKB, të cilën, jo për faj të saj, e la në mes.

Shkarkimi i Ministres së Jashtme në kulmin e përgatitjeve për aktivitetin më të rëndësishëm ndërkombëtar vetëm sa konfirmon se ministrat nuk kanë asnjë rëndësi në qeverinë personale të Edi Ramës.

Megjithëse gjatë fjalimit programatiko - propagandistik, u mundua të mblidhte dëshmitë e bashkëpunëtorëve të tij se nuk është autokrat, se debaton hapur me stafin dhe jo gjithmonë del ajo që do ai, në fund, në arbitraritetin që mund ta kishte zili edhe Putini, u komunikoi fatin e jetës personave, pa u dhënë as shpjegimin minimal. Mbrojtja që u mundua t'i bëjë sjelljes prej autokrati, nuk kishte asnjë lidhje me partinë, asnjë lidhje me ata që do i bënte kurban për të freskuar imazhin e tij me konsum 25-vjeçar, as me publikun që prej kohësh identifikon shtetin me pushtetin dhe institucionet me Edi Ramën.

Mbrojtja e tij për shpërndarjen e vendimmarrjes, për pavarësinë e ministrave në vendimmarrje, është një dëshmi e pakërkuar për Drejtësinë, është argumentim i tezës "përgjegjësia është personale". Pavarësisht se është krenar për Inceneratorët dhe Sterilizmin që deri tani kanë kushtuar më shumë se 200 milionë euro, Kryeministri është i kujdesshëm të tregojë se është aq liberal sa nuk e di fare se si i kanë bërë procedurat vartësit dhe, si rrjedhim, nuk ka asnjë pjesë në përgjegjësinë penale, të cilën të kapurit duhet ta mbajnë në kurriz.

Madje ua preu shpresat se do t'i mbronte në përballjen me Drejtësinë, jo se nuk mundet, por se nuk do të bëjë pis flamurin e PS me bajgat e korrupsionit të atyre që nuk kanë dëgjuar këshillat e prindërve.

Dhe sikur për një moment të besohet se Kryeministri është liberali që nuk duket, në vend të autokratit që duket, sikur të harrohet që raporti i tij me respektin për ligjin, ka qenë i tillë edhe në Bashkinë e Tiranës, edhe sikur të mos dihet se një drejtori e auditit të brendshëm që quhet Drejtoria Antikorrupsion, ndodhet në Kryeministri dhe duhet të funksiononte sidomos në rastet e akuzave dhe ankimimeve, edhe sikur të merret e mirëqenë se nuk i ka dëgjuar kurrë akuzat e opozitës dhe nuk i ka lexuar raportet e Departamentit të Shtetit apo të Komisionit Europian për nivelin e lartë të korrupsionit në të gjithë nivelet, apo investigimet e mediave serioze që po konfirmohen nga SPAK, përgjegjësia politike e Kryeministrit nuk mund ta lejonte atë që vazhdonte detyrën.

Sepse në 2013 erdhi me premtimin që do luftonte korrupsionin dhe sot Shqipëria është vendi më i korruptuar në Rajon, se raportet e Uashingtonit dhe Brukselit flasin për korrupsion endemik në të gjitha nivelet dhe sot ka në burg gjysmën e qeverisë dhe në kërkim numrin 2 të qeverisë. Dhe, nëse dje pranoi se e ka autoritetin të ndërhyjë ne SPAK, por nuk ka ndërmend ta ushtrojë për të tjerët, kjo e bën në të thjeshtë për të kuptuar pse asnjë hetim nuk është ngjitur deri tek ai.

Nëse përgjegjësia penale është personale, nëse ai nuk ka urdhëruar apo nxitur asnjë ministër që të firmosë për Inceneratorët apo sterilizimin, përgjegjësia politike i takon atij që premtoi se do ta luftonte korrupsionin dhe pas 10 vjetësh e ka shndërruar në praktikë pune, ekonominë e zezë e ka formalizuar. Po të miratojë ligjet që ka në sirtar, nuk kemi parë gjë akoma.

autokrat liberal kryeministri