Ish-presidenti serb paralajmëron për implozion politik nëse Vuçiç refuzon zgjedhjet. Studentët më të pjekur se opozita...
Ish-presidenti i Serbisë dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadić, ka dhënë një intervistë të drejtpërdrejtë për “Danas”, ku godet hapur regjimin e Aleksandër Vuçiçit, të cilin e akuzon për shkatërrim të demokracisë dhe kapje të shtetit. Sipas Tadić, vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila mund të zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Për gjashtë muaj me radhë, qytetarët kanë qenë në rrugë duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të studentëve. Përgjigjja e regjimit ka qenë dhunë, përfshirë përdorimin e armëve sonike ndaj protestuesve në Novi Sad. Nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve,” – tha Tadić.
Ai e përshkruan refuzimin e zgjedhjeve nga ana e pushtetit si “refuzim të mundësisë së fundit për zgjidhje institucionale”, që do të nënkuptonte një “pushtim të hapur të shtetit”.
Duke kujtuar që SNS kur ishte në opozitë, kërkonte zgjedhje me greva urie, Tadić thekson se sot qytetarët dhe studentët kërkojnë zgjedhje pas një vale të gjatë protestash për jetët e humbura nga tragjedi që kanë tronditur vendin.
Implozioni si pasojë e bllokimit të politikës
Tadić paralajmëron se mungesa e jetës politike dhe represioni sistematik ndaj opozitës dhe mediave kanë krijuar një presion social që rrezikon të shpërthejë në forma të tjera, nëse nuk lejohet kanalizimi institucional i krizës. “Nëse nuk ka politikë, do të ketë implozion shoqëror,” paralajmëron ai.
Sipas tij, çdo refuzim nga Vuçiç për të pranuar zgjedhjet do të ishte pranim se ka humbur legjitimitetin dhe se nuk mund ta rikuperojë dot më përmes votës.
Zgjedhje edhe me kushte të padrejta
I pyetur nëse është realiste të flitet për zgjedhje në kushtet e tanishme ku ekziston rreziku i manipulimit, Tadić kujton se as më 5 tetor 2000 nuk pati kushte të ndershme, por regjimi u rrëzua. Ai thekson se “energji, vullneti, guximi dhe strategjia janë më të rëndësishme se vetë kushtet”.
Studentët më të organizuar se opozita
Tadić nuk kursen kritikat ndaj opozitës tradicionale, të cilën e akuzon për mungesë bashkimi edhe në këtë krizë. Në kontrast me ta, ai vlerëson studentët si më të përgjegjshëm dhe të bashkuar.
“Studentët, pavarësisht mospajtimeve të brendshme, kanë dalë me kërkesa të qarta dhe të bashkuara. Ndërsa opozita, edhe në këto kushte, nuk ka treguar gatishmëri për unifikim,” përfundon ai./Pamfleti
Lini një Përgjigje