Forum27 Mars 2023, 13:40

E para fjalë-burg

Shkruar nga Frrok Çupi

E para fjalë-burg

Këta që kanë në dorë qeverinë, kanë në dorë edhe gjykatën, edhe prangat. Shteti për shkak të mosndarjes së pushteteve, nuk mund të ndryshojë nga autarkia dhe diktatura. Cilido qoftë në krye të një shteti të ndërtuar kaq keq, do të ishte një qeverisës i dhunshëm.

Dje, mjetet qeveritare të informimit brohoritën se “në Shqipëri ka demokraci  dhe liberalizëm”, duke paraqitur si argument faktin se anëtarët opozitarë të komisionit të zgjedhjeve nuk do të burgosen nëntë vjet, por vetëm tre. Dy ditë më parë po këta kishin shkruar e thënë se “kemi një qeveri zemërmirë, ndaj i burgos opozitarët vetëm deri nëntë vjet”. Fjalimet e udhëheqësve të shtetit janë të mbushura me pendesën pse në zgjedhjet e kaluara nuk ekzistonte ligji për të burgosur opozitarët bojkotues, etj.

Megjithatë, pa asnjë merak, mbas 26 e 28 Majit, burgjet u mbushen me opozitarë. Në përgjithësi, aksioni politik i shtetit, është i dominuar nga hija e burgut.

Çfarë po ndodh kështu!?

Shpjegimi i parë:     

Këta që kanë në dorë qeverinë, kanë në dorë edhe gjykatën, edhe prangat. Shteti për shkak të mosndarjes së pushteteve, nuk mund të ndryshojë nga autarkia dhe diktatura. Cilido qoftë në krye të një shteti të ndërtuar kaq keq, do të ishte një qeverisës i dhunshëm.

Aq më tepër, kur kemi të bëjmë edhe me vetë persona dhe karaktere që vërtisin nëpër dhëmbë vetëm fjalën burg.

Cilët janë këta?

Po t’i hedhësh një sy piramidës së shtetit, do të shikosh se është mbushur me këto dy kategori njerëzorë:

E para janë të burgosurit e periudhës së diktaturës komuniste.

Kategoria e dytë janë komunistët e vijës më të ashpër të komunizmit.

Të dyja kategoritë bashkohen në pikën kulmore: Burg.

Kategoria e parë, që vuajti burgjeve për shumë vite, çuditësisht është aq “e sinqertë” me natyrën e vet, saqë kërkon të punojë në drejtoritë e burgjeve. Drejtorët dhe gardianët e burgjeve të tanishëm, janë ish- të burgosur të diktaturës. (Një përshtatje makabre e dy personaliteteve brenda individit). Kategoria e dytë është kategoria e komunistëve ekstremistë, (ku hyn edhe vetë Berisha aq i ashpër si sekretar partie). Kjo e hap burgun si një metodë qeverisëse.

Shpjegimi i dytë: Harbutëria dhe inferioriteti rrinë bashkë.

Në  konstitucionin moral të kombit ka hyrë apostulati se “frikacaku të sulet”. Kundër opozitës po përdoret mjeti më i fortë. Mjeti më i fortë ka brenda psikologjinë e të dobëtit, kompleksin e inferioritetit. Shteti po ndien inferioritet.

Qeveria, e pa votuar nga shumica; (tri herë gjate 4 vjetëve ka humbur votëbesimin e të qeverisurve); e ndodhur nën presionin e aktit të vet të terrorizimit të votës; e ndodhur nën presionin e korrupsionit  dhe të goditjes së individualizmit  të individit; tani ndihet në inferioritet. Pret të humbasë edhe privilegjet e fituara.  Prandaj ndodhet në kushtet e të burgosurit që pret të thotë fjalën “Liri”.  Shikon vetëm fjalën e vet “burg”

Pjesë nga libri: “E pashë shtetin duke rënë”

Një retrospektivë e viteve të nxehta 1994 – 1997 nëpërmjet syrit të një analisti

 

 

frrok cupi