Sot, “luftohet” për imazhin dhe zhurmën; sakrifica reale, sprova e rrezikut, aktet heroike janë zhdukur. Gjithçka është bërë e pambuktë, e lehtë, bosh.
Sot po jetojmë në një epokë ku imazhi po fiton terren mbi vlerën. Kjo nuk është më thjesht një prirje kulturore, por një krizë e thellë shoqërore.
Shoqëria, e ndërtuar historikisht për të mbrojtur individin, po largohet gjithnjë e më shumë nga ky funksion themelor.
Nuk është vulgariteti i fjalës dhe fjalori i e ulët ajo që trazon më shumë, por qetësia e frikshme me të cilën ajo pranohet.
Nuk është paraqitja ajo që turbullon, por fakti që ajo po mbyt thelbin dhe po shpallet si vlerë.
Kjo që po ndodh nuk është e padukshme. Atë e shoh personalisht çdo ditë.
Në auditorë.
Te studentët.
Te brezat e rinj që vijnë me gjithnjë e më pak besim te vetja dhe gjithnjë e më shumë të etur për aprovimin e të tjerëve.
Shohim njerëz që kërkojnë njohje, jo për atë që janë, por për reagimin që mund të provokojnë.
Shohim një uri për vëmendje, e cila ka zëvendësuar nevojën për kuptim.
Shohim se si vlera personale po matet gjithnjë e më pak me përgjegjësi dhe gjithnjë e më shumë me dukje, me pamje me spektakël.
Kjo nuk është vetëm çështje e femrës, as vetëm e mashkullit.
Është çështje e njeriut të formuar nga një shoqëri që ka ngatërruar ekzistencën me shfaqjen, që ka kthyer qenien në maskë.
Historikisht, burrat vlerësoheshin dhe fitonin autoritet përmes guximit dhe sakrificës: për mbrojtjen e jetës, familjes dhe territorit.
Sot, gjithnjë e më shpesh, kërkohet njohje e vlerësim jo për kontribut apo përgjegjësi, por për t’u dukur.
Dikur, njohja e reputacioni vinin nga qëndrimi dhe fitorja që nuk kishte nevojë për spektakël.
Sot, “luftohet” për imazhin dhe zhurmën; sakrifica reale, sprova e rrezikut, aktet heroike janë zhdukur. Gjithaçka është bërë e pambuktë, e lehtë, bosh.
Sipas të njëjtës logjikë, shumë gra po mësojnë ta matin vlerën e tyre nga shikimi i tjetrit, jo nga vetëdija e brendshme për kufijtë dhe dinjitetin e tyre.
Në të dy rastet, humbja është e njëjtë: dinjiteti zëvendësohet me aprovimin.
Kur njeriu ndihet mirë vetëm sepse dikujt i tërheq vemendjen, ai fillon të humbasë autonominë morale dhe forcën e brendshme.
Vlera që varet nga jashtë nuk është vlerë. Është varësi, robëri e maskuar.
E në kësi rastesh nuk flasim për dështim individual.
Na shfaqen gabime të vetë edukimit shoqëror, mungesë reflektimi shoqëror.
Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore që më shqetëson edhe si profesoreshë edhe si qytetare:
- Çfarë ndodhi me shoqërinë që u krijua për të mbrojtur individin?
Kontrata shoqërore nuk ishte një akt romantik; ishte akt mbijetese.
Shoqëria u ndërtua për t’i dhënë individit siguri, dinjitet dhe kufij mbrojtës ndaj dhunës, arbitraritetit dhe forcës së verbër.
Por sot,
ajo që duhej të ishte mburojë, po shndërrohet në presion të padukshëm, që shkel mbi dinjitetin;
ajo që duhej të ishte strukturë mbrojtëse, po kthehet në mekanizëm shfrytëzimi dhe manipulimi.
Pikërisht, kjo është metamorfoza reale e epokës sonë. Jo thjesht një figurë letrare, por një realitet institucional, normativ dhe gjuhësor.
Shoqëria, në vend që të formojë individë të lirë dhe të përgjegjshëm, po prodhon njerëz të varur nga aprovimi, të frikësuar nga përjashtimi dhe të gatshëm të zvogëlojnë veten për t’u përshtatur.
Degradimi që shohim në fjalorin që përdoret, në marrëdhënie dhe në mënyrën si kërkohet vlerësimi dhe fama, nuk është rastësor.
Ai është simptoma e një shoqërie që po konsumon vetveten, po gërryhet nga brenda, duke shkatërruar thelbin njerëzor.
Problemi nuk është trupi, as bukuria, as dëshira.
Problemi është kur këto bëhen matësit e vetëm të njohjes dhe vlerësimit njerëzor.
Një shoqëri e shëndetshme nuk i mat njerëzit nga zhurma apo dukja, por nga përgjegjësia që marrin dhe nga kufijtë që respektojnë.
Nëse kjo shoqëri vazhdon ta quajë emancipim zvogëlimin e njeriut, atëherë ajo ka humbur jo vetëm drejtimin, por edhe arsyen e ekzistencës së saj.
Sepse shoqëria,
nuk u krijua për të na detyruar të përshtatemi duke humbur veten,por
për të na mbrojtur që të mund të ekzistojmë me dinjitet, integritet dhe liri.
Kur institucionet, normat dhe gjuha prodhojnë frikë, varësi dhe vetëbraktisje,
kemi kaluar nga KONTRATA SHOQËRORE NË TRADHTI SHOQËRORE.
Dhe tradhtia më e rrezikshme nuk është ajo që imponohet me dhunë, por ajo që normalizohet në heshtje e shndrohet në zakon.
Në këtë pikë, të flasësh nuk është provokim.
Është përgjegjësi njerëzore, detyrë morale dhe akt qytetar.
Lini një Përgjigje