Forum24 Qershor 2024, 12:52

Historiani disident rus: Rusia synon barazinë me Perëndimin, por në fund do të behet partnerja e vogël e Kinës

Shkruar nga Pamfleti

 

Historiani disident rus: Rusia synon barazinë me Perëndimin, por
Boris Akunin /

Ndërsa regjimi i Vladimir Putinit e etiketon si terrorist dhe ekstremist, duke e ndjekur penalisht dhe vendosur në listën e më të kërkuarve, historiani bestseller Boris Akunin vazhdon të shkruajë. Vëllimi i 10-të i “Historisë së shtetit rus”, që mbulon periudhën 1917-1953, u ndalua të botohet në Rusi. Akunin flet për “The Insider” mbi censurën e veprave të tij,  çfarë e bën Putinin të ndryshëm nga Stalini, dhe si mund të përfundojë lufta në Ukrainë.

A ka ndikuar lufta aktuale në përmbajtjen e librit tuaj?

I shtova një pjesë pasthënies, ku nxirren përfundimet kryesore: ”Lufta gjeopolitike midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik mbi zonat e ndikimit, konkurrenca midis 2 ekonomive dhe gara e armatimeve, që diktuan zhvillimet në vitet 1950, 1960, 1970 dhe 1980.

Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia e viteve 2020 do të përpiqet të rikthejë madhështinë e dikurshme. Historia që po shpaloset sot para syve tanë, është një vazhdim logjik i ngjarjeve që ndodhën një shekull më parë. Është një degë e pemës që hodhi rrënjë në vitin 1917. Ne po korrim sot atë që u mboll atëherë.

Libri juaj nuk mund të blihet në Rusi, të paktën jo zyrtarisht. A keni marrë ndonjë reagim pavarësisht ndalimit?

Lexuesit më shkruajnë gjatë gjithë kohës. Shumë duan që të paraqesin vizionin e tyre për një ngjarje të caktuar historike apo të debatojnë mbi vizionin tim. Kjo është e pritshme, dhe ky është efekti që kam shpresuar të nxis. Njerëzit kthehen vazhdimisht tek e kaluarën e afërt, duke kërkuar shpjegime dhe përgjigje.

Në librin tuaj, ju përmendni modelin e “Hordhisë së Artë” të Perandorisë Mongole, që po përdoret sërish si metoda më efikase për të kontrolluar një hapësirë ​​të gjerë dhe heterogjene. Pse po ndodh kjo me Rusinë?

Ajo është një strukturë qeverisëse shumë elastike, dhe në një farë mënyre shumë logjike. Çdo përpjekje historike për ta ndryshuar ka sjellë një krizë. Ndaj në fund është rivendosur gjithmonë. Hera e fundit që ndodhi ishte pas kaosit të viteve 1990, pikërisht para syve tanë. Problemi është se ky sistem nuk duhet të rikthehet, ai duhet të çmontohet tërësisht. Shteti rus duhet të bëhet një federatë reale, jo nominale. Ose një konfederatë. Derisa të ndodhë kjo, do të ketë probleme.

Ju flisni për një “dritare mundësish”, për një trajektore të përthyer përgjatë së cilës evoluon historia. A ka pasur ndonjë të tillë në Rusinë post-sovjetike?

Sigurisht. Dhe mund t’ju jap dy shembuj. Në vitin 1994, Rusia u përball me një dilemë: ta lejonte Çeçeninë të shkëputej apo të dërgonte trupa atje. Pasi u zgjodh rruga e dytë, u vu në lëvizje mekanizmi i rivendosjes së perandorisë, duke shkaktuar shtypjen e pashmangshme të lirive. Në vitin 1999, një zgjedhje e ngjashme u bë kur Rusia nisi një luftë tjetër në Çeçeni dhe vendosi në ish-agjent të KGB si pasues të presidentit Yeltsin. Kjo kthesë është arsyeja pse unë nuk ndaj nostalgjinë popullore të liberalëve për Boris Yelstin. Të dyja zgjedhjet janë vepër e tij.

Sipas jush, në vitin 1917 Rusia u përball me një zgjedhje midis diktaturës së majtë dhe asaj të djathtë. A është e saktë të supozohet se Rusia zgjodhi atëherë diktaturën e majtë, dhe ka zgjedhur tani autoritarizmin e djathtë?

E gjithë periudha e sundimit të Putinit nuk është një kthesë, por një rikthim gradual në modelin fillestar të një shteti autoritar që nuk mund të jetë federatë, ku s’ka ndarje pushtetesh, media të lirë dhe gjykata të pavarura. Ne kemi ecur mbrapsht, jemi rikthyer në vitin 1985. Gjithçka që u mbetet është të kthejnë në vathë republikat sovjetike, dhe po punojnë për këtë.

Por, a mund ta konsiderojmë Rusinë e Putinit si vazhdimësi të Rusisë së Leninit?

Jo e Rusisë së Leninit, dhe kjo është e sigurt. Lenini nuk donte të rivendoste perandorinë; ai donte të nxiste një revolucion global. Putini vazhdon jo vetëm kursin e Brezhnevit dhe Stalinit, por edhe të dinastisë cariste Romanov. Edhe një herë po rikthehet treshja “Ortodoksi, autokraci, kombësi”, dhe teza e “Romës së Tretë”, bastioni global i vlerave reaksionare dhe konservatore.

Disa kanë cilësuar Stalinin dhe Putinin si “burra mediokër, të vegjël”...

Unë nuk mendoj se Stalini dhe Putin janë mediokër. Sado që i urrej, them se të dy janë politikanë jashtëzakonisht të talentuar. Ata janë njëlloj sa i përket ambicieve të tyre megalomane dhe lehtësisë me të cilën i bindin njerëzit (edhe pse Putini s’ka të krahasuar me Stalinin në këtë drejtim).

Megjithatë, të dy kanë një ndryshim të madh si sundues. Stalini ishte i aftë në strategji dhe i dobët në taktika. Pra ishte i aftë të projektonte qëllime të mëdha (përfshirë ato kriminale), por shpesh pengohej teksa përpiqej t’i arrinte ato, duke i shkaktuar humbje të mëdha kombit.

Në të kundërt, Putini është një takticien i aftë, por qëllimet strategjike që ai ndjek janë ose vetë-sabotuese ose krejtësisht të paarritshme. Ai nuk do të bëhet kurrë një lider politik me rëndësi globale apo sundimtar i një superfuqie. Gjithçka që Putini mund të shpresojë të arrijë, është që Rusia të bëhet partnerja e vogël e Kinës, në vend se të arrijë një status të ngjashëm me Perëndimin.

Sa e rëndësishme ishte policia sekrete (Cheka, NKVD, KGB, e kështu me radhë) në historinë sovjetike? Sa të rëndësishëm janë sot pasardhësit e saj?

Përgjatë gjithë historisë, aparati represiv i Rusisë nuk ka qenë kurrë një forcë politike e pavarur. Nën udhëheqjen e komunistëve, ishte një mjet i përdorur nga drejtuesit e partisë. Sot, përfaqësohet nga një tufë zagarësh, të cilët Putini i mban në zinxhir dhe që vazhdojnë të përplasen me njëri-tjetrin. Ky është shembulli i një taktike, që ai e zotëron në mënyrë të përsosur. Por s’mund të përjashtojmë mundësinë që një nga zagarët të këputë zinxhirin dhe ta shqyejë të zotin.

Lenini e bëri Ukrainën pjesë të Bashkimit Sovjetik, në kohën kur ajo po përpiqej të fitonte pavarësinë. Por Putin pretendoi se atë e “krijoi” Lenini. A mund t’i gjejmë rrënjët e luftës aktuale në shekullin e kaluar, apo kjo luftë është produkt i epokës së Putinit?

Lenini aneksoi jo vetëm Ukrainën, por çdo pjesë të perandorisë cariste që mundi të shtinte në dorë. Megjithatë, historia nuk ka të bëjë fare me këtë luftë. Lufta në Ukrainë është pa dyshim projekti personal i Putinit. Njëherazi edhe dështimi i tij. Diktatori mendoi se mund ta gllabëronte të gjithë Ukrainën, por përfundoi duke thyer dhëmbët e tij.

Shteti i tij nuk ka asgjë të përbashkët me Bashkimit Sovjetik, që në shumë parametra mund të kishte mbetur vërtet prapa vendeve të tjera më të zhvilluara, megjithatë ishte një fuqi ekonomikisht e vetë-qëndrueshme dhe teknologjikisht autonome, një perandori e vërtetë. Federatës Ruse i mungon ky status. Pa analogun e vet të Silicon Valley që ka SHBA, apo edhe ekuivalentin kinez, Ersatz, ajo do të kthehet në një kungull.

A ishte vërtet e pashmangshme lufta aktuale për regjimin e Putinit? Pse e sulmoi Ukrainën?

Unë besoj se shkaku ishin protestat e Euromaidanit. Putin kishte frikë se Rusia mund të ndiqte të njëjtin skenar. Faktori i dytë ishte besimi i tij i thellë, se bota është ndarë në “sfera ndikimi” dhe se largimi i Ukrainës drejt Evropës, do të shkelte marrëveshjet e pashkruara të Rusisë me Perëndimin. Thelbi i luftës së Putinit është “Rrini larg! Kjo pjesë e botës është e imja!”.

Si do të përfundojë lufta në Ukrainë?

Për momentin, duket më i mundshëm “skenari korean”:jo paqe, por një marrëveshje e përkohshme armëpushimi, me një vijë demarkacioni, dhe kërcënimi i përhershëm i një konflikti të ri të armatosur. Do të jetë shumë keq për të gjitha palët e përfshira./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”

boris akunin desidenti rus perëndimi rusia partnerja e vogël e kinës