TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Qershor 2026, 20:15

Dëmtimet tronditin Spanjën, trajneri De la Fuente rrezikon të humbasë dy sulmues për ndeshjen me eliminim direkt

Shkruar nga Pamfleti
Dëmtimet tronditin Spanjën, trajneri De la Fuente rrezikon të
Kombëtarja e Spanjës

Fitorja e Spanjës ndaj Uruguait është shoqëruar me dy lajme shqetësuese për trajnerin Luis de la Fuente, i cili mund të mbetet pa dy nga sulmuesit e tij të krahut në prag të fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Më i rëndë paraqitet dëmtimi i Zheremi Pinos. Sulmuesi dyshohet se ka pësuar një frakturë në klavikulë dhe do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të konfirmuar diagnozën. Sipas stafit teknik, gjithçka lë të kuptohet se ai do të humbasë pjesën e mbetur të turneut.

"Fatkeqësisht mendojmë se bëhet fjalë për një dëmtim në klavikulë. Nesër do të kryejë analizat. Ai po vuan shumë dhe përpjekja që bëri për të qëndruar në fushë deri në fund ishte e jashtëzakonshme. Ishte heroik. I jam shumë mirënjohës dhe besoj se edhe shokët e skuadrës e vlerësojnë sakrificën e tij", deklaroi trajneri Luis de la Fuente.

Shqetësim ka shkaktuar edhe gjendja e Niko Uilliams, i cili u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen ndaj Uruguait, por u detyrua të largohej nga fusha pas shqetësimeve në zonën e ijëve. Futbollisti i Atletik Bilbaos do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, ndërsa vlerësimet e para nuk janë optimiste.

"Do të presim dhe do të shohim. Për momentin ai ndien dhimbje. Mund të jetë thjesht lodhje muskulore", u shpreh De la Fuente.

Gjatë takimit, Uilliams ishte gjithashtu objekt i një ndërhyrjeje të ashpër nga uruguaiani Nikolas De La Kruz, i cili u ndëshkua vetëm me karton të verdhë. Incidenti krijoi tension në fushë dhe për pak sa nuk u shndërrua në një përplasje mes lojtarëve.

Uilliams ishte rikthyer së fundmi pas një periudhe të vështirë të shoqëruar me dëmtime dhe probleme me pubalgjinë. Për këtë arsye, stafi teknik kishte zgjedhur ta aktivizonte me kujdes për të shmangur një dëmtim të ri, por ai sërish nuk arriti ta përfundonte ndeshjen.

Nëse ekzaminimet konfirmojnë një dëmtim serioz edhe për Uilliams, Spanja rrezikon të humbasë dy sulmues krahu në momentin më vendimtar të Kupës së Botës. Shpresat e stafit teknik mbeten te rikuperimi i Viktor Munjoz, i cili vazhdon të stërvitet veçmas grupit për shkak të një problemi fizik.

spanja trajneri de la fuente kupa e botës

Lini një Përgjigje