TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Korrik 2025, 22:07

Kodra e Turpit në Palermo, një kontrast brutal me Thethin shqiptar

Shkruar nga Beti Njuma

Kodra e Turpit në Palermo, një kontrast brutal me Thethin shqiptar

Në Itali, një vend me sistem të konsoliduar drejtësie, një vendim gjyqësor i formës së prerë nuk zbatohet për gati gjysmë shekulli edhe pse ishte mafia në mes! Para mafies vijnë qytetarët.

Dy vjet më parë pata rastin të vizitoja zonën e Mondellos në Palermo të Siçilisë. Është një nga gjiret më magjepsëse të jugut të Italisë me bukurinë mesdhetare, detin e kristaltë dhe rërën e bardhë si në plazhet karaibike. Teksa i afrohesha zonës turistike, nuk kishte si të mos shquaja, kilometra larg, kodrën mbi plazh dhe qindra vila të përhapura si fantazma nëpër të gjithë faqen e saj, siç shihet në fotot që kam bërë.

Vilat e shpërndara në mënyrë të çrregullt flasin për një histori të errët. Pizzo Sella, e njohur gjerësisht si “Kodra e Turpit”, është simboli më brutal i ndërthurjes së mafies me korrupsionin shtetëror dhe dështimin e drejtësisë italiane përballë krimit, edhe mjedisor.

Historia nis në vitin 1978, kur kompania e ndërtimit e drejtuar nga Rosa Greco, motra e bosit mafioz Michele Greco, fillon ndërtimin e 170 vilave pa leje të rregullt urbanistike. Pas tyre fshiheshin jo vetëm paratë e pista, por edhe një sistem i tërë klientelist që përfshinte bashkinë e Palermos dhe segmente të drejtësisë.

Pizzo Sella u bë vendi ku mafia “pastronte” paratë e krimit, ndërkohë që autoritetet mbyllnin sytë ose merrnin pjesën e tyre.

Në vitin 2001, Gjykata e Lartë e Italisë urdhëroi konfiskimin, shembjen dhe kthimin në gjendjen e mëparshme natyrore të zonës, një vendim që u prit me entuziazëm nga aktivistët dhe qytetarët e Palermos që shihnin, më në fund, pak drejtësi!

Por vendimi mbeti në letër. Asnjë vilë nuk u shemb. Edhe më keq akoma, në vitin 2010, një pjesë e ndërtesave iu rikthyen privatëve, pasi gjykata i cilësoi ata si blerës të ligjshëm që nuk ishin në dijeni se kishin blerë prona të ndërtuara nga mafia.

Kodra e Turpit në Palermo, një kontrast brutal me Thethin shqiptar

Edhe sot pas gati gjysmë shekulli, 1 milion metrat katrorë abuzivë të betonit vazhdojnë të zënë kodrën e Pizzo Sellës, dhe qeveria nuk guxon t’i shembë, ndonëse janë të paligjshme. Dhe të pabanuara në pjesën dërrmuese. Vetëm 68 prej tyre kanë banorë.

E përmenda rastin e Mondellos për të bërë një paralelizëm me Thethin dhe shembjen e 100 ndërtimeve pa leje, të frymëzuar nga premtimi i Kryeministrit Rama që thethianët të investojnë dhe se gjobat do t’u falen:

“…problematika lidhet me ndërtimet e kryera në pronat përkatëse jashtë afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Natyrisht, do të punojmë për të gjetur një zgjidhje të posaçme për të gjithë ata që ndodhen në këtë situatë, ku pamundësia për të marrë leje ka qenë objektive” tha Kryeministri Rama, teksa kërkonte votat, duke i prerë në besë ata që e pritën në shtëpi.

Në zemër të Thethit, të mbrojtur si park kombëtar, 100 banesa të konsideruara abuzive u shembën brenda 72 orëve, vetëm me urdhër verbal të Kryeministrit Rama. Pa një vendim gjykate, pa një afat për ankimim dhe pa asnjë garanci ligjore për pronarët. Vetëm fjalët e kryeministrit mjaftuan për të vënë në lëvizje fadromat që rrafshuan gjithçka.

Kontrasti është brutal!

Në Itali, një vend me sistem të konsoliduar drejtësie, një vendim gjyqësor i formës së prerë nuk zbatohet për gati gjysmë shekulli edhe pse ishte mafia në mes! Para mafies vijnë qytetarët.

Para disa ditësh bëra një status kur pashë çfarë ishte ndërtuar ngjitur me kishën. Me të drejtë e quajta talebanizëm kur pashë si ishte shkatërruar peizazhi natyror. Kam qenë me qindra herë aty dhe m’u duk kafshëri ai shkatërrim. Nuk ndodh askund në botë ajo marrëzi e ndërtimit të kapanoneve mbi lëndinën e një monumenti kulture dhe dëshmie historike që s’kanë asnjë lidhje me zonën dhe arkitekturën malore. Se çfarë ishte bërë në Theth dhe 100 ndërtimet pa leje që u prishën, as e kisha idenë. As të premtimeve që kishte bërë “babazoti”! Më vjen keq për mundin dhe djersën e banorëve që sot shohin të rrënuar gjithçka.

Në Shqipëri, një fjalë e kryeministrit mjafton për të rrafshuar 100 godina.

Drejtësia “kryeministrore” e pamëshirshme dhe e shpejtë (edhe selektive po të doni, sepse nuk vepron njësoj me ndërtimet abuzive në Tiranë, Dhërmi apo Jalë), dhe drejtësia italiane e institucionalizuar, e megjithatë humane dhe e përmbajtur!

Lini një Përgjigje