TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Qershor 2026, 11:32

Ku ishe ti, Adam?

Shkruar nga Luçiano Boçi
Ku ishe ti, Adam?
Luciano Boçi

Revolta e sotme bëhet më e ndershme kur pranon heshtjen e djeshme. Mos e përdor flamingon si gjethe, përdore si pasqyrë, ku të dallosh mire veten e të dallosh mirë se opozita nuk është e njëjtë me pushtetin…

Adam, u ngazëlleva kur të dallova në cep të ekranit, mes qytetarëve të zemëruar, duke folur qashtër, i revoltuar, me një flamingo në dorë si simbol të Zvërnecit.

Kohë pa të parë Adam, përveç netëve kur dilje me pamje tjetër (i shpërfytyruar) tek hidhje baltë mbi ne si bij të Evës dhe ngazëlleheshe me Ramën.

S’ka gjë Adam! E vetëkuptueshme.

Megjithatë, unë nuk besoj se kishe ardhur aty për të kërkuar faljen e munguar të mëkatit fillestar e të vazhduar.

Nuk besoj se kishe ardhur as për të ribërë gjyqin e vjetër, ku faji i mbetej herë gjarprit, herë Evës, e aspakherë njeriut që heshti kur duhej të mbante përgjegjësi.

E di, Adam, që të ka mërzitur shumë arroganca e atyre që bëjnë sikur janë Zot e atyre që vendosin për tokën, qiellin, detin, pyllin, trashëgiminë, kujtesën dhe të ardhmen, sikur të ishin pronë private e pushtetit të tyre të përkohshëm.

E kam provuar vetë në lëkurë e sy e më dhemb që kur e mendoj e jo më kur e prek. Dhe e besoj Adam që kjo i jep udhë mërzitjes tënde. Të pashë shumë të revoltuar, Adam. Dhe ke të drejtë.

Sinqerisht jam me ty, Adam, deri në fund, jo sepse me zor të kam pritur, por sepse revolta e njeriut ndaj zotave të rremë dhe padrejtësive e shëron shpirtin e shoqërisë.

Një shoqëri me Adamë që nuk revoltohen, nuk është e qetë, është e mpirë. Nuk aspak është e pjekur, përkundrazi është e dorëzuar.

Prandaj bravo Adam!

Por diçka më brente përbrenda shpirtin e ndërgjegjen Adam, ndërsa shihja brenda pathosit tënd të pandalshëm, atë “mëkatin” tënd “të vogël” të pashërueshëm, atë dëshirën për të bërë njëherazi fajtor djallin, (gjarprin) dhe Evën.

Dhe prej kësaj më lindën disa pyetje për ty, Adam që po t’i them hapur pa drojë, pa menduar se mërzitesh. Ku ishe ti, Adam, kur ne protestonim e luftonim ndaj djallit dora vetë?!

Ku ishe ti Adam kur Rama para syve të tu e të gjithëve rrëmbente vota dhe ju i fërkonit pushtetin që ti rritej më shumë?!

Ku ishe ti, Adam, kur ne ngrinim zërin kundër ligjit për zonat e mbrojtura?! Ku ishe ti, Adam, kur thoshim se natyra nuk mund të trajtohet si parcelë ndërtimi, as si hartë biznesi në zyrat e pushtetit?!

Ku ishe ti, Adam, kur paralajmëronim se heqja e mbrojtjes ligjore nga zonat e mbrojtura nuk ishte modernizim, por hapje dere për betonin?!

Ku ishe ti, Adam, kur ne bërtisnim se Zvërneci, Thethi, Dhërmiu etj, nuk janë një copë toke pa kujtesë, por një hapësirë ku natyra, historia, besimi dhe trashëgimia rrinë bashkë si në një ikonë të rrallë shqiptare?!

Ku ishe ti, Adam, kur ne kundërshtonim ligjin për trashëgiminë kulturore?!

Ku ishe ti kur ne paralajmëronim se një vend që e sheh trashëgiminë si pengesë për investimin, shumë shpejt do ta shohë identitetin si barrë të mundimshme që duhet zhdukur?!

Ku ishe ti, Adam, kur ne revoltoheshim se pushteti po i jepte vetes të drejtën të hynte në tempuj, në monumente, në kujtesë, në bregdet, në pyje, në ishuj, dhe t’i kthente të gjitha në mall tregu?!

Ku ishe ti, Adam, kur tek përtypje “mollën e mëkatit” shtriqeshe në divan në parajsën tënde të rreme, duke nënqeshur me zemërimin tonë e pëplasjen tonë me krimin e policinë e djallit?!

Ku ishe ti kur batutat e Ramës përplaseshin mbi protestat tona si gurë mbi një dritë?

Ku ishe ti kur ata që sot shqetësohen, atëherë loznin me fjalët e tij, duartrokisnin cinizmin e tij, shpërndanin batutat e tij dhe e quanin alarmizëm atë që sot e prekin si plagë?!

Ku ishe ti, Adam, kur na akuzonin se ne po trembnim qytetarët me protestat tona?!

Ku ishe ti kur na quanin pengesë të zhvillimit, armiq të investimeve, njerëz të mbetur pas, sepse kërkonim transparencë, ligj, debat dhe respekt për vendin?!

Sepse, Adam, mëkati nuk nis ditën kur shfaqet ekskavatori, alias “molla”.

Mëkati nis më herët. Nis kur heshtet për ligjin. Nis kur qesh me paralajmërimin. Nis kur e quan opozitën zhurmë. Nis kur i jep pushtetit të drejtë të pakufizuar vetëm sepse për momentin nuk të prek ty.

Nis kur mendon me zë se “Nuk është puna ime.” Dhe pastaj vjen dita kur puna bëhet e të gjithëve.

Vjen dita kur flamingoja del nga metafora dhe kthehet në shenjë alarmi. Vjen dita kur deti nuk është më peizazh, por dosje që ha vetë detin. Vjen dita kur pylli nuk është më natyrë, por interes që rrëmbehet.

Vjen dita kur trashëgimia nuk është më kujtesë, por pengesë për projektin e radhës. Vjen dita kur njeriu zgjohet dhe e kupton se nuk ishte jashtë historisë. Ishte brenda saj, por kishte zgjedhur të mos fliste.

Prandaj pyetja ime nuk është kundër teje, Adam. Është për ty! Është për mua! Është për të gjithë ne!

Sepse çdo shoqëri ka çastin e vet kur Zoti, historia, ndërgjegjja, apo thjesht e vërteta, e thërret nga errësira dhe e pyet thjesht fare:

Ku ishe ti, Adam?!

Ku ishe kur ligji kalonte?!

Ku ishe kur zëri ngrihej?!

Ku ishe kur natyra kërkonte mbrojtje?!

Ku ishe kur trashëgimia kërkonte kujdes e dashuri?!

Ku ishe kur ata që sot janë  të revoltuar dhe mirë bëjnë shumë mirë, dje i quanin ose pranonin që protestuesit e opozitës janë pengesë, qesharakë, të vonuar, të tepërt?!

Nuk po të kërkoj të mos revoltohesh sot, Adam.

Përkundrazi.

Revoltohu!

Ngrihu!

Fol!

Unë, ne të gjithë, jemi me ty Adam, megjithë mëkatin që s’të ndahet, kundër djallit e për ta shkulur atë. Mbaje flamingon lart me zërin e fortë dhe pa u tërhequr!

Por mos harro se revolta e sotme bëhet më e ndershme kur pranon heshtjen e djeshme. Mos e përdor flamingon si gjethe, përdore si pasqyrë, ku të dallosh mire veten e të dallosh mirë se opozita nuk është e njëjtë me pushtetin.

Sepse nuk mjafton të dalësh në kopsht pasi fruti është këputur. Nuk mjafton të mallkosh gjarprin pasi ke parë pemën të zhvishet. Nuk mjafton të kërkosh fajtorin vetëm kur hija e gabimit bie dhe mbi pragun tënd.

Duhet të kesh qenë aty kur fara e mëkatit u mboll. Duhet të kesh qenë aty kur ne ulërsisnim. Duhet të kesh qenë aty kur na thanë se po e tepronim. Duhet të kesh qenë aty kur pushteti po mësonte se mund të merrte gjithçka, sepse njerëzit ose heshtnin, ose qeshnin, ose prisnin radhën që padrejtësia t’u trokiste në derë.

Prandaj, Adam, mirë se erdhe në revoltë! Vonë pak, por mirë se erdhe. Sepse është më mirë një njeri që zgjohet vonë, sesa një njeri që nuk zgjohet kurrë. Por kujdes!

Mos e kthe revoltën në alibi si dikur Evën. Mos e përdor zemërimin, për të fshehur mungesën kur ajo ishte e domosdoshme. Mos ia lër fajin vetëm gjarprit (djallit), e kurrsesi Evës, Adam! Sepse në çdo histori rënieje ka edhe një Adam që heshti.

Dhe pyetja mbetet. Asfare si akuzë , por si inkurajim i plotë për të vazhduar. Jo si thumb politik, por si thirrje morale. Ku ishe ti, Adam?! Dhe, më e rëndësishmja: Ku do të jesh nesër, nëse nuk je sot me opozitën?!

Mos harro!

Arroganca e atyre që sot sillen si Zota të plotfuqishëm nuk lindi brenda një nate.

Ajo u ushqye, u rrit dhe u majm nga çdo e qeshur e jotja ironike, nga çdo "like" i pakujdesshëm në rrjetet sociale dhe nga çdo herë që ti zgjodhe të shihje me indiferencë luftën e opozitës.

Prandaj Adam vetëm kur të pranosh se opozita kishte dhe ka të drejtë dhe kur të kuptosh se lufta për të drejtën është një betejë e egër politike kundër një regjimi pa rregulla, vetëm atëherë askush nuk do të të pyesë më me ironi se,

Ku ishe ti, Adam?!)

protesta boci opozita

1 Komente

  1. C
    Chj

    Po ik o Boci se kur dolet nuk mblodhet as 20 persona! Nuk ju do njeri, jeni te mbaruar, te korruptuar. Njerezit ju evitojne si zgjeben..

    Lini një Përgjigje

    Forum