Forum19 Prill 2024, 12:57

Molotovopartia

Shkruar nga Artur Ajazi

Molotovopartia

Duke menduar dhe vepruar me logjikën e “tokës së djegur”, ata janë gati të shembin dhe shkatërrojnë gjithçka të bukur, funksionale, vetëm e vetëm të duken se “po dëmtojnë pushtetin dhe qeverinë e Edi Ramës”.

Sërish me molotov. Sërish me dhunë, sërish me provokime, me parrulla dhe presione ndaj uniformave të shtetit, ndaj institucioneve, ndaj organeve të drejtësisë. Dhe kjo, nga një molotovoparti, e cila ka vendosur të rrënojë, shkatërrojë, dhe ngjyrosë me zjarr gjithçka.

Fjalimet e atyre që besojnë se “janë opozita” duken si thirrje për shkatërrim, aspak si lidhje me dialogun e drejtë dhe ligjor me institucionet e shtetit. Molotovopartia, e ka vendosur. Ajo do të zbatojë deri në fund skenarin e ardhur nga ballkoni i ish-liderit. Do të hedhë molotovë, shashka, do t'i vërë zjarrin gjithçkaje deri sa vendi të bjerë në kaos.

Është detyrë e institucioneve ligjzbatuese, të ndalin vandalizmin e një grushti njerëzish që kanë si ideologji dhe lejtmotiv nga mëngjesi deri në darkë, dhunën, zjarrin, shkatërrimin, kaosin, dhe rikthimin në vitin 1997. Mjafton të dëgjosh fjalimet provokative dhe thirrjet e orotarëve të molotovopartisë, dhe të bindesh ku dhe sa poshtë ka rënë kjo opozitë. Imagjinoni sikur kjo molotovoparti, të vijë në pushtet? Imagjinoni sikur këta që sot zihen me policinë, hedhin zjarr mbi dyert e institucioneve, që thyejnë dhe shkatërrojnë gjithçka të ndertuar, sistemuar, dhe të ngritur me taksat tona, të marrin një ditë pushtetin?

Ajo që ngjau me protestën e fundit të kësaj “opozite” para Bashkisë së Tiranës, tregoi sa mbrapa ka mbetur mentaliteti politik i një partie të shkërrmoqur, tregoi sa të vendosur janë ata (që u qajnë hallin popullit) për të thyer dhe shkelur çdo ligj, vetëm të krijojnë skena kaotike mes Tiranës. Duke menduar dhe vepruar me logjikën e “tokës së djegur”, ata janë gati të shembin dhe shkatërrojnë gjithçka të bukur, funksionale, vetëm e vetëm të duken se “po dëmtojnë pushtetin dhe qeverinë e Edi Ramës”.

Kjo logjikë staliniste, e ka katandisur molotovopartinë, në organizatë, dhe jo në një forcë dinjitoze politike. Shfaqja e fundit para Bashkisë së Tiranës, do t'i bindë akoma më shumë edhe nderkombëtarët, në mendimin dhe bindjen e tyre se, kjo opozitë e vjetëruar, nuk ka shanse as të rinovohet, dhe as të integrohet, në rrugëtimin e Shqiperisë drejt forcimit të shtetit ligjor, dhe pavarësisë së organeve të drejtesisë.

Detyra e saj, mbetet pengimi dhe jo zhvillimi dhe mbështetja e progresit të vendit.

molotovopartia