TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Nëntor 2025, 19:52

Mos u merrni me Flamurin e Gazit!

Shkruar nga Myslim Murrizi

Mos u merrni me Flamurin e Gazit!

Flamuri në rregull është sa kohë që nuk ka përmendur vitin.

E ku qëndron problemi këtu?

Do të thoshte dikush që e kishte si shprehje këtë stil pyetjeje në vend të përgjigjes.

Flamuri tha më 28 nëntor që Skënderbeu ka ngritur flamurin në Vlorë por nuk përmendi vitin.

Po është e vërtetë që më 28 nëntor të vitit 1443 Skënderbeu ngriti për herë të parë flamurin në kalanë e Krujës.

Por nuk ka ndonjë të dhënë mohuese që Skënderbeu nuk mund të ketë ngritur flamurin edhe në Vlorë më datë 28 nëntor por në një vit tjetër nga 1443 deri më 17 janar 1468 kur vdiq.

Unë nuk besoj që prej 25 vitesh nga 1443-1468 Skënderbeu ta ketë pasur të ndaluar për të shkuar në Vlorë ose për të mbajtur flamur me vete se në atë kohë nuk kishte banda apo komitete shpëtimi që mund ta ndalonin Skënderbeun për të hyrë në Vlorë.

Kështu që Flamuri në rregull është sa kohë që nuk ka përmendur vitin.

Se na e bëtë “lajm” të madh një lapsus të Flamurit që ecën në tokë për Flamurin që u ngrit më 28 nëntor në vite të ndryshme nga Skënderbeu dhe nga Ismail Qemali.

Ehhhhh sa presidentë, kryeministra, ministra dhe politikanë kanë bërë gafa të tilla në Shqipëri dhe në botë nuk numërohen.

Kështu që mos u merrni me Flamurin e Gazit në ditën e Flamurit Kombëtar.

Lini një Përgjigje