Profesori italian kritikon vendimin e Rumanisë dhe paralajmëron Gjermaninë: “Të ndalosh partitë populiste me vendime gjyqësore, veçse forcon radikalizmin dhe nuk zgjidh krizën politike që ka kapluar Evropën”...
“Mendoj se çdo pengesë ligjore ose gjyqësore ndaj një force politike për idetë e saj, madje edhe më ekstremet, është jo liberale dhe kundërproduktive”. Është ky mendimi i profesorit të njohur italian Ernesto Galli Della Loggia mbi atë që ndodhi në Rumani fundjavën e fundit, ku pas përjashtimit të kandidatit populist Celin Georgescu për shkak të parregullsive në fushatën zgjedhore, e dyshuara si e financuar nga Kremlini, partia e ekstremit të djathtë AUR fitoi me një shumicë të dukshme në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas ekspertit, një zhvendosje djathtas po ndodh prej kohësh në të gjithë opinionin publik evropian, dhe kjo për shkak të marrëzisë absolute të klasave politike, thuajse gjithmonë të qendrës së majtë, të cilat kanë qeverisur 15 vitet e fundit.
Sipas profesorit, ato kanë dështuar të perceptojnë përkeqësimin e situatës sociale dhe rritjen e pakënaqësisë. “Njerëzit ishin të vetëkënaqur me rezultatet e arritura nga Bashkimi Evropian, por ndërkohë nën këmbët e tyre po hapej një humnerë”- shprehet ai.
Në Rumani, përjashtimi i Georgescu-t pati një efekt paradoksal: ai e forcoi më tej të djathtën, megjithatë vendimi u mor nga Gjykata Kushtetuese. “Problemi”, thotë Della Loggia, “është se ndarja midis vendimeve politike dhe atyre gjyqësore, është një humbje kohe në sytë e opinionit publik.
“Ne përballemi sot me një hipokrizi që ka pasur shumë vlerë midis elitës evropiane: një sërë vendimesh që kanë një përmbajtje thjesht politike, nuk mund t’i atribuohen pushtetit gjyqësor. Dhe pastaj më lejoni të them diçka tjetër. Ndërhyrja ruse ka të bëjë me pagesën për propagandën e disa kandidatëve. Por në fund, janë njerëzit ata që votojnë për këta kandidatë, dhe jo sepse edhe ata paguhen nga Kremlini” - nënvizoi ai.
Ndërkohë, një sondazh i fundit, thotë se 48 për qind e popullsisë gjermane do të ishte në favor të nxjerrjes jashtë ligjit të AfD-së. Po ashtu, shërbimet sekrete gjermane kanë hapur gjithashtu një dosje mbi partinë e ekstremit të djathtë.
“Lajmi”, thotë profesori, “është se ka edhe një gjysmë tjetër të Gjermanisë që e pëlqen AfD-në, dhe kjo është me të drejtë shumë shqetësuese”. Sa i përket dosjes së shërbimeve të inteligjencës, Della Loggia thotë se duhet treguar shumë kujdes. “Kushtetuta gjermane i përket epokës së Luftës së Ftohtë, prandaj ofron mundësinë e ndalimit të partive duke i gjykuar ato në bazë të kualifikimeve krejtësisht të çuditshme. Neni 9, thotë: Shoqatat, qëllimet dhe aktivitetet e të cilave drejtohen kundër parimit të mirëkuptimit midis popujve, janë të ndaluara. Po çfarë do të thotë kjo? Është një parim shumë i paqartë që e bën kushtetutën gjermane jo liberale.
Pastaj liberalizmi ndëshkon veprimet, jo idetë. Prandaj, i gjithë ky hetim nuk bazohet në kryerjen e krimeve, zbulimin e depove të armëve apo diçka të tillë, por është një shqyrtim i ideologjisë që parashikon kushtetuta gjermane, por që nga këndvështrimi liberal është i tmerrshëm” - deklaron ai.
Në Itali, populistët kanë ardhur në pushtet që në vitin 2019 me qeverinë e koalicionit midis Lëvizjes Pesë Yjet dhe Legës. Ishte një lloj vaksine. Në këto kushte, a mund të thuhet se ekziston ndonjë metodë italiane për normalizimin e forcave anti-sistem?
“Lega dhe Lëvizja Pesë Yjet, nuk ishin problem për demokracinë italiane. Ato nuk kishin kompaktësinë dhe organizimin e nevojshëm: hapja e parlamentit si një kanaçe me ton, nuk është një program politik, dhe as shpalljet e bujshme të Salvinit. Rreziku ekzistonte nga disa nisma që pamë në ato vite: nga të ardhurat e qytetarisë, deri tek programet e çuditshme për zhdukjen e varfërisë.
Gjithsesi, Italia ofron një shembull të mirë të “zbutjes”, nëse mund ta quajmë kështu, të forcave që vijnë nga një traditë e politikës së krahut të djathtë jashtë-kushtetuese. Ky është rasti i qeverisë aktuale të udhëhequr nga Fratelli d’Italia, e cila prej tre vitesh ka filluar një rrugë që duhet ta kopjojnë të tjerët në Gjermani, Francë ose Rumani.
Për ne ishte më e lehtë për dy arsye. Nga njëra anë, ajo e djathtë kishte qenë tashmë në qeveri, por si një grup më pakicë, falë një intuite të shkëlqyer nga Silvio Berlusconit.
Nga ana tjetër, një “kafaz” institucional - me një president gjithmonë vigjilent - ka ndihmuar që e djathta ta integrojë plotësisht veten në binarët e ligjit dhe Kushtetutës.
Aq sa sot, nëse dikush thotë se në pushtet janë fashistët, do të tallet”- thekson Della Loggia.
Po përse nuk ndodh e njëjta gjë me AfD-në në Gjermani. A mendon ai se AfD-ja apo Tubimi Kombëtar në Francë, mund të ndjekin rrugë të ngjashme? “Për to është më e ndërlikuar, sepse nëse do të vinin në pushtet, do ta bënin këtë në një klimë shumë më konfliktuale.
Për më tepër, prapa këtyre partive të krahut të djathtë qëndron ndikimi i Kremlinit, diçka që ne e dimë me siguri se nuk qëndron pas FdI-së në Itali” -përfundon profesori i njohur./Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje