Forum21 Korrik 2023, 18:17

Një kryeministër nuk mund të sillet si pronari i shtetit!

Shkruar nga Fatos Tarifa

Një kryeministër nuk mund të sillet si pronari i shtetit!

Shumë nisma politike, të iniciuara personalisht nga z.Rama, të mbështetura pa konsultime të gjera me publikun dhe me grupe interesi dhe të formuluara si ligje nga një shumicë e regjimentuar deputetësh socialistë në kuvendin e Shqipërisë, që thuajse kurrë nuk e kundërshtojnë kryeministrin e tyre dhe nuk i kërkojnë llogari qeverisë së tij, kanë krijuar një gjendje shqetësuese për shëndetin e demokracisë në vendin tonë.

Dje, deputetët e shumicës socialiste në kuvendin e Shqipërisë miratuan–me shumë ngut dhe në kushtet e një të nxehti të jashtëzakonshëm–dy projektligje shumë të debatuar në publik, projektligjin mbi kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe atë për studentët e mjekësisë.

Qysh në fillim dua të bëj publikisht të njohura tri gjëra:

(1) Unë jam socialist në bindjet e mia politike. Këto bindje informohen dhe inspirohen nga e Majta e Re (New Left), siç e formuloi përmbajtjen e kësaj lëvizjeje teorike C. Wright Mills në fillim të viteve 1960.

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave civile e politike të qytetarëve dhe përkushtimi ndaj drejtësisë sociale janë për mua kriteri bazë për të gjykuar e vlerësuar çdo program politik dhe çdo mënyrë qeverisjeje.

(2) Të qënit socialist nuk më bën të verbër dhe as të heshtur ndaj qëndrimeve dhe politikave të socialistëve shqiptarë (partisë së tyre dhe kreut të saj), kur këto i gjykoj të painformuara, të nxituara, ose, më keq, të gabuara.

(3) Duke pohuar sa më sipër, në asnjë mënyrë nuk kam qëllim t’i bëj shërbim opozitës. Opozita politike në Shqipëri, në gjendjen që është sot, është destruktive, e padenjë dhe e pashpresë për të qeverisur vendin. Kjo opozitë nuk frymëzon, edhe pse, herë-herë, kritikat e saj ndaj qeverisjes socialiste kanë qenë e janë të drejta.

Duke qenë kritik dhe vokal ndaj disa qëndrimeve e politikave të qeverisë socialiste dhe, sidomos, ndaj kryetarit narcisist e autoritarist të zaj, z, Rama, unë nuk kërkoj dhe nuk mbështes një qeveri josocialiste.

Duke i bërë në këtë mënyrë të qarta përkatësinë dhe identitetin tim politik, dëshiroj të shpreh (jo për të parën herë) shqetësimin tim të sinqertë për arrogancën dhe autoritarizmin me të cilin kryeministri Rama prej kohësh drejton punët e qeverisë.

Sjellja e z. Rama në krye të qeverisë më kujton fjalët e Kantit se, nëse kreu i një qeverie nuk e sheh veten si një qytetar i vendit të vet (“a felloë citizen“), ai fillon ta shohë veten si të ishte “pronar i shtetit” (“the oëner of the state“).

Shumë nisma politike, të iniciuara personalisht nga z.Rama, të mbështetura pa konsultime të gjera me publikun dhe me grupe interesi dhe të formuluara si ligje nga një shumicë e regjimentuar deputetësh socialistë në kuvendin e Shqipërisë, që thuajse kurrë nuk e kundërshtojnë kryeministrin e tyre dhe nuk i kërkojnë llogari qeverisë së tij, kanë krijuar një gjendje shqetësuese për shëndetin e demokracisë në vendin tonë.

Kuvendi i Shqipërisë dhe çdo anëtar i shumicës socialiste në atë kuvend janë po aq përgjegjës për këtë gjendje, sa edhe kryeministri i vendit.

Miratimi dje në kuvend, me votat e vetëm gjysmës së anëtarëve të tij, i dy projektligjeve të sipërpërmendur, kaq të debatuar e të kundërshtuar në publik, dëshmon pikërisht këtë. Dëshmon shqetësimin që shprehte në kohën e vet, James Madison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara, kur fliste për rrezikun që sjell “tirania e mazhorancës” (“tyranny of majority”). Thomas Jefferson, nga ana e vet, fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur” (“elected despotism”), duke theksuar se, “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë pa dyshim po aq shtypës sa edhe një i vetëm”.

Çfarë bënë dje deputetët e shumicës socialiste në kuvend më krijon ndjesinë se kemi të bëjmë me një qëndrim “despotësh të zgjedhur”, që veprojnë siç duan dhe nuk japin llogari para askujt, veç kryeministrit, kreut të kësaj “republike kryeministrore”.

I kuptoj shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe i mbështes ata në protestën e tyre. E drejta e tyre njerëzore dhe aspiratat e tyre për zhvillim profesional nuk mund t’u mohohen nga politikanë hipokritë, një pjesë e madhe e të cilëve u kanë mundësuar fëmijëve të tyre të shkollohen e punësohen jashtë vendit.

Unë ndaj të njëjtin mendim si Kanti, se “ndershmëria është më e mirë se çdo politikë, madje është një kusht i domosdoshëm për çdo lloj politike”.

rama ligje kuvendi