Si nisi makthi im me shpifjen nga një librari në Oslo te sulmet online që lidhën padrejtësisht emrin tim me çështjen Epstein…
Makthi im me shpifjen nisi në një librari të vogël në Oslo, por mes vorbullës së skandaleve dhe luftërave të tmerrshme që përshkojnë botën sot, kjo është një shfaqje e vogël, ndonëse shqetësuese, e kohëve tona të çuditshme. Një ditë më parë, vëmendja m’u tërhoq nga një fotografi e postuar në X, ku shihej një librari norvegjeze e zinxhirit Norli Bokhandel, stafi i së cilës kishte organizuar një ekspozim me titullin “Epstein Island Guest List”. U trondita kur pashë se një nga librat e mi ishte përfshirë aty.
Nuk kam qenë kurrë në ishullin e Jeffrey Epstein, nuk kam fluturuar me avionët e tij, nuk kam vizituar asnjë nga pronat e tij dhe më e rëndësishmja, nuk e kam takuar kurrë dhe nuk kam komunikuar me të. Pasi u njoftua, zinxhiri i librarive e hoqi menjëherë librin tim, pa qenë nevoja për veprime ligjore, dhe kërkoi falje si personalisht ashtu edhe online: “e kuptojmë se kjo ishte shpifje dhe cenim i reputacionit. Simon Montefiore nuk e ka takuar dhe nuk ka komunikuar kurrë me Epstein, nuk ka fluturuar me avionët e tij dhe nuk ka qëndruar në shtëpitë e tij. Kërkojmë falje pa asnjë rezervë”.
Nuk do ta kisha marrë vesh kurrë këtë, nëse fotografia nuk do të ishte postuar në rrjetet sociale. Por, duke qenë se jetojmë në një arenë pa rregulla të provokimit algoritmik, konfliktit të përhershëm, vetë-konfirmimit dhe histerisë morale brenda një vorbulle digjitale të egër e të papërgjegjshme, fotografia u bë virale dhe u pa nga shumë njerëz. Siç i atribuohet Mark Twain-it: “një gënjeshtër e përshkon Botën para se e vërteta të ketë veshur çizmet”, dhe sot duket se një gënjeshtër mund ta rrotullojë globin, në mos të kapërcejë galaktikën, shumë herë para se ta kuptojmë, e lëre më ta ndalim. Për një çast ndjeva prekjen e hijes së helmatisur të Epstein-it.

Origjina e shpifjes qëndron në faktin se emri im figuron në bllokun e adresave të Ghislaine Maxwell, të cilin ajo dyshohet se e ndante me Epstein. E kam njohur atë dekada më pare, por, siç e theksoj, nuk e kam takuar apo kontaktuar kurrë Epstein-in.
Kjo histori ka një shtresë tjetër po aq të pabesueshme sa edhe dashakeqe. Ajo nuk nisi në Oslo, as në një librari, as në labirintet e teorive rreth Epstein-it në Manhatan. Ajo nisi në jetën e Josif Stalinit.
Kur fillova të shkruaj libra historie, trajtova Katerinën e Madhe dhe Potemkinin. Pas suksesit të tyre, fitova përkohësisht vëmendjen e presidentit të ri rus, Vladimir Putin. M’u ofrua qasje në dokumentet personale të Stalinit dhe shkrova “Stalin: The Court of the Red Tsar”, për oborrin e tij gjatë kulmit të diktaturës. Në arkiva zbulova materiale të reja për rininë e tij dhe vendosa të shkruaj “Young Stalin”. Më pas humba qasjen në arkivat e Partisë Komuniste, por kisha mbledhur tashmë shumicën e materialeve dhe shtova të tjera nga arkivat gjeorgjiane.
“Young Stalin”, botuar në vitin 2007, zbuloi jetën e tij si marksist fanatik dhe aktivist ilegal, përfshirë grabitjen e famshme të bankës në Tiflis më 1907.
Një nga episodet që përfshiva ishte internimi i tij në vitin 1913 në Kureika, një fshat i vogël në Siberi. Atje jetonin 67 banorë, mes tyre edhe Lidia Pereprygina, 13 vjeç. Gjatë qëndrimit të tij, Stalini nisi një marrëdhënie me të. Sipas standardeve të sotme, kjo do të konsiderohej përdhunim i një të miture. Në atë kohë, ligji në Siberi ishte informal: mosha e pëlqimit në Rusinë evropiane ishte 14 vjeç, ndërsa në Siberi nuk ishte e përcaktuar qartë dhe nuk zbatohej rreptësisht. Koncepti juridik ishte “shkelje e nderit femëror”, që zgjidhej me premtim martese. Stalini premtoi të martohej me të dhe u fejuan.
Lidia mbeti shtatzënë. Më vonë, pas Revolucionit të Shkurtit 1917, Stalini u largua dhe e braktisi. Ajo lindi një djalë, Aleksandrin, të cilin Stalini nuk e njohu kurrë. Pasardhësit e tij jetojnë ende në Siberi dhe testet e ADN-së në vitin 2016 konfirmuan lidhjen biologjike.
Këto fakte janë të dokumentuara në arkiva dhe në biografitë pas vitit 1991. Në librin tim nuk përdoret fjala “pedofili”. Megjithatë, rreth vitit 2019, disa llogari anonime në Twitter, shpesh me emra që përmbanin “Bolshevik” ose “Communist”, më akuzuan se kisha shpikur pretendimin se Stalini ishte pedofil. Njëkohësisht, më akuzuan se isha “mik i pedofilit Epstein”, duke përdorur si “provë” faktin se emri im figuronte në bllokun e adresave.
U konsultova me avokatë për shpifje, por nuk arritëm të identifikonim autorët anonimë. U këshillova të mos u përgjigjem, sepse reagimi do ta amplifikonte sulmin.
Një zyrtar britanik i inteligjencës më tha se disa prej këtyre llogarive mund të ishin bot-e të kontrolluara nga Rusia, Koreja e Veriut ose Irani, me qëllim përhapjen e urrejtjes dhe pasigurisë.
Me intensifikimin e skandalit Epstein dhe pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, sulmet u rikthyen. Kështu, një punonjës librarie në Oslo, që me gjasë kishte parë një nga këto postime shpifëse, përfshiu librin tim në ekspozimin e gabuar.
Nuk e krahasoj këtë përvojë me vuajtjet e viktimave të çështjes Epstein. Por ka qenë një periudhë e gjatë dhe e rëndë. Edhe kur përmbajtjet hiqen, dëmi mbetet. Shumë pak njerëz korrigjojnë gënjeshtrat online. Mjeti i vetëm praktik mbetet ligji.
Kjo përvojë më kujton se përhapja e gënjeshtrave dhe përbuzja ndaj së vërtetës paraqesin rrezik real për individët dhe shoqëritë. Me përparimin e inteligjencës artificiale dhe manipulimeve digjitale, rreziku vetëm sa do të rritet.
Një mësim që nxora është se kaloj shumë kohë në rrjetet sociale. Tani dua t’i rikthehem asaj që dua të bëj: të shkruaj libra, që shpresoj se një ditë do të jenë sërish në raftet e një librarie në Oslo.
“Young Stalin”, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, po përshtatet për film. /Përshtatur nga The Spectator/
Lini një Përgjigje