TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Mars 2026, 11:37

Po hyjmë në një botë të sunduar nga rregullat e Trump dhe Putin

Shkruar nga Daniele Stracquadanio
Po hyjmë në një botë të sunduar nga rregullat e Trump
Putin dhe Trump /

Në epokën e re të Fuqive të Mëdha, ligji ndërkombëtar po zbehet, ndërsa forca dhe interesat strategjike po zënë vendin e tij. Sovraniteti i shteteve të vogla rrezikon të reduktohet në një iluzion që varet nga tekat e hegjemonëve...

Valët e ndërhyrjeve të njëpasnjëshme ushtarake të administratës së dytë të Donald Trump e kanë tronditur gjithë globin. Për Moskën, ato janë konfirmimi i shumëpritur se epoka e multilateralizmit ka marrë fund, e zëvendësuar nga rikthimi i hapur i politikës së Fuqive të Mëdha.

Shkelje të sovranitetit si pushtimi i Ukrainës, nuk shihen më si akte të turpshme ndërkombëtare. Përkundrazi ato po normalizohen si mjet i zakonshëm i diplomacisë së shekullit XXI.

Katër vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës, i dënuar fillimisht në bllok nga Perëndimi, Shtetet e Bashkuara po përdorin gjuhë të ngjashme me Moskën. Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, mbrojti goditjet parandaluese për të shmangur hakmarrjen e Iranit ndaj Izraelit, ndërsa Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA nuk e nisi këtë luftë, por po përpiqet ta përfundojë atë.

Sot, thirrjet për kryengritje kundër regjimeve “të paligjshme” - qofshin “terroristët iranianë” apo “neo-nazistët ukrainas” - janë bërë mjete propagandistike për të dy fuqitë. Ministria e Jashtme e Rusisë, e përshkroi sulmin ndaj Iranit si një “akt agresioni të planifikuar dhe të pajustifikuar kundër një anëtari sovran të OKB-së”.

Megjithatë, presidenti Vladimir Putin nuk e dënoi drejtpërdrejt. Duke bërë thirrje për ulje tensionesh dhe duke ofruar Moskën si ndërmjetëse, ai në heshtje po e legjitimon realitetin e ri: një botë ku Fuqitë e Mëdha nuk kërkojnë më leje për interesat e tyre strategjike.

Ky ndryshim shkon përtej hipokrizisë së zakonshme të politikës së jashtme. Unilateralizmi dhe luftërat parandaluese të Uashingtonit nuk janë diçka e re. Për këtë mjafton të kujtojmë pushtimin e Irakut në 2003 nga administrata Bush.

Por atëherë, u tentua të paktën të veprohej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke paraqitur prova të fabrikuara për armët e shkatërrimit në masë. Kur dështoi të siguronte mandat ligjor, Uashingtoni krijoi “Koalicionin e Vullnetarëve,” duke rekrutuar dhjetëra shtete.

Prirja për të kërkuar konsensus vazhdoi edhe në Libi (2011) dhe Siri (2014), ku ndërhyrjet u mbështetën nga koalicione ndërkombëtare. Sot, ka rënë çdo lloj fasade. SHBA-ja vepron e vetme, duke rrëzuar qeveri të huaja mbi baza të paqarta të “sigurisë kombëtare”, duke anashkaluar plotësisht OKB-në, dhe duke reflektuar logjikën e luftërave të Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Edhe aleatët e Uashingtonit po e pranojnë këtë realitet. Në Forumin Ekonomik Botëror 2026 në Davos, kryeministri kanadez Carney tha se “iluzioni i këndshëm” i një rendi të bazuar në rregulla ka marrë fund, i zëvendësuar nga “realiteti i ashpër”, ku të fuqishmit ndjekin pa kufizime interesat e tyre.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja nuk mund të jetë më “rojtarja e rendit të vjetër” dhe duhet të përshtatet me një epokë të re realizmi. Diplomatja kryesore e BE-së, Kaja Kallas, shprehu keqardhje për “dobësimin e normave, rregullave dhe institucioneve ndërkombëtare të ndërtuara për 80 vjet”.

Por duke heshtur për operacionin amerikano-izraelit “Epic Fury”, dhe duke u fokusuar vetëm te Rusia e Irani, ajo ilustroi pikërisht standardin e dyfishtë që po e shndërron ligjin ndërkombëtar në një fiksion që po shuhet.

Ngjashmëritë në sjelljen e Uashingtonit dhe Moskës, tregojnë një shkëputje përfundimtare nga rendi i pas Luftës së Dytë Botërore. Duke normalizuar veprimet ushtarake të njëanshme dhe parandaluese si instrument standard të politikës së jashtme, SHBA-ja po

e çon botën drejt një sistemi ku pushtimi i Ukrainës nuk shihet më si shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, por si një akt legjitim i shtetësisë.

Shtetet po ndahen në nivele: fuqitë e vogla dhe të mesme - si Ukraina, Venezuela, Irani, ndoshta nesër Tajvani apo edhe disa vende europiane - reduktohen në aktorë dytësorë, dhe me siguri do jenë gjithmonë të varur nga interesat e hegjemonit fqinj.

Ky koncept i “sovranitetit të kufizuar” të kujton doktrinën Brezhnev të Luftës së Ftohtë dhe operacionet sekrete amerikane në Amerikën Latine, por sot peizazhi është më i paqëndrueshëm. Atëherë, bota funksiononte brenda dy blloqeve ideologjike me rregulla të parashikueshme.

Sot kufijtë janë shpërbërë, rregullat po rishkruhen në kohë reale, shkeljet janë më të hapura dhe hierarkia e fuqive të mëdha është bërë më e paqartë. Në këtë realitet, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duken më pak si rivalë ideologjikë dhe më shumë si arkitektë të përbashkët të një bote ku ligji nuk ka më fuqi për të kufizuar forcën./Përgatiti Pamfleti nga “Moscow Times”

trump putin

1 Komente

  1. T
    Tony

    U pa kjo pune qe kur trajtoi Zelenskin si qen rrugesh si e kish te ftuar ne Shtepine e Bardhe, i shtroi Putanit tapet te kuq, Kanadase i tha do te te sulmoj po nuk u bere shteti im i 51te, Groenlanda me perket mua, Europa te thyeje qafen e s'kane te mbaruar bemat. Te shohim eshte loje e llogaritur apo lajthitje.

    Lini një Përgjigje