Protesta i ka dhënë një shans kryeministrit, që të dëgjojë zërin e të rinjve dhe hyjë në histori duke bërë diçka që s’e ka bërë askush më parë. Të largohet në mënyrë paqësore, si bindje e brendshme dhe thirrje ndërgjegjeje, pa sforco, por duke dëgjuar zërin e qytetarëve të cilëve u shërben.
Protesta popullore që u ndez nga Zvërneci dhe vijon si qëndresë përpara kryeministrisë ka mbërritur në ditën e 26, ndaj nuk mund të trajtohet më si episod kalimtar apo shpërthim emocional i momentit. Ajo nuk mund të trajtohet siç do ta paraqesë qeveria: si keqkuptim dhe as si lojë e aktorëve të padukshëm që veprojnë nga jashtë Shqipërisë.
Pavarësisht se bashkon njerëz me bindje, qëndrime dhe ideologji të ndryshme, “Revolucioni i Flamingove” ka hyrë në një fazë të re politike, duke artikuluar pesë kërkesa ose objektiva konkrete.
Ndoshta është momenti që gjithkush ose të paktën dikush, të reflektojë.
Për javë të tëra, kryeministri zgjodhi një strategji që nuk synoi dialogun, por delegjitimimin e “revolucionit”.
Protestuesit u quajtën “sorra” dhe “korba”. U fol për luftë hibride, për ndikime iraniane, për histeri dixhitale, për mobilizim të mediave greke, për forca të errëta që kërkojnë destabilizimin e vendit.
U përmendën në dritë negative shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, sikur solidariteti kombëtar të ishte një kërcënim dhe jo një vlerë.
Tashmë, protestuesit kanë folur qartë. Dhe u kanë dhënë një shans të gjithëve.
Protesta i ka dhënë një shans kryeministrit, që të dëgjojë zërin e të rinjve dhe hyjë në histori duke bërë diçka që s’e ka bërë askush më parë. Të largohet në mënyrë paqësore, si bindje e brendshme dhe thirrje ndërgjegjeje, pa sforco, por duke dëgjuar zërin e qytetarëve të cilëve u shërben.
Dorëheqje dhe largime kanë ndodhur disa herë në historinë e pluralizmit, por ato kanë qenë të provokuara me trauma dhunë si ’97, ’98, ’21 janari’, Gërdeci e kështu me rradhë.
Protestat paqësore janë një shans i mrekullueshëm për dorëheqje paqësore, një shans që jo çdo politikan e ka pasur në Shqipërinë e dhunshme të tranzicionit.
Gjithashtu, protesta i ka dhënë një shans opozitës për të ndryshuar, për t’u reformuar, për t’u bërë më në fund konkurruese në zgjedhje. Për t’u bërë zëri i të rinisë dhe i shpresës për ndryshim.
Por, ky reformin kalon nga largimi i Berishës dhe jo vetëm sepse atë e kërkon populli në rrugë. Ikja vullnetare e Berishës nga drejtimi i PD do të çlironte energji të reja në kampin e opozitës dhe do t’i jepte asaj, shansin për të mos humbur trenin e historisë. Jo vetëm kaq, do t’i jepte vetë Berishës shansin që të largohej nga politika pasi e fitoi betejën e tij të vogël me heqjen e ‘non gratas’. Një shans, për t’u mbajtur mend si politikani që më në fund, u hapi rrugën të rinjve dhe u dha atyre mundësinë për të bërë ndryshimin e vërtetë.
E treta, protesta i ka dhënë një shans partive të reja. U ka dhënë një leksion, që të mos mbyten kot në detin e sofizmave me ‘ndryshim sistemi’, ‘reforma kushtetuese’, ndryshim Kodi Zgjedhor’, etj., por të flasin me gjuhën e popullit. Partitë e reja kanë shansin të përkthejnë në aksione politike kërkesat e protestuesve dhe në mungesë të përfaqësimit politik të “flamingove” të jenë ata, përfituesit më të mëdhenj të revolucionit.
Protesta u dha një shans intelektualëve për ta merituar këtë fjalë, por druaj se ata e humbën atë.
U dha një shans mediave për t’u rreshtuar krah popullit dhe jo krah pushtetit: shumica e tyre e injoruan këtë shans.
Në fund, protesta i dha shansin historik rinisë, për t’u zgjuar dhe për ta merituar cilësimin si shpresa dhe e ardhmja e kombit.
Ata u ngritën në lartësinë e detyrës që kjo epokë i thirri për të përmbushur. Deri tani, vetëm ata e kanë kapur shansin që dha “Revolucioni i Flamingove”.
Lini një Përgjigje