TAGS-AT E JAVËS

Forum21 Gusht 2023, 10:37

Rikthimi i mundshëm i Serbisë në shtratin e saj real

Shkruar nga Sadri Ramabaja

Rikthimi i mundshëm i Serbisë në shtratin e saj real

Lufta në Ukrainë do të duhej shfrytëzuar si leksion edhe nga ana e Serbisë.

Ajo po tregon se shumë gjëra që konsideroheshin të pamundura, ndërkohë janë bërë e po bëhen të mundshme. Rezistenca ukrainase dëshmoi se, kur populli e do Atdheun e lirinë, ai është në gjendje të bëj çmos që t’i ruaj.

Kushti serb për negociatat me Prishtinë është praktikisht kapitullimi i Kosovës dhe pajtimi me opsionin serb që nënkupton rikthim tek Marrëveshja e prillit të vitit 2013, që për shumëçka na kujton marrëveshjen e fshehtë Zogu — Pashiq të gushtit 1924. Ky opsion do të shpjegonte tek shpërbërja e Republikës së Kosovës. Ndërkaq pala kosovare me të drejtë pret që Beogradi të ndërgjegjësohet dhe të njoh realitetin politik të krijuar tashmë me pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë se kushtet reale të Kosovës dhe Serbisë për çdo negociatë, qoftë edhe për atë që ka të bëjë me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, ndryshojnë plotësisht dhe nuk mund të ofrojnë pritshmëri që në të vërtetë do të ndodhin ndonjë negociatë serioze, për aq kohë sa vazhdon lufta në Ukrainë dhe Perëndimi vazhdon ta përkëdhelë Beogradin.

Por, meqë lufta ukraino-ruse gjithnjë e më shumë po merr karakteret e një konflikti të ngrirë, një konflikti që asnjëra palë nuk mund ta fitojë, ka tendenca që si të tillë, pra si konflikt të ngrirë dhe rrjedhimisht zonë e interesit jetik serb, Beogradi ta promovojë edhe veriun e Kosovës. Ushtrimi enorm i presionit ndaj tre policëve të komunitetit serb, respektivisht familjeve të tyre, me kushtin që ata ta lëshojnë Institucionin e Policisë, pa mbaruar tre muaj të suhtrimit të profesionit, është një sinjal i qartë për këtë objektiv të Beogradit për veriun e Kosovës.

Sjelljet e Brukselit në raport me Kosovën, sidomos aplikimi I masave shtrënguese disproporcionale, flet qartë se kemi të bëjmë me pozicionimin më të fuqishëm të lobit serb brenda Brukselit, por edhe për faktin se duket  që të gjithë lojtarët po lodhen nga procesi I stërzgjatur I dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo përfshin edhe SHBA-të, ku zgjedhjet e vitit 2024 do të kenë një ndikim të madh në qasjen e SHBA-ve jo vetëm ndaj luftës në Ukrainë, por edhe ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Veprimet taktiko-strategjike të kryera nga Prishtina gjatë këtyre dy viteve të fundit në veri të Republikës, tashmë kanë rezultuar me efekte të prekshme në rrafshin e shtrirjes së sovranitetit edhe në veri. Ky akt gëzon mbështetjen e gjerë të kombit shqiptar. Por jo vetëm. Javën që lamë pas, politikanë të rëndësishëm të komiteteve për politikë të jashtme të parlamenteve nga vende të ndryshme perëndimore dhe deputetë të blloqeve të ndryshme politike, i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj Serbisë në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të kenë qasje më të ekuilibruar sa i përket rasteve si ai i joproporcionalitetit të masave që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns në një postim të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, tha se është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen bashkë për të ngritur shqetësimet e tyre. “10 Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe 56 parlamentarë i kanë bërë thirrje ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojnë qasjen në drejtim të Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Kjo mbështetje politike që vjen nga një lagje shtetesh perendimore, në të ardhmen e afërt, mund të zgjerohet e të jetë edhe më efektive.

Por nëse lufta në Ukrainë ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të mëdha për rajonin dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky konflikt ka shtrirë ndikimin e tij të thellë edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon i cili ka përjetuar vetëm në dekadën e fundit të shek. 20-të katër luftra të shkaktuara nga Serbia dhe ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike.

Le të shqyrtojmë disa leksione që Serbia dhe Ballkani Perëndimor, pse jo edhe BE-a, mund të nxjerrin nga ky konflikt:

1.Diplomacia dhe dialogu: Lufta në Ukrainë tregon se mungesa e diplomacisë dhe dialogut mund të çojë në eskalim të konflikteve.

Rol i ndërmjetësuesve edhe në rastin e Kosovës është dëshmuar se ka peshë kruciale. Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndikuar nga ndërmjetësues të ndryshëm dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë. Një harmonizim i qëndrimeve të ndërmjetësuesve dhe një qasje e përbashkët ndërkombëtare mund të ndihmojnë në përparimin e marrëveshjeve.

Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet të promovojnë mënyra të dialogut dhe negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale.

Ndërkaq zvarritja e dialogut, si në rastin mes Kosovës dhe Serbisë, krijon parakushte për paragjykime ogurzeza dhe shestime irreale për rikthim të Serbisë në Kosovë ose aneksimin e veriut të saj, rrjedhimisht prodhon luftën e re shqiptaro-serbe. Pasojat kësaj radhe mund të jenë katastrofale për të dy palët.

2.Stabiliteti ekonomik dhe politik: Investimi vetëm në ruajtjen e stabilitetit, siç rezulton se ka vepruar BE-ja në Kosovë dhe Serbi, duke koketuar me diktatorë e kriminel, nuk është investimi i duhur për demokraci dhe prosperim. Konfliktet dhe tensionet mund të shkaktojnë jo vetëm humbje njerëzore dhe materiale, por gjithashtu ndikojnë në stabilitetin ekonomik dhe politik. Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet të vazhdojnë të punojnë për të ndërtuar një mjedis të favorshëm për zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik. Ky kurs nuk mund të ndiqet duke vazhduar të trajtohet Serbia tutje si palë e përkëdhelur.

3.Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial: Ndërkombëtarisht, është thelbësore që të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve. Prandaj në procesin e dialogut tutje mes Kosovës dhe Serbisë në qendër të tij duhet të rikthehet sërish domosdoshmëria e njohjes së Kosoëvs nga ana e Serbisë. Ky është një leksion që Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet ta mbajnë parasysh për të parandaluar konflikte të ngjashme dhe për të promovuar paqen.

4.Trajtimi korrekt i minoriteteve: Konfliktet mund të përkeqësohen dhe përhapen nga mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve. Serbia para së gjithash duhet të detyrohet t’i trajtojë minoritetet brenda kufijve të saj shtetëror, ngjashëm siç gëzon minoriteti serb të drejta në ish republikat Jugosllave tani sovrane, e me theks siç gëzon të drejta minoriteti serb në Kosovë. Vetëm kështu mund të parandalohen tensionet që Serbia I nxitë gjithandej në Ballkanin Perëndimor.

5.Roli i organizatave ndërkombëtare: Ndërkohë që Ballkani Perëndimor përpiqet të integrohet në strukturat europiane, është e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare të kenë një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Për këtë objektiv këto organizata duhet të ushtrojnë trysni reale ndaj Serbisë.

6.Mësimet nga tranzicioni demokratik: Shumë vende në Ballkanin Perëndimor po përjetojnë procese tranzicioni drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Kosova prinë në këtë proces. Serbia ka promovuar një lloj autoritarizmi diktatorial që për model ka pikërisht Rusinë e Putinit. Keqpërdorimi i minoritetit rus në Ukrainë nga pala ruse, mund të shërbejnë si leksion i keq për Serbinë, respektivisht si alarm i llojit të vetë për BE-në, që ndërlidhet me sfidat dhe rreziqet që mund të paraqiten në këtë rrugëtim të rajonit drejt BE-së.

Nëse Serbia përmes enklavave serbe, sidomos asaj në veriun e Kosovës, pretendon ta krijojë një bazë politike, që nesër do t’i krijonte mundësitë reale për rikthimin e ushtrisë dhe aktiviteteve luftarake, atëherë duket se ajo nuk ka nxënë asgjë nga leksioni i Ukrainës.

sadri ramabaja kurti vucic

Lini një Përgjigje