Forum13 Qershor 2024, 20:40

Sa këtej e sa andej, deputetët e Bashës po vërtiten si “hallatet e dashit”!

Shkruar nga Myslim Murrizi

Sa këtej e sa andej, deputetët e Bashës po vërtiten si

Megjithëse edhe mund të mos e kenë kuptuar as vetë se si ishin te PD dhe si u benë deputetë nga PD në 2021 se as kishin lidhje fare e nuk ia kishin haberin ç’është PD e ç’është deputeti.

Këtyre dy miqve të mi nga Çerma ju ishte bërë zemra mal nga dy deklaratat e sotme të dy deputetëve të Qarkut Dibër dhe Fier që kishin mbajtur qëndrim parimor pasi gjykata vendosi për vulën e PD.

Që të dy një zëri kishin thënë që kanë qenë dhe janë deputetë të PD.

Dhe që pasi ishin menduar mirë nga 9 shtatori 2021 e deri sot, kishin bërë një luftë të madhe me veten e ishin konsultuar me mijëra e mijëra mbështetës të tyre, sot përfundimisht vendosën të shkojnë nga shkoi vula.

Shumë mirë e kanë bërë më thotë njëri prej këtyre miqve, por a e dinë që tani do jenë deputetë të PD me kryetar Berishën?

Po besoj që e dinë thashë megjithëse edhe mund të mos e kenë kuptuar as vetë se si ishin te PD dhe si u benë deputetë nga PD në 2021 se as kishin lidhje fare e nuk ia kishin haberin ç’është PD e ç’është deputeti.

Eeee më thotë miku tjetër, se mos janë vetëm këta të dy opsaq në PD, por ishalla nuk lëvizin prap më thotë se deri në prill 2025 ka kohë plot për tu menduar dhe mos ndoshta do ta kuptojnë përsëri që kanë bërë gabim se këta ishin pro Amerikan, pro perëndimor, pro Euroatlantik dhe mos i shpallin non grata.

Ja fut kot dhe ti i thotë ky miku tjetër.

Po pse ore non grata çdo qytetar do shpallë Amerika?

Po të jetë kështu mos fol më se mund të na e rrasin edhe neve non grata se edhe ne qytetarë dhe votues njëlloj si këta jemi.

Nuk po flas më jo tha dhe mu drejtua mua.

A i njeh ti Myslim këta më tha?

Një po dhe një nuk e njoh fare i thashë por pse po më pyet se këta janë elitë dhe nuk ka problem se i njoh apo nuk i njoh unë, këta i njeh gjithë Shqipëria, Europa dhe Amerika.

A mund t’iu çosh një kërkesë dhe lutje më tha nga ne dy fshatarët nga Çerma?

Po more i thashë.

Kaq e bëj unë por thashë se mos donit ndonjë takim me këta.

Jooo ore jooo me thanë çfarë takimi, por a po ju thua që të mos lëvizin më si hallatet e dashit në vapë të qershorit se boll kanë lëvizur nga shtatori 2021 dhe kemi hall se do ju tunden mendtë e kokës e mos ju vjen për të vjellë.

Dhe po i takove me thanë, ju thuaj që boll e mbajtën dyfekun mbështetur në atë vend, ta luajnë pak se ndoshta qëllojnë ndonjë gjë.

Meqë këta deputetë elitë kanë qysh sa janë emëruar si deputet më 25 prill 2021 që nuk takojnë askënd nga mijëra e mijëra mbështetës e votues të tyre, mua as më kanë në hesap, prandaj unë po ua përcjell publikisht kërkesën e dy miqve të mi nga Çerma.

Kjo kërkesë mendoj që vlen edhe për 7-8 deputetët e tjerë pro Amerikano-euroatlantiko-Europian dhe mos ma merrni për keq ju kam rixhan se miqtë e mi për të mirë po luten.

Por edhe po u mërzitët nuk është se do merrni qumështin por të paktën mërzituni me mua se e keni bërë zakon, jo me këta dy miqtë e mi, se nuk e meritojnë mërzitjen tuaj, pa mua as që ma ndjen fare se kush mërzitet se kam 34 vjet që kam parë e dëgjuar plot frymorë që mërziten me mua.

Tung!

Forum