TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Dhjetor 2025, 13:18

Sali Berisha vuan nga deliri i madhështisë, njësoj si Enver Hoxha!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Sali Berisha vuan nga deliri i madhështisë, njësoj si Enver

Duhet të kujtohemi se mbretërit apo presidentët absolutë delirantë të një shteti, i kanë sjellë dëme të mëdha atij shteti.

Është fakt tani se në politikën e Shqipërisë sot ende nuk ka një klasë politike që ta ketë debatin në nivelin e lartë të parlamenteve të Bashkimit Evropian.

Debati në politikë sigurisht që është politik, por kurrë nuk mund të dalë nga arsyeja dhe logjika e faktit, apo e idesë politike të momentit.

Kurse dihet që është vetëm mendimi i diktatorit në një shtet diktatorial, po edhe i kryetarit absolut të një partie politike, të cilët nuk e pranojnë këtë arsye politike, që sigurisht i takon demokracisë.

Por pyetja që ngrihet për ne shqiptarët në këtë rast, është kjo:

Po ne, këtu në Shqipëri, a kemi sot politikanë delirantë që janë në pushtet apo afër pushtetit?

Po kemi të tillë, por ende nuk ka në Shqipëri një forcë ligjore që t'i çojë individë të tillë në një analizë psikiatrike; sepse deliri i një individi për veten, është sëmundje mendore.

Ja, ne në Shqipëri e kemi një rast të delirit të madhështisë nga një politikan i lartë. Sepse ishte Sali Berisha që para disa ditësh u tha kundërshtarëve në sallën e parlamentit: Jam Sali Berisha unë, or budallenj, jam Sali Berisha.

Dhe ata e dëgjuan, por po të ishte në ndonjë vend të zhvilluar të Perëndimit, sigurisht që parlamenti, me vendim të veçantë, do ta çonte për një analizë psikiatrike, vetëm për atë që ai tha: Jam Sali Berisha unë, o budallenj, jam Sali Berisha.

Dhe duhet ta theksojmë që, sipas psikiatrisë moderne, kjo shprehje është rrjedhojë e një psikike delirante, sepse këtë lloj shprehjeje e ka thënë në histori ose diktatori delirant në një diktaturë, ose mbreti absolut dhe delirant në një monarki absolutiste.

Por sot për ne: mjafton kjo shprehje që Saliu ka thënë në Parlament dhe e ka dëgjuar botërisht i gjithë opinioni publik në Shqipëri, pikërisht për këtë, Kuvendi i Shqipërisë me vendim të veçantë duhej ta dërgonte Berishën në një analizë psikiatrike, për ta diagnostikuar me pyetjen: A është i prekur ky individ nga deliri i madhështisë?

Dhe duhet të kujtohemi se mbretërit apo presidentët absolutë delirantë të një shteti, i kanë sjellë dëme të mëdha atij shteti.

Edhe Shqipëria, ne duhet të kujtohemi, se e ka vuajtur shumë delirin e madhështisë të diktatorit Enver Hoxha, të cilit, brenda vetes, atij i dukej sikur po drejtonte botën me idetë e tija.

Lini një Përgjigje