
Pra qartazi strumbullari i nisjes së procedurës së shkarkimit të Veliajt është vetëm një njeri: Edi Rama!
Erion Veliaj nga dje është shndërruar nga partneri kryesor i Ramës në PS, në një apendisit që Rama mezi priste ta hiqte nga trupi i tij politik. PS që tashmë e dominon plotësisht nga Kryeministria në Kuvend e deri në Bashkinë Tiranë. Themi PS sepse të treja këto institucione nuk janë më legjitime por thjeshtë zgjatime personale të Ramës nën siglën e partisë. Dhe Veliaj është veçse viktima e fundit e luftës 27 vjeçare të politikanit që tashmë dominon gjithë hapësirën publike me përjashtim të gjyqësorit. Një mbret pa kurorë e skeptër por me gjithë fuqinë e pushtetit që një monark absolut do e kish zili. Dhe Veliaj nga i përkëdheluri i tij i deri djeshëm, tashmë është shndërruar në viktimën e tij të fundit. Ironi e fatit sesi njeriu që përmes Mjaft-it në 2005 luajti një rol të madh në shtrimin e rrugës së Ramës drejt majës së pushtetit që kishte dy pengesa. Nanon në PS që pikërisht pa Veliajn vështirë se do e mundte dhe Berishën që mund veten sa herë mundet.
Tashmë siç do politikan me prirje të qartë autokrate, Rama nuk ndalet para asnjë pengese në akumulimin e pushtetit personal. As para miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ndaj kundërshtarëve jo e jo sepse të tillë nuk ka. Jo sepse ka miq dhe bashkëpunëtorë, pasi tashmë qëndron veçse mbi të nënshtruar. Por ky argumentim natyrisht nuk zhvesh Veliajn nga përgjegjësitë ligjore që I ka me siguri. E as do të thotë se Rama është “Diella” e Nesti Angonit apo Aranit Çela i rastit. E aq më pak argumenti për shkarkimin e Veliajt nuk është sajesë e Ramës për të goditur Veliajn, pasi mungesa 3 mujore në krye të detyrës e çon Këshillin bashkiak të Tiranës tek e vetmja zgjidhje e ngërçit të krijuar, pra shkarkimin i tij. Por kujdes! Djalli fshihet gjithnjë pas detajeve! Dhe djalli në këtë rast është zyra ku u mbajt mbledhja në të cilën u mor vendimi. Selia e Partisë Socialiste. Pikërisht vendi I fundit në të cilin duhej marrë ky vendim.
Por që ti kthehemi objektit të diskutimit, Rama gaboi për herë të tretë me Veliajn. Gabimi i parë qe kur doli në shesh i shoqëruar me urdhër nga gjithë administrata e bashkisë në një ant-miting kundër SPAK. Jo sepse e konsideronte çështjen Veliaj të padrejtë, por sepse tek Veliaj në SPAK pa veten në pasqyrë. Shprehja drejtuar SPAK se “me telefonin tim nuk keni punë” e dekonspiroi Ramën jo si empatik me kryetarin e sapo arrestuar të bashkisë, por si viktimë pasardhëse të hetimeve të mundshme për korrupsion.
Dhe çështja e Inceneratorëve me siguri lë pa gjumë gjysmën e Tiranës socialiste. Imagjinoni shefin e madh! Inceneratorët janë vendi ku takohen shumica e qeveritarëve të majtë që kush më shumë e kush më pak kanë ngjyer gishtin, siç tregojnë faktet publike. Gabimi i dytë ishte mos shkarkimi i Veliajt nga Këshilli Bashkiak i Tiranës pas kërkesave të vazhdueshme të këshilltarëve të opozitës. Argumenti ishte i njëjti i përdorur nga Rama sot në selinë e PS, ndërsa kërkuesit të ndryshëm. Atëherë pse nuk veproi fill pasi u tejkalua afti 3-mujor i mos paraqitjes së Veliajt në detyrë por pikërisht në shtatorin e fillimit të mandatit të katërt qeverisës? Sepse është Rama ai që të mbron dhe Rama ai që të lëshon. Dhe gabimi i tretë dhe më i rëndi është imponimi për vendimin e shkarkimit nën diktatin e tij, ndaj një trupe të zgjedhur drejtpërsëdrejtë siç është grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, pavarësisht nga sigla që përfaqësojnë. Tek e fundit janë të zgjedhur. Të paktën formalisht.
Pra qartazi strumbullari i nisjes së procedurës së shkarkimit të Veliajt është vetëm një njeri: Edi Rama! Dhe Veliaj tashmë e ka të qartë dhe pa asnjë dilemë ashtu si çdokush që përdor një smartphonë dhe televizor. Atëherë çfarë i mbetet të bëjë përveçse të ndjekë rrugën që të çon në përplasje ligjore? I mbetet edhe rruga e betejës politike. Që do ishte e para betejë reale nëse bëhemi seriozë që ato me Këlliçin, Halim Kosovën e molotovët e Bashës, mos ti quajmë beteja të vërteta për shkak të vetvrasjeve të PD sa herë që garonte përballë Veliajt. Mjafton të shohim historikun e diferencës së votave në 2015, 2019 dhe 2023 për të kuptuar se garat për bashkinë ka qenë të trukuara nga vetë rivalët demokratë. Pra ka ardhur koha që Veliaj të dalë në sheshin e betejës, që këtë herë nuk është vetëm politike, por kryesisht ekzistenciale për të dhe familjen e tij biologjike që po marrin mbi supe peshën kryesore të korrupsionit galopant të mazhorancës socialiste.
Kjo është e padrejtë sado që Veliaj ka përgjegjësitë e veta në raport me ligjin. Por ashtu siç e kërkon zakoni, secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Dhe diçka në Tik-Tok Veliaj e ka thënë! “Kur të flasë unë, ti do jesh i fundit”! Natyrisht që nuk e ka pasur për Zegjinenë! Ndaj ka ardhur koha që bashkëudhëtari i tradhtuar i Ramës të bëjë një betejë të vërtetë. Atë më të egrën, betejën brenda llojit! Një gjë është e sigurt. Erion Veliaj është i dënuar ta bëjë pasi nuk ka çfarë humbet. Dhe Rama nga ana tjetër mbase duhet të kujtohet se shprehja popullore “I mbyturi të mbyt” nuk duhet marrë thjeshtë si folklor por si rrezik i (pa) llogaritur.
Dje me qëndrimin e avokatëve mbrojtës duke se u hodh hapi i parë përmes ankimimit në Gjykatë Kushtetuese. Hapat e tjerë nuk mund të jenë veçse ligjorë nëse Veliaj do të luftojë për veten e tij. E mesa duket ai do të luftojë të vetmen betejë që i ka mbetur nëse fjala dinjitet ka ende vlerë për të!
Lini një Përgjigje