TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Maj 2023, 16:30

Tregimi i Kadri Roshit dhe turpi që nxjerr cullak klasën tonë politike!

Shkruar nga Ilir Çumani
Tregimi i Kadri Roshit dhe turpi që nxjerr cullak klasën tonë
Kadri Roshi

Një tjetër arsye mjaft domethënëse e bën legjitime të gjithë kontestimin dhe mos dakortësinë e shumicës së shqiptarëve, që me të drejtë ka ngjallë një revoltë masive në opinionin e gjerë publik lidhur me aktin e pashembullt të asaj që ndodhi të enjten e javës së shkuar në sallën e Parlamentit Shqiptar...

Vite më parë, (kur ishte gjallë), aktori i madh i skenës dhe i ekranit shqiptar Kadri Roshi, pati një takim me simpatizantët e tij dhe artdashësit në qytetin e Lushnjës.

Në atë takim të përzemërt që zhvillohej në sallën e kinoteatrit të atij qyteti, ai do të rrëfente para publikut të pranishëm një ndodhi që vinte qysh nga koha e viteve të fundit të regjimit komunist.

Ishte një ndodhi, si shumë prej ngjarjeve dramatike dhe groteske që i prodhonte me shumicë ajo kohë e çmendur, e mbushur me paradokse absurde dhe të çuditshme.

Asokohe, e gjithë shoqëria shqiptare ishte e detyruar të jetonte në shkelje të dinjitetit njerëzor, përmes një modeli jetese me rregulla të kufizuara e barazitiste, me të njëjtin standard jetese për secilin.

E gjitha kjo, ndërtoi status-quo’në e një shoqërie të frustruar e të frikësuar, e zhytur thellë e më thellë në një mjerim anti vlerash dhe skamjeje, e lodhur dhe e drobitur në një varfëri ekstreme me triska e tollona të racionuara ushqimore.

Përmes rrëfimit krejt origjinal e me nota të theksuara sarkastike, narrativa e Kadri Roshit në atë takim me simpatizantët e tij, merrte jo vetëm nuanca humori nga përshkrimi i situatave dhe rrethanave të ngjarjes, por më së shumti përcillte edhe një mesazh tek të gjithë të pranishmit në atë sallë të madhe, ku hera herës pati ilaritet dhe të qeshura që shoqëroheshin pafund me brohoritje e duartrokitje frenetike për aktorin e madh.

Aktori rrëfeu se si një brigadier në një ish ndërmarrje të peshkimit në Lagunën e Karavastasë së Divjakës, së bashku me brigadën e tij të peshkatarëve zinin çdo ditë peshk për furnizimin e popullatës.

Kjo ishte puna e përditshme që bënin punonjësit e asaj ndërmarrjeje shtetërore peshkimi.

Kur gjuetia për peshkim shkonte mbarë, e gjithë sasia e peshkut soditej nga vështrimet e gëzuara dhe fytyra të qeshura të brigadës së peshkatarëve.

Suksesit të tyre i bashkoheshin të gjithë banorët e pranishëm atje, të cilët  i gëzoheshin fryteve të punës të një dite tejet të lodhshme, që në fund të fundit i gjithë mundi i punëtorëve të peshkimit ia kishte vlejtur.  

Pas përfundimit të gjuetisë, përpara se të bëhej bilanci i normës në fund të ditës dhe të sistemohej peshku në arka për tu shpërndarë për konsum në popull përmes rrjetit të njësive të tregtimit, fillimisht brigadieri së bashku me të tijtë, një pjesë jo të vogël të sasisë së peshkut e ndanin mes vetes së tyre.

I pari që nuk i përmbahej gëzimit dhe binte në sy të të gjithëve ishte brigadieri i ndërmarrjes së peshkimit.

Ishte një burrë shtatlartë, me mustaqe, me barkun e madh dhe mollëzat e faqeve që i kuqëlonin nga shëndeti i tepërt, i cili, gjithë neps e babëzi i shqyente sytë nga peshku i zënë prej peshkatarëve.

Ai, prej tundimit, e niste refrenin e përditshëm duke drejtuar gishtin tregues tek peshku më i madh mes belbëzimit ndër dhëmbë:

“Ky peshku i madh fare është për mmmuuuu….! Edhe ky tjetri më i madh është për mmmuuuu... Edhe ai tjetri që është pak më tutje është për mmmmuuuuu...!”

Brigadierit trupmadh, s’i ndalej që s’i ndalej prej gojës fjala “mmmuuuuu….!”

Nuk lodhej e nuk lodhej së përzgjedhuri, deri sa të gjente edhe peshkun e fundit të madh, duke lënë për arkat që priteshin të mbusheshin dhe të çoheshin për tu shpërndarë në popull vetëm peshqit e vegjël dhe cironkat….

Njëri nga të pranishmit që e ndiqte atë skenë groteske, del si më i guximshëm nga të tjerët dhe i thotë brigadierit:

“Aman, o shoku brigadier, të mbeti goja duke thënë vetëm “mmmuuuuu…!!!”

Edhe lopa që është lopë, gjithmonë bën “mmmuuuu….”, por të paktën ajo na jep çdo ditë qumësht që të hamë të gjithë...!”

“Po pse jam brigadier”, - ia priti brigadieri barkmadh me faqet shend e verë.

Çfarë pret nga unë, që të them: “Tyyyyyy….!?”

Në sallë plasi e qeshura dhe duartrokitjet nuk pushonin…

Kjo rrëfenjë e gjigandit Kadri Roshi më erdhi në mëndje për të disatën herë gjatë këtyre ditëve, kur më datën 25 maj 2023, në seancën e Parlamentit shqiptar ndodhi diçka  e pazakontë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, i cili nxori cullak anën jo njerëzore dhe aspak empatike të një klase të tërë politike.

Ishin mbledhur si asnjëherë tjetër deputetët e të gjitha krahëve politike, për të miratuar (rrufeshëm pas zgjedhjeve) me një urgjencë të çuditshme paketën e ligjit për “Reformën e Pagave” në Republikën e Shqipërisë.

Së pari, për të qenë i sinqertë, dëshiroj publikisht të jem i qartë lidhur me këtë çështje kaq sensitive dhe me interes publik.

Personalisht, nuk kam qenë dhe nuk jam kundër rritjes së pagave, si për anëtarët e qeverisë ashtu edhe për deputetët, ministrat dhe drejtuesit e rëndësishëm në të gjitha nivelet e institucioneve tona (edhe pse këto kategori, para miratimit të ligjit për dyfishimin e pagave) në raport me nivelet e tjera në hierarkinë e pagave shtetërore, kryesonin listën e më të mirë paguarve.

Për administratën publike jo dhe jo, pasi ata janë truri që vë në lëvizje motorin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe jo vetëm. Madje, kjo do të duhej të kishte ndodhur edhe më herët për këtë kategori.

Një tjetër arsye mjaft domethënëse e bën legjitime të gjithë kontestimin dhe mos dakortësinë e shumicës së shqiptarëve, që me të drejtë ka ngjallë një revoltë masive në opinionin e gjerë publik lidhur me aktin e pashembullt të asaj që ndodhi të enjten e javës së shkuar në sallën e Parlamentit Shqiptar./Pamfleti( vijon..)

kadri roshi turpi që nxjerr cullak klasa politike

Lini një Përgjigje