TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Maj 2023, 13:50

Kaosi në veri, Brnabiç: Situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e rëndë!

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi në veri, Brnabiç: Situata në Kosovë nuk ka qenë
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka deklaruar se situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e vështirë, transmetojnë mediat serbe.

Brnabiç ka pretenduar se ishte i vonuar reagimi i KFOR-it, detyra e të cilit është mbrojtja e interesave dhe paqes së popullit të Kosovës dhe jo uzurpatorët.

Paqja është gjëja më e rëndësishme që kemi, duke ruajtur paqen ruajmë mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Bërnabiç, shkruajnë mediat serbe.

Ajo ka shtuar se “situata në Kosovë po monitorohet orë pas ore dhe se publiku do të informohet për veprimet e radhës të Serbisë”.

Në orët e para të mëngjesit, grupime qytetarësh janë mbledhur në komunat e Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit ku edhe ka prani të shtuar të forcave të policisë.

Sipas mediave të Kosovës, raportohet që në Zveçan policia të ketë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë në kuadër të këtyre protestave të paralajmëruara, edhe nxënësit do të bojkotojnë mësimin ditën e sotme.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nëpërmjet një deklarate për televizionin shtetëror është shprehur se trupat e KFOR-it po mbrojnë ndërtesat komunale nga pronarët e vërtetë, duke shtuar se sipas tij shqiptarët nuk mund të jenë kryetarë të komunave me shumicë serbe.

Në 26 maj, pati përplasje mes forcave speciale të Kosovës dhe protestuesve serbë të cilët u mblodhën para ndërtesave komunale për të mos lejuar kryetarët e rinj të zgjedhur me votë që të hynin për të nisur detyrën e tyre. U desh ndërhyrja e policisë për të bërë që kryetarët e zgjedhur të arrinin të hynin në zyrat e tyre.

Kjo shkaktoi rritje të tensioneve, ku pati përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë që si rrjedhojë sollën edhe plagosjen e 5 prej efektivëve. Gjithashtu në disa prej komunave u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe u ngritën barrikada.

kryeministrja serbe ana brnabiç kaosi në veri

Lini një Përgjigje