
Debati në sallë nuk është krim, është thelb i drejtësisë, është demostrim i aftësive profesionale. “Grada” gjyqtar apo prokuror, nuk do të thotë se je “elitë” e drejtësisë, aq më keq në shqipëri që proçesi rekrutimeve është kontestuar fortë nga mbarë opinioni publik shqiptar
Pas një vale reagimesh të forta nga komuniteti avokatëve, juridik dhe qytetarëve, Prokuroria e Elbasanit e pranoi zyrtarisht se arrestimi i avokatit Uljan Barjami ishte i paligjshëm.
Ky konstatim, ndonëse shumë i vonuar, është një hap drejt rivendosjes së drejtësisë në një rast që tronditi themelet e sistemit gjyqësor. Por ajo që mbetet pas, është shumë më e rëndë se një gabim procedural: një goditje ndaj figurës së avokatit, ndaj misionit të tij dhe një përpjekje për të vendosur frikë aty ku duhet të sundojë ligji. Më troç akoma: një tentativë për instalim diktature në sallën e gjyqit dhe humbje besimit tek drejtësia.
Pse është thelbësore të analizojmë këtë rast?
Përtej lirimit të avokatit, duhet analizuar thellësisht arsyeja dhe mënyra e arrestimit, një avokat, në ushtrim të detyrës së tij, arrestohet padrejtësisht, jo për krim, por për debat procedural në seancë. Dikush duhet të përgjigjet, si dhe pse u arrestua avokati, pa asnjë fakt të ri, pa asnjë rrezik real. Pse????? Për të ruajtur një imazh institucional që tashmë është rrënuar nga e vërteta më e thjeshtë: Pse i mëshojmë fortë faktit, se arrestimi avokatit ishte i paligjshëm.
A thua se çfarë do të ndodhte nëse nga një trup speciale jashtë kësaj strukture të drejtësisë të ndalohej ose arrestohej një gjyqtar apo prokuror për debate në sallë? Apo sepse vendimi i tyre u shpall me shkelje të rënda procedurale, mos’arsyetimin e vendimit në kohën që ka caktuar procedura, marrjen e pafajësisë nga gjykata më e lartë, apo prishjen e një numri të caktuar vendimesh nga gjykatat më të larta, që ndodhin me mijëra herë ? Imagjinoni reagimin e trupës, herë herë edhe me të drejtë.
Avokati nuk është armiku i drejtësisë
Kujtojmë për këdo që e ka harruar: avokati nuk është spektator apo tifoz në sallën e gjyqit. Ai është palë e barabartë me prokurorin, dhe garant i të drejtës për një mbrojtje efektive.
Arrestimi i një avokati për shkak të një debati në seancë gjyqësore nuk është vetëm një keqkuptim i thellë i rolit të tij, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe tepër serioz për pavarësinë e avokatisë.
Nëse një avokat ndalohet, arrestohet, sepse debatoi me një prokuror, nesër mund të ndalohet sepse mbrojti një të pandehur që nuk i pëlqeu dikujt apo policisë që e arreston të dyshuarin për një krim. Pasnesër, mund të heshtë nga frika, dhe në atë moment drejtësia ka vdekur për të gjithë.
Oficerja e policisë gjyqësore që ndoshta mund ti adresohet përgjegjësia, nuk është problemi kryesor për mendimin tim, por urdhrat nën rrogoz janë më të rrezikshëm se kaq.
Nuk është momenti për të bërë fajtor individin më të dobët në zinxhirin institucional, siç është oficerja që zbatoi urdhrin. Ajo nuk e hartoi atë urdhër me dëshirë, ajo nuk vendosi ligjshmërinë e veprimit, nuk ishte autorja e shkeljes. Ajo thjesht zbatonte një vendim që tashmë është shpallur i jashtëligjshëm nga vetë prokuroria.
Në vend që të kërkohet përgjegjësi ndaj saj, mendoj se duhet hetuar kush dha urdhrin, mbi çfarë baze dhe me çfarë synimi u dha ky urdhër????
Ky nuk është një gabim teknik, është një akt institucional që ka për qëllim ndëshkimin e një avokati që nuk heshti, por foli me guxim në sallë, pa ditur se sa të drejtë ka patur. Guximi i një avokati është themeli i një mbrojtjeje efektive.
Drejtësia ose mbron të drejtën, ose hesht përballë padrejtësisë!!!!
Ky rast nuk është më thjesht personal. Është një test për sistemin e drejtësisë në tërësi. A do të mbrojë ky sistem integritetin e vet, apo do të heshtë përballë abuzimeve nga brenda?
Dhoma Kombëtare e Avokatisë, shoqatat e avokatëve, shoqëria civile, çdo qytetar që beson tek shteti i së drejtës nuk duhet të heshtin. Sepse heshtja sot është pranim nesër dhe rrezik real për rikthim në diktaturë. Këtu nuk duhet të ndëshkojmë prokurorin që debatoj me avokatin, apo gjykatësen që replikoj me avokatin deri në tentativ për ta ndërprer të mos fliste, ta zvëndësonte, apo nxjerrë jashtë.
Këtu është problem kryesor fryma që është krijuar. Avokatia nuk është problemi, por ai është thelbi i procesit të rregullt, jo zbukurim dekori në sallën e gjyqit.
Prokurorë dhe gjykatës kanë patur edhe kanë diktaturat. Por prania e avokatit në seancë, i jep procesit emrin “proces i rregullt ligjor”, ku aderon Shqipëria për një sistem ligjor perëndimor.
Askush nuk është padron i drejtësisë, por shërbëtor të saj. Dhe aftësia e një prokurori apo gjyqtari është në përballjen me prova kokëfortë me avokatin, jo me urdhra kundër tij.
E drejta europiane si element thelbësor është e qartë.
Avokatia ka një mbrojtje të veçantë në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Vetë Këshilli i Europës ka publikuar një udhëzues zyrtar mbi mbrojtjen e rolit të avokatit në një shoqëri demokratike. Ky udhëzues nuk është çështje interpretimi teatral, por është i detyrueshëm për çdo shtet që pretendon të jetë pjesë e familjes europiane.
Nëse Shqipëria synon vërtet integrimin, nuk mund të shkojë në Europë pa avokatët përballë.
Debati në sallë nuk është krim, është thelb i drejtësisë, është demostrim i aftësive profesionale. “Grada” gjyqtar apo prokuror, nuk do të thotë se je “elitë” e drejtësisë, aq më keq në shqipëri që proçesi rekrutimeve është kontestuar fortë nga mbarë opinioni publik shqiptar.
Debati në sallën e gjyqit është një mjet thelbësor i procesit të rregullt ligjor.
Avokati dhe prokurori janë palë të barabarta, ndërsa gjykata është autoriteti që garanton ekuilibrin dhe standardet.
Parë sa më sipër, mendoj se ka nevoj emergjente për ndryshimin e frymës, reflektim të thellë, dhe jo ndëshkim i më të dobëtit, siç ndodh rëndom në sistemin tonë.
*Ish-nënkryetar i KLP
Lini një Përgjigje