
Në ditën e 42-të të protestës qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarë të ndryshëm kanë ndarë shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për situatën politike në vend.
Para nisjes së marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, disa protestues shprehën zhgënjimin e tyre me qeverisjen aktuale dhe duke kërkuar ndryshime politike.
Një prej tyre tha se vendi ka humbur drejtimin dhe se institucionet nuk po funksionojnë siç duhet.
“Kryeministri Edi Rama kërkoi timonin, e mori, por humbi drejtimin dhe na ka hedhur në humnerë të gjithëve. Çdo gjë që supozohet të funksionojë sipas rregullave është anashkaluar. Çdo institucion është i korruptuar. Gjithçka është kthyer në fasadë dhe nuk funksionon më”, u shpreh ai.
Gjithashtu, qytetari kritikoi Parlamentin dhe mënyrën se si po trajtohen protestuesit.
“Themelet janë kalbur. Nuk kanë prioritet të shpëtojnë jetë njerëzish. Mendojnë se po sjellin risi në Shqipëri, por ndërkombëtarët nuk shohin vetëm koncertet dhe fasadat. Këtë korrupsion duhet ta luftojmë. Ju na tregoni të vërtetat. Me rininë duhet ta rrëzojmë këtë qeveri patjetër”, u shpreh qytetari.
Ndërkohë, një tjetër protestuese, e cila u shpreh se punon në administratë publike, tha se ka dalë në protestë pavarësisht rrezikut që i sjell kjo situatë për vendin e punës. Ajo deklaroi se e ka votuar tre herë kryeministrin Rama, por sot ndihet e zhgënjyer.
“Rrezikoj shumë që jam këtu, por rreziku më i madh është shpopullimi dhe copëtimi i atdheut. Punën time e konsideroj një rrezik të vogël përballë asaj që po i ndodh vendit”, tha protestuesja.
Ajo shtoi se vendi ka nevojë për ndryshim dhe se ndihet e detyruar të reagojë.
“Për qeverinë Rama kam votuar tre herë dhe jam gati publikisht në shkallët e protestës të ngjitem edhe ta pres dorën, sepse kam shpresuar”, u shpreh qytetarja.
Sipas saj, të gjithë qytetarët duhet të mbrojnë vendin dhe interesat e tyre. “Jam në mbrojtje të çdo milimetri të këtij atdheu. Atdheu të do edhe kur nuk je zogu më i bukur”, deklaroi protestuesja.
Protesta e 42-të vijoi me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike.
Lini një Përgjigje