Vulgariteti ka përshkuar të gjithë kulturën tonë nga lart poshtë.
Në të gjitha kulturat dhe gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë mësuar se çfarë të vlerësojnë duke parë ata që duken të suksesshëm dhe kanë vizibilitet publik. Antropologët e kanë dokumentuar këtë model në shoqëritë e vogla; ekonomistët e sjelljes e vëzhgojnë atë në tregjet e konsumit; psikologët socialë e shohin atë në formimin e identitetit të adoleshentëve.
Ndaj rregulli se "çdo veprim i bërë në publik duhet të jetë me një shenjë respekti për ata që janë të pranishëm" është konsideruar rregulli i artë me 110 Rregullat e Qytetërimit dhe Sjelljes së Mirë në Shoqëri dhe Bisedë, një tekst i shkruar fillimisht nga jezuitët francezë. Por fatkeqësisht ky rregull është zhbërë pa kthim.
Vulgariteti është norma e re në ekranet tona. Vetëm një mbrëmje po të kaloni në shoqërinë e televizionit kuptohet qartazi që vulgariteti ka depërtuar kaq shumë në çdo nivel të diskursit tonë, saqë pa frikë mund të quhet normaliteti ynë i ri.
Vulgariteti ka përshkuar të gjithë kulturën tonë nga lart poshtë. Ai nuk është më karakteristikë vetëm e bisedave edhe sjelljes së adoleshentëve në dhomat e zhveshjes pas një ndeshjeje futbolli, ai është transformuar në karakteristikë standarde, një performancë e vazhdueshme e njerëzve të angazhuar publikisht.
Kacafytja e Beratit me Albatrosin në Opinion, puthja pa miratim e një vajze nga opinionisti i programit, mbushja e paneleve të debatit me analiste edhe analistë të cilët as nuk thellohen të krijojnë njohuritë e nevojshme e të mjaftueshme për çështjet ku angazhohen të flasin, janë shenja se televizioni është kthyer në tregun më të madh të vulgaritetit.
Sa më shumë shoh televizor, aq më shumë bindem se gjysma e dëmit në këtë vend shkaktohet nga njerëzit që duan të ndihen të suksesshëm në publik.
Ndoshta ata nuk duan të bëjnë dëm, sikurse po ashtu edhe dëmi që bëjnë nuk u intereson. Të zhytur në luftën e pafundme për të menduar e për t’u ndjerë mirë me veten, ata ose nuk e shohin, ose e justifikojnë dëmin që shkaktojnë shoqërisë.
Mos ndiq televizionet tona. Mos, se ta bëjnë mëndjen dhallë. Shumica e opinionistëve dhe Anal-istëve paguen për këtë. Dil pi kafe me të njohur të tu, dhe do mësosh gjëra të reja, taze, nga çdo fushë.
Fajin e ka politika . Shikoni Sali Berishen , me gjuhen e poshter qe ka.