TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Korrik 2025, 16:19

Zeqo 1, Zeqo 2 dhe Shqipëria si e ëma e Zeqos në majë të thanës

Shkruar nga Klodian Tomorri

Zeqo 1, Zeqo 2 dhe Shqipëria si e ëma e Zeqos në majë

Po jetojmë në vendin e Zeqove. Një Zeqo, që i hapin rrugën dhe një Zeqo që nuk hap rrugë për në Parlamentin e Zeqove. Dhe Shqipëria e gjora ka përfunduar si e ëma e Zeqos në majë të thanës...

Zhvillimi më i bujshëm politik që ka prodhuar Shqipëria pas zgjedhjeve të 11 majit janë dy Zeqot.

Zequ i parë është një deputete në Fier, që i bën vetes video duke thënë gjëra shumë të mençura. Kjo u bë një herë deputete, pastaj doli që kishte vjedhur ca vota dhe e humbi mandatin.

Por sapo i ra mandati, njëra që ishte para Zeqos i liroi vendin me propozim nga lart dhe orientim nga poshtë. Pra, Zeqos së parë i hapën rrugë për Kuvend. Mbajeni mend këtë.

Zequa i dytë është një punëtor ndërtimi, që mund të bëhet deputet. Ky ishte i 12-ti në listën e mbyllur Lapaj-Shabani.

Fillimisht këta u thanë se do të tërhiqeshin të gjithë, pasi në Parlament do të hynin ata që merrnin më shumë vota individuale. Mirëpo Zequa nuk po dëgjon tani dhe thotë se ka harruar nëse ka firmosur për dorëheqje. Pra, Zequa i dytë nuk po hap rrugë për Kuvend.

Po jetojmë në vendin e Zeqove. Një Zeqo, që i hapin rrugën dhe një Zeqo që nuk hap rrugë për në Parlamentin e Zeqove. Dhe Shqipëria e gjora ka përfunduar si e ëma e Zeqos në majë të thanës.

Ky ishte zhvillimi më i rëndësishëm politik. Ndërsa zhvillimi më i rëndësishëm në jetën publike janë prishjet e ndërtimeve në Theth.

Këtu tani nuk kishim Zeqo, por Koçekë.

Ca Koçekë thoshin që qeveria po na mbyt dhe po na nxjerr në rrugë të madhe, ndërsa ca Koçekë të tjerë thoshin: “Edi Rama ka ba nji gja t’mrekullushme që prishi ndërtimet.”

Po bëhet vendi një spital i madh psikiatrik.

Kështu që Zeqo dhe Koçekë të të gjitha llojeve, bashkohuni që të shpëtojmë Atdheun.

Lini një Përgjigje